Nga Ndriçim KULLA
Jemi pikërisht tek ai çast në historinë tone politike, kur vetë realiteti duket shumë i lodhur nga maskat e ngritura mbi fytyrën e tij dhe, si një pasqyrë e krisur nga pesha e gënjeshtrës së gjatë, ka filluar të nxjerrë në sipërfaqe jo më pamjen e ngritur me propagandë, por plasaritjet e brendshme të mëdha të njeriut që ka ndërtuar mbi atë dekor gjithë legjendën e tij politike. Dhe pikërisht një nga ato çaste ishte edhe pamja e fundit e mortjes sonë politike në Bruksel, ku vet mortja,njeriu që për vite të tëra është përpjekur të shfaqet si mishërimi modern i shtetit shqiptar, si udhëheqësi iluminist i epokës së re, si “babai i kombit” që do ta fuste Shqipërinë në Evropë mbi shpatullat e veta, u duk më tepër si një figurë e rënduar nga hija e vet, sesa si triumfatori i një fitoreje historike.
Në të vërtetë, drama e madhe e pushteteve të gjata nuk fillon në momentin kur ato rrëzohen, por në çastin kur ato fillojnë të besojnë se propaganda është më reale se vetë realiteti, se fotografia është më e rëndësishme se historia dhe se manipulimi i emocioneve kolektive mund të zëvendësojë përgjithmonë të vërtetën. Atëherë udhëheqësi nis të jetojë brenda një bote artificiale, ku duartrokitjet e oborrit ngatërrohen me dashurinë e popullit dhe ku çdo kritik shihet si armik metafizik i kombit. Në atë pikë kuptohet hapur se ka nisur deformimi i madh shpirtëror, ai që shndërron politikanin në një figurë tragjike, të ngjashme me mbretërit e dramave shekspiriane, të cilët sa më shumë afrohen drejt kulmit të pushtetit, aq më shumë fillojnë të rrëshqasin drejt humnerës së vetmisë dhe deliriumit.
Dhe kjo është arsyeja pse pamja e fundit e Edi Ramës pardje në Bruksel nuk ngjante me portretin e një shtetari që kishte realizuar një fitore historike, por me figurën e një njeriu të konsumuar nga vetë mekanizmi që ka ngritur. Sepse njeriu që ka kaluar vite të tëra duke e paraqitur veten si identiteti i vetëm i Shqipërisë, si ndërmjetësi i vetëm mes shqiptarëve dhe Evropës, nuk mund ta pranojë më idenë se Evropa e mbështet Shqipërinë jo për shkak të tij, por pavarësisht tij; jo për shkak të modelit të tij politik, por për shkak të nevojave të saj strategjike, ekuilibrave të saj gjeopolitikë dhe frikës së saj nga zbrazëtitë ballkanike që historia i ka mbushur gjithmonë me konflikte.
Në këtë kuptim, aprovimi i IBAR-it nuk ishte triumfi personal i një lideri kur ai në fakt është vertetuar si pengesa e madhe , por vazhdimi i një procesi të gjatë evropian, i cili ecën shpeshherë jo sipas idealizmit romantik të etërve themelues të Evropës, por edhe sipas logjikës së ftohtë të interesave strategjike. Dhe pikërisht këtu qëndron tragjikja e farsës sonë politike: mortja jonë korruptive kërkon ta paraqesë çdo lëshim diplomatik të Evropës si vulë morale mbi regjimin e vet, ndërkohë që Evropa, me atë buzëqeshjen e saj burokratike dhe diplomatike, vazhdon ta tolerojë për hir të një stabiliteti që shpesh ngjan më tepër me administrimin e frikës sesa me mbrojtjen e parimeve.
Por problemi më i madh nuk është as Evropa dhe as kompromiset e saj të detyruara historike. Problemi më i madh është deformimi moral që i është shkaktuar shoqërisë shqiptare nga kjo kulturë politike e triumfit të rremë. Sepse për vite të tëra shqiptarëve u është shitur ideja se pushteti nuk matet me standarde, por me spektakël; jo me ndërtimin e institucioneve, por me fotografi; jo me ligjin, por me propagandën; jo me moralin publik, por me aftësinë për të kontrolluar fallcaturën . Dhe kështu, pak nga pak, politika shqiptare filloi të largohej nga modeli evropian i shtetit dhe t’i afrohej modelit oriental të oborrit, ku sundimtari nuk kërkon qytetarë, por besimtarë; nuk kërkon institucione, por servitorë; nuk kërkon debat, por nënshtrim emocional.
Në këtë aspekt, figura e “babait të kombit”të vetë shpallur është ndoshta forma më e rrezikshme e degradimit politik në Ballkan. Historia e këtij rajoni është mbushur me udhëheqës që kanë dashur të jenë më shumë sesa kryeministra apo presidentë; ata kanë dashur të bëhen metafora kombëtare, figura atësore, ndërmjetës mes popullit dhe fatit historik. Dhe çdo herë që ka ndodhur kjo, demokracia ka filluar të vyshket. Sepse demokracia nuk mund të jetojë aty ku një njeri përpiqet të identifikohet me vetë kombin. Në momentin që lideri thotë në heshtje “unë jam shteti”, atëherë opozita nuk shihet më si kundërshtar politik, por si armik ontologjik, si pengesë ndaj vetë ekzistencës së kombit.
