Kele: AKSHI, Smart City dhe ‘Dielli, kjo është teknologjia e propagandës dhe e milionave euro pa transparencë

Fjala e Denisa Kele, departamenti AI

Të nderuar delegatë, miq dhe demokratë. Sot qëndroj përpara jush jo vetëm si drejtuese e Departamentit të Teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, por si një grua, si një qytetare që beson me gjithë shpirt se Shqipëria meriton më shumë. Ajo meriton më shumë drejtësi, më shumë transparencë, por mbi të gjitha, meriton të mos vihet në turp në emër të inovacionit.
Teknologjia është pushtet. Është mënyra se si qytetari merr shërbimin, si mbrohet nga mashtrimi dhe si merr pjesë në demokraci. Prandaj pyetja nuk është: a do ta përdorim inteligjencën artificiale? Pyetja është: për çfarë do ta përdorim? Për qytetarin apo për propagandë?
Dhe çfarë kemi parë deri më sot nga kjo qeveri? Projekti “Smart City”, 118.5 milionë dollarë borxh publik. Kontratë e lidhur pa garë, pa tender ndërkombëtar. Agjencia AKSHI, 19 milionë euro të shpenzuara për internet institucional nga viti 2023 deri në vitin 2025. “Dielli”, avatari me miliona euro, pa asnjë të dhënë brenda tij. Institucionet janë drejt kolapsit total.
Një faqe interneti nuk është transformim digjital. Një projekt i quajtur inteligjent nuk është inteligjent nëse njerëzit e zgjuar nuk gjejnë vend në të.
Por le të flasim për dhimbjen më të vërtetë. 44 mijë shqiptarë kanë emigruar brenda një viti. 62% e tyre janë nën moshën 35 vjeç. 1 në 3 të rinj shpreh dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria. 1 në 5 synon të mos kthehet kurrë më.
Mendoni për këtë histori, e njohim të gjithë. Një djalë nga qyteti i Elbasanit, me nënën infermiere dhe babain elektricist, punuan 20 vite me sakrifica, me lot të heshtur, për t’i paguar masterin djalit të tyre në Itali. Djali u kthye me diplomë në Inteligjencë Artificiale, me dëshirën për të ndërtuar diçka reale në vendin e tij.
Por çfarë gjeti? Gjeti se posti tashmë ishte zënë. Jo nga dikush me CV më të mirë, por nga dikush me telefonatën e duhur. Gjeti se talenti i tij, për të cilin prindërit humbën gjumin, nuk vlente sa një rekomandim partiak.
Sot ai punon në Berlin. Jo sepse nuk e do Shqipërinë, por sepse Shqipëria, siç është e ndërtuar sot, nuk e deshi atë.
Kjo është humbja jonë më e madhe kombëtare, jo elektorale. Brenda një viti shkollor, 10 mijë nxënës janë larguar nga shkollat. 400 klasa të heshtura, 400 arsimtarë pa nxënës, 400 prindër që nuk presin fëmijët nga shkolla.
Ne duhet të jemi forca që e ndal këtë ikje. Alternativa jonë nuk është thjesht një program politik. Është rruga për të nxjerrë Shqipërinë nga bataku ku ka përfunduar. Është rruga për një shtet që respekton paranë publike, për një administratë që zgjedh meritën, jo kartën e partisë. Për një Shqipëri ku teknologjia i jep qytetarit fuqi, jo ta manipulojë atë.
Në Partinë Demokratike, kryefjala është transparenca. Dhe sot kam vetëm një thirrje për të rinjtë: kthehuni, vendi juaj është këtu! Dhe kësaj radhe, dera hapet me talent.
Asnjë algoritëm nuk e zëvendëson drejtësinë. Asnjë inteligjencë artificiale nuk mund të ndërtojë një shtet, nëse shteti largon njerëzit e tij më të mirë.
Le të jemi partia që i thotë brezit të ri: vend ju kemi lënë! Ua kemi borxh shqiptarëve, ua kemi borxh të rinjve, ua kemi borxh fëmijëve.
Një shtet pa njerëzit e tij më të mirë nuk është shtet, por është vetmi.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Pano: Stop ideologjisë gjinore në shkolla, të rikthehemi tek familja, besimi dhe kombi

Fjala e Jonathan Pano Të nderuar demokratë, të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar, miq e …