Dekalogu i keq-qeverisjes së Ramës dhe Zvërneci

Nga Bujar Leskaj

Si qytetar i këtij vendi dhe deputet i Vlorës, dënoj me forcë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec. Në një shtet ligjor nuk mund të ketë justifikim për sulme fizike, fyerje, kërcënime apo forma të tjera agresioni ndaj protestuesve paqësorë. Çdo person ose grup që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve duhet të identifikohet dhe të përballet me pasojat më të rrepta ligjore të veprimeve të tij.
Arrestimet ose pushimet nga puna në policinë private apo në atë të Shtetit janë thjesht dhe vetëm masa për t’u shfajësuar, për t’u larguar nga një objektiv më i lartë, që është arroganca kryeministrore!
Denoncoj qëndrimin e qarqeve politike dhe mediatike greke, sipas të cilave, fshati shqiptar Zvërnec është i banuar nga minoritarë me kombësi greke?! Gjykoj se është diçka e shëmtuar përdorimi i një ngjarjeje të veçantë, si dhuna në Zvërnec, për të mbështetur pretendime politike ose historike të pabazuara, që nuk përputhen me realitetin demografik dhe juridik të zonës.
Zvërneci është një nga fshatrat më të njohur të zonës së Vlorës, me një histori të dokumentuar shqiptare ndër shekuj. Ai njihet për manastirin e Shën Mërisë, për traditat vendase, për kulturën dhe për lidhjen e tij të pandërprerë me zhvillimet historike të krahinës së Labërisë dhe të Vlorës. Regjistrimet historike, dokumentet osmane, statistikat e periudhave të ndryshme dhe studimet akademike nuk kanë asgjë të përbashkët me klasifikimin e gabuar dhe të pabazë të Zvërnecit, si një nga zonat tradicionale të minoritetit grek në Shqipëri.
Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec është pasojë dhe përgjegjësi e rëndë e drejtpërdrejtë e Dekalogut të keq-qeverisjes së Ramës.

I. Rama, gjeneratori i përplasjes sociale dhe i mungesës së transparencës

Cili ka krijuar në Shqipëri kushtet e mungesës së transparencës, të përplasjes sociale dhe të mosinformimit të qytetarëve? Ky është Edi Rama, kryetari i sektit në qeverisje.
Reagimet e tij të sotme duken më shumë si përpjekje për të justifikuar veten, sesa për të dhënë llogari. Rama duhet t’u japë llogari qytetarëve se pse ka gjeneruar ndryshimet ligjore në ligjin për zonat e mbrojtura, që sollën përplasjen në Zvërnec. Duhet të përgjigjet për pasojat që këto ndryshime ligjore kanë sjellë në terren.
Në përplasjen më 30 maj në Zvërnec, nuk mund të fajësohen kurrsesi banorët, që mbrojnë pronën e tyre të trashëguar dhe kërkojnë të drejtën e tyre për vendimmarrje mbi territorin. Nga ana tjetët, nuk mund të fajësohet as investitori, kushdo qoftë ai, pasi çdo subjekt ekonomik kërkon të ushtrojë aktivitetin e tij, brenda kornizave që i krijon shteti dhe kontratave të ligjshme që ka nënshkruar.
Nuk mund të fajësohen as shoqatat mjedisore, të cilat kërkojnë vetëm mbrojtjen e një pasurie publike që i përket të gjithëve.
Fajësia ka një adresë politike. Fajtori i vetëm është sekti Rama në pushtet, që ka bërë që Shteti të mungojë në transparencë dhe vendimmarrje të qartë. Me valën e arrestimeve apo pushimeve nga puna në polici, Rama nuk mund të fshihet si fsheh struci kokën në rërë. Përgjegjësia e rëndë dhe e plotë bie mbi modelin e qeverisjes së Edi Ramës.

II. Ligjet e qepura me dorë

Modeli i Ramës është ai i ligjeve të qepura me dorë, duke deformuar masivisht tregun, demotivuar bizneset e ndershme dhe shkaktuar emigrimin edhe të sipërmarrësve të vendit. Sipas Transparency International dhe SELDI, Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim, Shqipëria nxin në rajon dhe më tej, për ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim ligjin për Teatrin Kombëtar, ligjin për Mediat Audiovizive, ligjin për Lojërat e Fatit, për Lotarinë Kombëtare, ligjin për Koncensionet dhe PPP-të, për autostradën Milot-Balldre, për kompaninë Air Albania, etj.