Prandaj edhe sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës, edhe në momente që duhej të ishin solemne për shtetin shqiptar, nuk ishin thjesht shenja arrogance politike, por simptoma të një psikologjie pushteti që nuk arrin të jetojë pa konfliktin permanent. Njeriu që ka ngritur gjithë ekzistencën e vet mbi demonizimin e kundërshtarit nuk mund të mbijetojë politikisht pa prodhuar vazhdimisht armiq. Ai ka nevojë për ta mbajtur shoqërinë në një gjendje tensioni moral, ku vetja e tij të duket si e vetmja forcë stabiliteti. Kjo është arsyeja pse edhe në Bruksel, edhe në Davos, edhe në çdo tribunë ndërkombëtare, ai e tërheq gjithmonë me vete konfliktin shqiptar si një hije personale, sepse pa atë konflikt do të binte iluzioni i “shpëtimtarit”.
Por në të gjitha dramat politike ekziston një moment kur propaganda fillon të humbasë fuqinë e saj hipnotike dhe pushteti nis të duket i lodhur nga vetvetja. Pikërisht ky është çasti që po jeton sot mortja jonë politike. Ai ende përpiqet të fluturojë mbi realitetin me retorikë triumfaliste, ende kërkon fotografi ndërkombëtare për të ushqyer legjendën e vet, ende kërkon të paraqitet si njeriu që i hapi Shqipërisë dyert e Evropës, por ndërkohë vetë hija e tij është bërë më e rëndë sesa propaganda që prodhon.
Sepse ai e di shumë mirë se negociatat me Europën nuk janë fundi i rrugës, por fillimi i gjyqit të vërtetë të shtetit shqiptar për çfarë ka bërë. Dhe ky gjyq nuk zhvillohet më me fjalime apo me konferenca shtypi. Ai zhvillohet përballë 32 kushteve të panegociueshme që kërkojnë diçka krejt tjetër nga ajo që ka ndërtuar regjimi i tij: kërkojnë institucione të lira, drejtësi reale, konkurrencë ekonomike, transparencë, media të pavarura, kufizim të pushtetit, ndarje të vërtetë të shtetit nga propaganda dhe fundin e kulturës së sundimit personal.
Në thelb, Evropa nuk i kërkon Shqipërisë vetëm reforma administrative. Ajo i kërkon asaj të ndryshojë psikologjinë e pushtetit. Dhe pikërisht këtu fillon pamundësia e madhe e mortjes sonë korruptive. Sepse si mund ta ndërtojë shtetin ligjor një pushtet që është ngritur mbi kontrollin e institucioneve? Si mund ta pranojë transparencën një regjim që mbijeton nga mjegulla propagandistike? Si mund ta mbrojë konkurrencën një sistem që ka prodhuar oligarki politike dhe ekonomike? Si mund ta pranojë lirinë një lider që e ka identifikuar kritikën me tradhtinë?
Kjo është arsyeja pse triumfi i fundit ngjan më tepër me një fitore pirrike. Ashtu si Pirroja i Epirit, që pas çdo beteje fitimtare humbiste aq shumë sa fitorja fillonte të ngjante me humbje, edhe “babai i kombit” po hyn në fazën kur çdo sukses propagandistik i kushton më shumë konsum moral, më shumë zbrazëti dhe më shumë largim nga realiteti. Ai mund të fitojë ende fotografi, konferenca dhe tituj mediatikë, por po humbet ngadalë substancën morale që i jep kuptim një shteti demokratik.
Dhe ndoshta tragjedia më e madhe nuk është vetë figura e tij, por fakti se Shqipëria vazhdon të endet mes Evropës si ide dhe Ballkanit si mentalitet. Sepse Evropa nuk është vetëm një destinacion politik; ajo është një kulturë kufizimi të pushtetit. Ndërsa Ballkani, në deformimin e vet më të keq historik, vazhdon të prodhojë figura që kërkojnë të sundojnë jo përmes institucioneve, por përmes psikologjisë së turmës.
Por historia është gjithmonë më e pamëshirshme se propaganda. Ajo i zhvesh liderët nga dekoratat e momentit dhe i lë vetëm përballë gjurmës që kanë lënë mbi kombin e tyre. Dhe kur të bjerë mjegulla e këtij tranzicioni të gjatë shqiptar, kur të shuhen dritat e spektaklit politik dhe të veniten fotografitë e triumfeve të rreme, pyetja që do të mbetet nuk do të jetë sa samite fitoi “babai i kombit”, por çfarë shteti u la shqiptarëve; nëse u ndërtua një republikë qytetarësh të lirë apo një teatër i gjatë ku një njeri kërkoi të luante rolin e kombit vetë.
Gazeta RD