Fjala e Grigels Muçollarit, në prezantimin e platformës së dixhitalizimit të PD
Sot jam këtu për të prezantuar një platformë. Në një periudhë ndryshimesh të mëdha, me risi të përditshme, sidomos në teknologji dhe komunikim, është vendimtare që ne t’i përgjigjemi dhe adaptohemi në këtë rrjedhë të madhe kohës. Duke falenderuar grupin e mandatuar nga kryesia, i cili në bashkëpunim me konsulencën e ekspertëve të Institutit Republikan Ndërkombëtar, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju prezantoj V-Platform. Platforma e Partisë Demokratike për organizimin, komunikimin dhe angazhimin politik të së ardhmes. V vjen nga Victory dhe është simbol që ka shoqëruar që në ditët e para të pluralizmit Partinë Demokratike. Është simboli i fitores, i lirisë të demokratëve.
Është simboli që rrëzoi diktaturën në vitet ’90. Sot ne i japim këtij simboli edhe një dimension tjetër. Voice, Vision, Victory. Voice si zëri i qytetarëve, Vision si vizioni i Partisë Demokratike për qytetarë të barabartë nën Bashkimin Europian, dhe Victory si fitorja e Partisë Demokratike, e shpallur një fitore e Shqipërisë. Po kaloj më pas tek shtyllat të cilat përbëjnë të gjithë platformën. Atëherë, një parti që dëgjon. Një parti që sheh përpara, një parti që organizohet për të fituar. V-Platform, nuk është një aplikacion i thjeshtë, nuk është një projekt teknologjik, por një infrastrukturë moderne organizative e Partisë Demokratike për dekadën e ardhshme. Teknologjia, inteligjenca artificiale dhe komunikimi dixhital, po ndryshojnë mënyrën se si organizohen partitë sot, si dhe ato komunikojnë me qytetarët dhe se si marrin vendime. Partia Demokratike do të jetë pjesë e këtij transformimi, jo për të ndjekur modën, por për të qenë më pranë njerëzve, më efektiv në organizim dhe më të përgatitur në sfidat e së ardhmes.
V-Platform është hapi ynë në këtë drejtim. Komunikimi. Në zemër të platformës do të jetë komunikimi. Një mjedis i vetëm ku çdo strukturë do të ketë akses në mesazhet kryesore të ditës, në talking points, materialet zyrtare, dokumentet, kalendarin e aktiviteteve dhe informacionin organizativ.
Qëllimi është i thjeshtë: të krijojmë një parti që komunikon më shpejt, më qartë dhe më efektivisht.
Objektivat. Partitë moderne nuk ndërtohen vetëm mbi vullnetin, por ato ndërtohen dhe mbi objektiva. Përmes V-Platform, do të kemi mundësinë të përcaktojmë objektiva të qarta për çdo drejtues, për çdo kryetar dege, çdo anëtar kryesie, çdo kryetar seksioni. Dhe patjetër, mund të masim progresin në çdo nivel të organizimit. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje organizimi, por është mënyra më e mirë për ta kthyer energjinë dhe angazhimin në rezultate konkrete.
Meritokracia të dashur demokratë. Një parti e djathtë duhet të jetë shembull e meritokracisë. Përmes platformës do të evidentohen dhe regjistrohen kontributi i gjithësecilit, puna, angazhimet, rezultatet. Që do të thotë çdo anëtar, çdo drejtues në çdo moment ka të regjistruar rezultatet, angazhimet dhe punën e tij. Kjo do të krijojë një kulturë ku kontributi bëhet i dukshëm dhe ku çdo demokrat do të ketë mundësi të ecë përpara falë meritës së tij. Inteligjenca artificiale. Po hyjmë në epokën e inteligjencës artificiale dhe V-Platform do të na lejojë të përdorim teknologji për monitorimin e mediave, për analizën e rrjeteve sociale, për identifikimin e temave që shqetësojnë qytetarët dhe kuptimin më të mirë të opinionit publik dhe më të shpejtë. Teknologjia nuk e zëvendëson politikën të dashur miq, por ajo na ndihmon të jemi më pranë dhe më shpejt me realitetin.
Dëgjimi i qytetarëve. Demokracia nuk është vetëm të flasësh, ajo është edhe të dëgjosh. Përmes V-Platform, do të krijohen mekanizma të rinj, konsultimi me anëtarësinë, simpatizantët, profesionistët dhe qytetarët. Dhe ky proces jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por në mënyrë periodike gjatë gjithë vitit. Kjo do të ndihmojë të ndërtojmë politika më afër nevojave reale të njerëzve. Vendimmarrja mbi të dhënat. Partitë moderne sot marrin vendime bazuar mbi të dhënat. Informacioni është një nga asetet më të rëndësishme në organizatat moderne dhe platforma do të krijojë mundësi të reja për analizë, raportim dhe planifikim. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë territorin, prioritetet dhe sfidat që kemi përpara. Organizimi dhe mobilizimi. Në fund, çdo ide politike mund të shndërrohet në veprim.
V-Platform do të ndihmojë koordinimin e aktiviteteve, të fushatave dhe organizimit territorial. Që çdo strukturë e Partisë Demokratike të jetë e lidhur, më aktive, më e përgatitur.
Dhe në përfundim të dashur demokratë, përpara se t’ju ftoj të aprovoni përdorimin e kësaj platforme moderne për të gjithë Partinë Demokratike, po ju them që V-Platform është më shumë se një platformë. Ajo është një vizion. Është një vizion për një Parti Demokratike më moderne, më të organizuar, më meritokratike, më pranë anëtarëve, më pranë qytetarëve, dhe më të përgatitur për të ardhmen. Sepse fitoret e së nesërmes duhet t’i ndërtojmë sot. V-Platform: Voice, Vision, Victory. Ju ftoj të votoni platformën e demokratëve, platformën që e kthen Partinë Demokratike në një organizatë moderne të drejtuar drejt organizimit dhe drejt arritjeve të rezultateve. Ju faleminderit!
Gazeta RD