Deputetja e PD, Albana Vokshi nga Kuvendi ka denoncuar gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një krizë të thellë dhe emergjencë kombëtare.
Ajo tha se pacientët, veçanërisht ata me sëmundje të rënda si kanceri, përballen me mungesë barnash jetike, aparaturash diagnostikuese që nuk funksionojnë dhe vonesa të gjata në analiza e trajtime.
Sipas saj, shumë qytetarë detyrohen të drejtohen te privatët duke shpenzuar shuma të mëdha parash për të marrë shërbime që duhet të ofrohen nga shteti.
Vokshi akuzoi qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe devijim të fondeve publike, duke theksuar se prioritetet në shëndetësi janë larg nevojave reale të qytetarëve.
Fjala e plotë
Faleminderit z. Kryetar.
Të nderuar qytetarë,
Sot dua të flas për të drejtën për jetë. Për të drejtën për shëndet. Për të drejtën e çdo shqiptari për t’u trajtuar me dinjitet kur sëmuret.
Do të flas për qindra burra, gra, fëmijë e të moshuar që çdo ditë hyjnë në spitalet tona me shpresën për të gjetur shërim dhe dalin prej andej me më shumë ankth, stress, më shumë vuajtje shpesh pa trajtimin që u nevojitet.
Do të flas për një sistem shëndetësor që është rrënuar nga korrupsioni, propaganda, vjedhja dhe keqmenaxhimi.
Ndërsa Edi Rama shfaqet në televizione dhe deklaron duke mashtruar se barnat janë siguruar, realiteti në spitale është krejt tjetër.
Realiteti është mungesa e medikamenteve jetike për pacientët me kancer.
Realiteti është mungesa e aparaturave ose mosfunksionimi i tyre.
Realiteti është mungesa e mjekëve specialistë dhe infermierëve.
Realiteti janë muaj të tërë pritjeje për analiza dhe diagnostikime që në vendet normale kryhen brenda pak ditësh.
Realiteti janë pacientët që detyrohen të trokasin në dyert e klinikave private, të shesin kursimet, të marrin borxhe dhe të sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar jetën e tyre ose të njerëzve të dashur.
Sepse sëmundja nuk pret.
Dhe shumë herë pritja vret.
Në Onkologjik kanë munguar për periudha të gjata barna jetike për trajtimin e kancerit (Ka munguar per nje kohe te gjatë: Goserelina, Acidi folinic, Etoposit). Ditë që kanë munguar edhe 7 medikamente të onkologjiku
Shërbime dhe aparatura të domosdoshme diagnostikuese e terapeutike kanë dalë jashtë funksionit (brakiterapi, petskan etj).
Analiza nuk behen pas datës 15 – 20 të muajit. Pacientët presin me javë e muaj për analiza, biopsi dhe trajtime që përcaktojnë fatin e jetës së tyre.
Në spitale janë raportuar reagentë të skaduar (Durrës). KLSH në një raport ka ngritur alarmin për përdorimin e barna në një system të pakontrolluar illegal por edhe të skaduara.
Aparatura të blera me paratë e taksapaguesve nuk vihen në funksion ose lihen të amortizohen. Pse? Që t’I drejtohen privatit për ekzaminime që shkojnë edhe 30 mije euro – e as që bëhet fjalë për rimbursim!
Dhe për këtë askush nuk mban përgjegjësi.
Ky nuk është më thjesht keqadministrim. Është një emergjencë kombëtare.
Sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e qytetarëve.
E si për ironi të fatit, ndërkohë që pacientët luftojnë për mbijetesë, qeveria ka vendosur prioritete të tjera.
Ka vendosur të financojë edhe terapi hormonale feminizuese dhe maskulinizuese.
Nuk kam asgjë kundër asnjë individi dhe asnjë zgjedhjeje personale. Çdo qytetar meriton respekt për zgjedhjet që bën.
Por kur burimet janë të kufizuara dhe sistemi shëndetësor është në kolaps, prioriteti i parë i shtetit duhet të jetë shpëtimi i jetës.
Prioritet duhet të jenë fëmijët me leuçemi.
Prioritet duhet të jenë pacientët me kancer.
Prioritet duhet të jenë të sëmurët kronikë.
Prioritet duhet të jenë qytetarët që nuk marrin dot trajtimin bazë në spitalet publike.
Ky është detyrimi themelor i çdo qeverie!
Sepse shëndetësia nuk është laborator eksperimentesh ideologjike.
Shëndetësia është çështje jete ose vdekjeje.
Të nderuar qytetarë,
Problemi i shëndetësisë shqiptare nuk është mungesa e parave.
Problemi është devijimi i prioriteteve e rrjedhimisht fondeve të buxhetit drejt axhendave personale.
Kur një qeveri nuk garanton barna, aparatura, mjekë dhe trajtime për njerëzit që luftojnë për jetën, kur pacientët lihen pa shërbim dhe pa shpresë, ndërsa fondet publike shpërdorohen për interesa të tjera, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një dështim politik.
Kemi të bëjmë me një përgjegjësi të rëndë morale, institucionale dhe humane.
Sepse detyra e parë e shtetit është të mbrojë jetën. Dhe kur shteti dështon të mbrojë jetën e qytetarëve të vet, ai ka dështuar në misionin e tij më themelor.
Ndaj sot i bëj thirrje çdo deputeti, majtas apo djathtas:
Mos heshtni përballë kësaj masakre.
Mos heshtni përballë vuajtjes së pacientëve.
Mos heshtni përballë një sistemi që po u mohon shqiptarëve të drejtën më themelore – të drejtën për të jetuar.
Sepse përballë jetës dhe vdekjes nuk duhet të ketë parti.
Duhet të ketë vetëm ndërgjegje.
Ftoj cdo qytetar që e do familjen e do veten i do fëmijët, e do jetën
Sot në 18.00 te shëshi Skenderbej për të mashuar të gjithë drejt Ministrisë së Shëndetësisë
Faleminderit!
Gazeta RD