III. Ligji famëkeq 2020

Ligji 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë cënon haptazi parimin kushtetues të shtetit të së drejtës, cënon parimin e sigurisë juridike në lidhje me ushtrimin e të drejtave të pronësisë me të gjitha tagrat e saj, parimin e barazisë përpara ligjit, si dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike.
Me këtë krijesë ligjore monstruoze, askush nuk mund të përcaktojë, të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private, e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme, pjesë e “vijës bregdetare”, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejtë pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj.
Në të kundërt, në mungesë të një studimi të mirëfilltë teknik për të përcaktuar me material hartografik të gjithë atë pasuri të paluajtshme që konsiderohet si “bregu i detit” përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit, sekti Rama ka realizuar abuzime të mëdha. Gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si bregu i detit, ka pësuar në këto shtatë vite të veprimit të këtij ligji deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cënimin e pronës publike dhe asaj private, si dhe të paqes sociale, sikurse ndodhi në Zvërnec këto ditë, dhe më parë në Rrjollë të Shkodrës.
Ligji 20/2020 sanksionon një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi, mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar. Ai krijon pafund hapësirë që pronat publike të ndryshojnë thelbësisht destinacionin e tyre, nëpërmjet tjetërsimit pa afat në shërbim dhe për interes të enteve private, duke cënuar edhe nivelin e përdorimit masiv të saj nga publiku i gjerë. Asnjë parashikim në këtë ligj nuk ofron një mekanizëm garantues që entet private të mos abuzojnë me këtë të drejtë që i njeh ligji për të fituar përdorimin e pasurisë publike sipas këtij ligji, apo për mënyrën se si ata në praktikë do ta shfrytëzojnë atë.

IV. Ligji për Investitorin Strategjik

Sekti Rama miratoi në dhjetor 2025 në Kuvend shtyrjen e gjashtë të afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë!
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”. Në raportin e klimës së investimeve për vitin 2023, DASH theksoi se ligji Nr. 55/2015 për Investimet Strategjike nuk ka tërhequr investime të huaja, ndërkohë që nga 52 projekte të miratuara, të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik, vetëm 2 janë të huaja.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime abuzive, nga njerëz të afërt me Ramën dhe sektin e tij në qeverisje.

V. Rama kërkon t’ua shesë tokën bujqësore të huajve!

Në një kohë kur shumica e vendeve Anëtare të BE-së vendosin kufizime për blerjen e tokës nga të huajt, aplikojnë filtra mbrojtës për tokën bujqësore dhe mbrojnë fermerin vendas dhe sigurinë ushqimore, sekti Rama përgatitet t’u japë 100 mijë ha tokë bujqësore të huajve, pasi Shqipëria të anëtarësohet në BE.
Ky projektligj po diskutohet, në një kohë kur toka bujqësore po braktiset masivisht, emigracioni rural është shumë i lartë, prodhimi bujqësor dhe blegtoral vendas përballet me konkurrencë të. Toka bujqësore nuk është thjesht mall tregu, por pasuri strategjike kombëtare, element sigurie ushqimore dhe aset me rëndësi gjeopolitike. Ekziston i plotë rreziku që kompani të huaja investuese, korporata agroindustriale favorite të Ramës dhe spekulantë të tregut imobiliar të blejnë sipërfaqe shumë të mëdha toke, duke ndryshuar strukturën tradicionale të pronësisë në Shqipëri.
Ekziston po ashtu i plotë edhe rreziku që toka të mos blihet për prodhim bujqësor, por për spekulim financiar, rritje të çmimeve dhe për projekte turistike apo ndërtimore të maskuara. Në zonat bregdetare dhe pranë qyteteve të mëdha, toka bujqësore ka vlerë shumë të lartë zhvillimi urban, potencial turistik dhe interes për resorte dhe vila. Me dhjetra mijëra ha sot tokë bujqësore mund të denatyralizohen në këtë mënyrë, duke dalë gradualisht nga funksioni bujqësor.
Në kushtet kur tek ne mungojnë kufijtë ligjorë, krijimi i monopoleve të mëdha të tokës do të sjellë që pak kompani me ndikim tek Rama të kontrollojnë sipërfaqe shumë të mëdha, ndërsa fermerët e vegjël do të dalin përfundimisht nga tregu dhe konkurrenca do të deformohet akoma dhe më keq. Kjo do të krijojë pabarazi akoma dhe më të mëdha sociale në zonat rurale, varësi ekonomike të komuniteteve lokale dhe tensione sociale afatgjata.

