Emiri: Sa më shpejt të afrohemi të gjithë këtu, të bëhemi një front i përbashkët opozitar, aq më shumë shkatërrim do i kursejmë Shqipërisë

Fjala e aktores, Julia Emiri

Përshëndetje, shqiptarë që jeni këtu në sallë, jashtë kësaj salle, jashtë Shqipërisë, kudo që jeni. Nuk e di nëse e keni pyetur veten, si unë, për këtë vend të vogël, për këtë vend të çuditshëm siç është Shqipëria, se çfarë e mban që të jetë i përjetshëm. Çfarë e mban këtë komb që të pushtohet nga perandoritë më të mëdha dhe të mos zhduket?
Çfarë e mban këtë komb që bashkëjetoi me shumë kombe të tjera dhe të mos asimilohet? Nuk e di nëse e keni pyetur veten nëse keni edhe ju atë dashurinë konfuze që kam unë për shqiptarët, që ndonjëherë ju duken populli më i bukur në botë dhe ju mallëngjejnë me veprimet më të thjeshta, dhe ndonjëherë ju duken populli më absurd në botë që nuk reagon, që duket sikur mësohet me çdo gjë.
Unë e kam pyetur shpesh dhe sot mendoj se kam një përgjigje. Në kohërat më të vështira, në kohërat më të errëta, atëherë kur duket se çdo gjë ka marrë rrugën, Shqipërisë i lindin ca patriotë. Shqipërisë i lind një Skënderbeu, i lind një Ismail Qemali, i lind një Luigj Gurakuqi, Fan Noli, i lind një Adem Jashari që ndryshon rrjedhën e historisë. Ju me siguri i keni dëgjuar historitë e tyre dhe mendoni që i dini, por ajo që nuk dini është lufta që këta patriotë kanë bërë me shqiptarët. Po, po, me shqiptarët. Shumë njerëz mendojnë sot se po të jetonin në kohën e Ismail Qemalit dhe të gjithë këtyre emrave, do të ishin përkrah tij. Mendojnë se do të kishin firmosur bashkë me të. A jeni të sigurtë? A jeni të sigurtë se po të ishit në kohën e pavarësisë do të ishit pranë tyre?
Sepse pavarësia e Shqipërisë, lufta për pavarësinë e Shqipërisë ka zgjatur rreth një shekull. Nuk ka qenë vetëm dita e pavarësisë. Një nga arsyet pse kjo luftë ka zgjatur ka qenë sepse ka pasur shumë shqiptarë që nën Perandorinë Osmane mendonin se ‘mirë jemi, s’kemi ç’na duhet as autonomia, as pavarësia, jemi në rregull’. Unë mendoj se në qoftë se jeni sot duke pirë kafe në këtë gjendje që është Shqipëria, me shumë mundësi do të ishit duke pirë kafe edhe në atë kohë.
Nuk dua të heq paralele e krahasime mes emrave që kemi sot këtu dhe emrave të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, sepse ato gjëra do t’i bëjë historia. Mbi të gjitha, unë nuk po flas sot për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Nuk po flas për luftën e këtyre të dyjave, sepse lufta që po bëhet sot në Shqipëri nuk është midis dy partish. Është një luftë shumë më e vjetër se kjo; është një luftë e vjetër sa historia e njerëzimit. Është një luftë mes të drejtës dhe të padrejtës, mes të mirës dhe të keqes, mes frenimit dhe veprimit, mes shkatërrimit dhe ndërtimit.
Në luftë, nuk është momenti i emërtimeve dhe i barrierave; në luftë është momenti i veprimit. E imagjinoni dot nëse këto burra që kanë luftuar për Shqipërinë do të thoshin: ‘Unë nuk merrem me politikë’? Nuk e di në çfarë momenti të historisë së Shqipërisë doli në modë fjala ‘nuk merrem me politikë’ dhe shqiptarët ia lanë vendin në dorë atyre që e urrejnë këtë vend, duke menduar se të mos merresh me politikë është diçka e mirë, dhe Shqipëria i takon atyre që e vjedhin, e shkatërrojnë dhe e pushtojnë.
