Fjala e deputetit të PD, Klevis Balliu
Përshëndetje të nderuar demokratë, të nderuar qytetarë që na ndiqni,
Ky Kuvend Kombëtar nuk vjen sot si një formalitet politik, por si një nevojë jetike për të ngritur një frymë shprese dhe për të nisur një aksion përballë një të keqeje të madhe që ka dëmtuar ekonominë, ka goditur shoqërinë dhe mbi të gjitha ka prekur rëndë rininë dhe brezin e ri.
Gjatë 14 viteve të kësaj qeverie, përmes bashkëpunimit me krimin e organizuar dhe pastrimit të parave të drogës në sektorë si ndërtimi, është krijuar një realitet i deformuar ekonomik. Sot, për herë të parë në rajon, të rinjtë shqiptarë përballen me pamundësinë për të blerë një banesë, për shkak të rritjes artificiale të çmimeve nga paratë e drogës dhe korrupsionit që kanë hyrë në këtë sektor.
Si pasojë e aferave korruptive, janë krijuar gropa të mëdha në buxhetin e shtetit, të cilat nuk lejojnë rritjen e pensioneve dhe pagave dhe nuk i shërbejnë qytetarëve. Në vend të kësaj, rriten vetëm çmimet, duke rënduar më shumë qytetarët më të varfër të Europës.
Në Shqipëri, vendin me qytetarët më të varfër në Europë, shohim njëkohësisht edhe pushtetarët më të pasur në rajon. Kryeministri ynë është i vetmi në rajon që përdor charter privat. Është i vetmi në Europë me prona banimi prej mijëra metrash katrorë. Është gjithashtu i përfshirë në afera ku edhe detaje të thjeshta, si një hapësirë në Kryeministri, përmenden me kosto milionëshe. Kjo qeveri është e përfshirë në skandale si inceneratorët, ku qindra milionë euro të taksapaguesve janë shpenzuar pa rezultate konkrete.
Në këtë situatë alarmante, ky Kuvend na thërret për një aksion politik opozitar, ballor dhe frontal. Fatkeqësisht, institucionet në Shqipëri janë të kapura: sistemi i drejtësisë, media dhe pjesë të shoqërisë civile. Në këtë realitet, i vetmi institucion i lirë që ka mbetur është protesta.
Prandaj, ne duhet të bashkohemi me çdo qytetar që kërkon liri dhe të ndërtojmë protesta madhështore, të forta dhe të drejtpërdrejta kundër një regjimi që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që pengon çdo proces demokratik në vend.
Sot, ky Kuvend ka rëndësi jetike dhe historike. Partia Demokratike, ashtu siç ka triumfuar më parë, do të triumfojë sërish, së bashku me delegatët, strukturat, anëtarësinë dhe qytetarët shqiptarë.
Në aksionin tonë të ardhshëm, ne do të fitojmë dhe do të largojmë të keqen e madhe që përfaqëson Edi Rama.
Partia Demokratike nuk vjen vetëm si opozita e vetme e vërtetë, por edhe me një alternativë të qartë për zgjidhjen e problemeve të vendit. Paratë e vjedhura dhe fondet e përfituara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, do të konfiskohen dhe do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë.
Vazhdojmë përpara.
Bashkë do t’ia dalim. Fitore. Faleminderit!
Gazeta RD