VI. Programi mafioz “Paketa e Maleve”

Ligji i miratuar për këtë program duhet abroguar sa më parë. Shqipëria mbart prej dekadash ndër problemet më të ndërlikuara të pronësisë në rajon, të tilla si (i) mbivendosje e titujve të pronësisë, (ii) legalizime të pjesshme, (iii) kthim dhe kompensim prone thellësisht i papërfunduar, (iv) konflikte trashëgimie dhe (v) mungesë regjistrash të plotë kadastralë.
Në këtë kontekst, çdo skemë që hap mundësi për përdorim, transferim apo dhënie në zhvillim të tokave krijon rrezik të lartë konfliktesh, nëse statusi juridik nuk është i qartë. Dhe pronat në zonat malore janë ato me paqartësi ekstreme të gjendjes juridike.
Nëse programi Paketa e Maleve do të zbatohet, sipërfaqe të mëdha në zona malore do të kalojnë de facto nën kontrollin e investitorëve ose subjekteve me kapital më të fortë, favoritë të sektit Rama në pushtet, ndërsa komunitetet lokale do të humbasin kontrollin ekonomik mbi territorin. Kjo do të sjellë dobësim të pronarëve të vegjël, ulje të fuqisë negociuese të banorëve lokalë dhe përqendrim të aseteve strategjike të vendit në pak duar.
“Paketa e Maleve” do të aktivizojë toka me status të paqartë pronësie ose me pretendime të shumta. Kjo do të sjellë përplasje mes pronarëve historikë dhe përdoruesve aktualë, konflikte të thella mes familjeve dhe trashëgimtarëve dhe procese të gjata administrative dhe gjyqësore. Në mënyrë paradoksale, ajo do të paralizojë edhe ato pak investime private që po realizohen në mënyrë spontane sot në malet tona. Duke përfshirë toka në projekte pa zgjidhje paraprake të pronësisë, Paketa e Maleve do të shumëfishojë konfliktet mes familjeve dhe trashëgimtarëve, mes komuniteteve dhe investitorëve, si dhe mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore.
Në zonat malore toka nuk është vetëm aset ekonomik, por edhe identitet familjar, trashëgimi dhe burim jetese. Paketa do të krijojë presione të forta, me banorët që do të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, ose të kërcënuar nga humbja e aksesit mbi kullota, pyje apo toka me përdorim tradicional.
Çdo ndërhyrje që prek tokat private, kullotat, pyjet dhe pronat familjare të trashëguara, ka rrezik të lartë të aktivizojë konflikte të fjetura prej vitesh ose dekadash. Përplasjet mes komuniteteve dhe investitorëve të miratuar nga Paketa, me projekte që avancojnë pa konsultim real me komunitetet lokale, do të sjellin një tension social të skajshëm. Në vend të zhvillimit ekonomik, programi mafioz “Paketa e Maleve” do të prodhojë polarizim ekstrem social dhe vëllavrasje!

VII. Ndryshimet abuzive në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Më 22 shkurt 2024, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për dëshirat-ligje të sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.
Ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura të vitit 2017 përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre. Këto ndryshime abuzive dhe mafioze sollën sot situatën me Zvërnecin.