Çfarë do të ndodhte sikur shqiptarët e Kosovës, që i sollën pavarësinë dhe shpallën Kosovën shtet, bashkë me familjen Jashari, do të thoshin: ‘Unë nuk merrem me politikë’? Në qoftë se Ibrahim Rugova do të thoshte: ‘Unë nuk merrem me politikë’, a e kuptoni ku do të ishim sot? Nuk do kishim fare Shqipëri.
Po ne që na kanë pushtuar jo të huajt, po na kanë pushtuar shqiptarët vetë – do t’ia lëmë dorën atyre? Të rrimë ne dhe të marrim rrugët e botës në emigrim, sepse nuk merremi me politikë, ndërsa ata shkatërrojnë dhe vjedhin Shqipërinë? Të rrimë ne dhe të na vendosin barriera për të shkuar në det, në mal, në rrugët e Shqipërisë? Të na vënë ushtarë nëpër rrugët e shtetit tonë, sepse ne nuk merremi me politikë? Të na ndryshojnë gjininë e fëmijëve tanë, të na marrin dhe të na vjedhin fëmijërinë e vendit tonë, me hormone, sepse ne nuk merremi me politikë?
Duhet të kthehemi te rrënja e fjalës ‘politikë’, që është qytetaribërje. Duhet të kthehemi te kuptimi i vërtetë i saj, te shembulli i këtyre njerëzve që kanë bërë politikë. Një prej tyre është dhe Partia Demokratike. Në qoftë se ata që e themeluan Partinë Demokratike do të kishin thënë në ’90-ën: ‘Ne nuk merremi me politikë’, ku do të ishte sot Shqipëria? Do kishim vazhduar akoma me Partinë Komuniste.
Jo, ne do merremi me politikë dhe unë i ftoj të gjithë shqiptarët që të afrohen dhe të kontribuojnë realisht në këtë luftë. Të afrohen te Partia Demokratike, ose në qoftë se nuk duan të përfshihen te Partia Demokratike, të rrinë pranë saj, të japin kontributin e tyre me vepra dhe jo me fjalë. Në qoftë se vërtet e duan të mirën e Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike, nuk do e kritikojnë nga larg, por do të futen këtu, të përfshihen dhe të japin shembullin e tyre, duke vënë emrin e tyre.
Në qoftë se nuk ju pëlqen Partia Demokratike, në qoftë se nuk ju pëlqen lideri i saj, ose nuk doni të afroheni, atëherë na jepni një zgjidhje dhe largohuni. Po ama na jepni zgjidhje, jo mendime. Shqipëria do të shpëtojë gjithsesi – këtë e ka treguar historia. Shqipërisë do t’i lindin gjithmonë njerëz që e duan këtë vend, dhe këta njerëz do të marrin gjithmonë nga mbrapa pjesën e popullsisë që është e përgjumur, e fjetur apo në kafene.
Por çështja është: me sa kosto do të ndodhë kjo? Sa më shpejt të afrohemi të gjithë këtu, të bëhemi një front i përbashkët opozitar, aq më shumë shkatërrim do i kursejmë Shqipërisë.
Unë dua ta mbyll me disa vargje të Himnit Kombëtar, që komunistët i hoqën, sepse ata gjithmonë mendojnë se duke hequr fjalët fshijnë historinë. ‘Se Zoti vetë e tha me gojë, që kombe shuhen përmbi dhé, po Shqipëria do të rrojë; për të, për të luftojmë ne.’
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Kryeprokurori italian, Nicola Gratteri: Kullat e Tiranës, pastrimi i parave të mafies!

Bumi i ndërtimeve dhe ngritja e pandalshme e kullave në Tiranë kanë ngritur prej kohësh …