VIII. Jo investimeve për resorte turistike në Shqipëri nga kompani offshore, ku nuk dihet pronari!

Shqipëria ka nevojë për investime serioze, të qëndrueshme dhe transparente në sektorin e turizmit. Bregdeti shqiptar, zonat malore dhe pasuritë natyrore përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Megjithatë, zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi mungesën e transparencës. Për këtë arsye, investimet në resorte turistike nga kompani offshore, ku nuk dihet qartë pronari përfitues, duhet të trajtohen me kujdes maksimal dhe të mos lejohen, pa transparencë të plotë.
Në ekonomitë moderne, identifikimi i pronarit përfitues është një standard i domosdoshëm. Qytetarët, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë kanë të drejtë të dinë se kush qëndron pas një investimi që prek territore të mëdha, pasuri publike, bregdetin apo zonat e mbrojtura.
Kur një kompani është e regjistruar në juridiksione offshore dhe pronarët e saj mbeten të fshehur pas një rrjeti kompanish ndërmjetëse, lindin pyetje legjitime se kush po investon realisht, cila është origjina e kapitalit, cilat janë interesat afatgjata të investitorit dhe a ekzistojnë konflikte interesi apo lidhje të padeklaruara.
Një nga shqetësimet më të mëdha, lidhet me mundësinë e përdorimit të investimeve të mëdha në pasuri të paluajtshme për pastrimin e parave. Organizata ndërkombëtare si FATF, OECD dhe Bashkimi Europian kanë kërkuar prej vitesh forcimin e mekanizmave të transparencës, për të parandaluar hyrjen e kapitaleve me origjinë të dyshimtë në sektorët strategjikë të vendit. Nëse nuk dihet pronari i vërtetë i një resorti, bëhet shumë më e vështirë verifikimi i burimit të fondeve dhe kontrolli i ligjshmërisë së tyre.
Bregdeti shqiptar dhe zonat turistike nuk janë thjesht prona ekonomike; ato janë pasuri kombëtare. Vendimet për përdorimin e tyre duhet të bazohen në interesin publik. Në procesin e integrimit europian, Shqipëria është e detyruar të forcojë luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe mungesës së transparencës në ekonomi. Një politikë që kërkon publikimin e pronarit përfitues për çdo investim strategjik do të ishte në përputhje me praktikat më të mira europiane. Dhe kjo nuk do të thotë refuzim i investimeve të huaja. Përkundrazi, do të thotë favorizim i investitorëve seriozë dhe të besueshëm, të cilët nuk kanë arsye të fshehin identitetin e tyre.

IX. Politikat e rrezikshme imigratore të Ramës me muxhahedinë dhe afganë

Politikat e emigracionit dhe të pranimit të grupeve të huaja janë ndër çështjet më të ndjeshme për çdo shtet. Në Shqipëri, strehimi i anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) dhe pranimi i qytetarëve afganë pas rikthimit të talebanëve në pushtet, janë, sa aventureske po aq edhe të rrezikshme, pasi krijojnë sfida për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe kapacitetet institucionale të vendit.
Pranimi i grupeve të mëdha të huaja kërkon mekanizma shumë të fortë kontrolli, verifikimi dhe monitorimi, në një kohë kur jemi një vend me burime të kufizuara administrative dhe të sigurisë.
Prania e MEK saj në Shqipëri mund ta ekspozojë vendin tonë ndaj tensioneve dhe kërcënimeve të jashtme. Ne rrezikojmë të përfshihemi në konflikte ose rivalitete që nuk lidhen drejtpërdrejt me interesat tona kombëtare. Jemi shtet i vogël dhe nuk na duhen “trimëritë” aventureske të “Liderit Global”, por duhet të tregojmë kujdes të veçantë, për të mos u bërë pjesë e tensioneve gjeopolitike që zhvillohen jashtë rajonit.

X. Ligjet e qepura të Ramës: kanalizimi i parasë publike dhe pasurive të shqiptarëve tek një grusht njerëzish të lidhur me të!

Ligjet e sektit qeverisës për pronat dhe investimet gjoja strategjike, për koncesio0net apo PPP-të, janë në fakt detyrime kontraktuale të Ramës, ndaj sistemit abuziv dhe të korruptuar që e mban në pushtet. Mjafton të kujtojmë aferat e inceneratorëve apo të sterilizimit në mjekësinë publike. Jane sprova afatgjata, për të kanalizuar paranë publike, madje edhe pasuritë publike të shqitarëve, drejt një grushti njerëzish të lidhur me të.
Ligje si ai me Nr. 20/2020 apo ligji për Investitorët Strategjikë, janë instrumenta, me anën e të cilëve, prona publike dhe private u merret qytetarëve, gjoja për interes publik, dhe u jepet bizneseve apo trafikantëve me kapitale të mëdha, të lidhur me qeverinë. Kjo simbioze prodhon për Ramën financimin e makinerisë së tij elektorale, përmes së cilës ai mendon se simbioza i garanton pushtet të përjetshëm. Veçse e mendon gabim!

About Redaksia

Check Also

Presidenti i Komisionit Europian “shuplakë” Ramës për Ballukun: Luftoni korrupsionin!

Presidenti i Komisionit Europian,Antonio Costas ndodhet sot në Tiranë, ku pas takimit me kryeministrin Edi …