“Edi Rama, nuk ke parë gjë akoma”!

Nga Franci NURI

Edi Ramës po i djeg. Dhe po i djeg shumë më tepër sesa po përpiqet të tregojë.

Fillimisht mendoi se ishte thjesht një protestë për Zvernecin. Më pas mendoi se ishte një reagim i kufizuar kundër betonizimit të bregdetit. Pastaj tentoi ta paraqiste si një lëvizje të organizuar nga opozita, nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm imagjinar, iranian, grek, sllav, antisemit e çfarëdo etikete tjetër që pushteti përdor sa herë përballet me revoltën qytetare. Mendoi se do të ishte një histori që do të zgjaste vetëm pak ditë, si flaka e kashtës.

Por jo.

Edi Rama nuk e ka kuptuar ende se çfarë po ndodh realisht.

Sepse protesta po ndryshon natyrë. Po evoluon. Po kalon nga një revoltë kundër një projekti të caktuar lokal në Jug të vendit, në një revoltë të mirëfilltë kundër një modeli keqqeverisjeje që ka më shumë se 13 vite në pushtet.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi i madh për Edi Ramën.

Demokratë në protesta ka pasur që ditën e parë. Kjo nuk përbën lajm. Opozita ka protestuar për vite me radhë kundër kësaj qeverie, edhe në kohët kur shumë prej atyre që dalin sot në shesh nuk merrnin pjesë në asnjë protestë.

Por sot po ndodh diçka tjetër.

Në shesh po dalin njerëz që nuk kanë protestuar kurrë më parë për thuajse asnjë kauzë. Po dalin masivisht qytetarë të rinj që nuk kanë qenë pjesë e asnjë partie politike. Po dalin socialistë të zhgënjyer që deri dje kanë votuar Partinë Socialiste verbërisht. Po del rinia shqiptare, ose më saktë ajo pjesë e rinisë që ka mbetur ende në Shqipëri pas viteve të emigrimit masiv, pas humbjes së shpresës dhe pas largimit të qindra mijëra të rinjve nga vendi.

Kjo është arsyeja pse pushteti i Edi Ramës po shqetësohet.

Po ndjen se toka mund t’i rrëshqasë shpejt nën këmbë.

Sepse kur proteston vetëm opozita zyrtare, qeveria e ka më të lehtë ta sulmojë politikisht. Aq më tepër kur kontrollon pushtetin institucional dhe gëzon mbështetjen ose heshtjen e një pjese të madhe të mediave.

Por kur protestojnë të rinjtë dhe njerëzit e zakonshëm, kur protestojnë të zhgënjyerit, kur protestojnë edhe ata që deri dje kanë qenë votues të bindur të saj, atëherë problemi bëhet shumë më serioz për Edi Ramën.

Pikërisht për këtë arsye po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh thirrje për “Shqipërinë e Re”. Po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh refuzimin e një modeli politik që ka prodhuar emigrim, korrupsion, varfëri dhe kapje të institucioneve.

Dhe këtu lind një pyetje interesante.

“Shqipëria e Re” nuk është një term i rastësishëm. Është edhe titulli i një libri të Fred C. Abrahams, një ish-drejtues i Soros në Shqipëri, i cili 1993 u dëbua nga Shqipëria për aktivitetet e tij okulte.

Sot madje, për herë të parë, një protestuese nga sheshi me mikrofon, hodhi publikisht për herë të parë nga protestuesit, idenë e krijimit të një partie të re politike, duke deklaruar se 3.000 firmat e nevojshme mund të mblidheshin lehtësisht në atë shesh.

Rastësi që përdoret termi “Shqipëria e Re” kaq shpesh në këto protesta ? Ndoshta.

Rastësi që po në të njëjtën ditë, Elisa Spiropali foli publikisht për nevojën e një “Kontrate të Re” me shqiptarët ? Ndoshta.

Rastësi që për herë të parë në protestë u artikulua ideja e krijimit të një partie të re politike ?

Ndoshta. Por unë nuk i besoj shumë tre rastësive. Secili le të nxjerrë vetë përfundimet e tij.

Por ajo që është e qartë është se sot në Shqipëri po ndihet gjithnjë e më shumë aroma e ndryshimit.

Pas 13-14 vitesh pushtet pothuajse absolut të një njeriu të vetëm, problemi më i madh i Edi Ramës nuk janë më kundërshtarët e tij politikë.

Problemi i tij është konsumimi i modelit që vetë ndërtoi.

“Rilindja” ka mbaruar misionin e saj politik. Është lodhja e njerëzve. Është zhgënjimi i thellë i elektoratit të vet. Është humbja e besimit. Është fakti që sistemi po fillon të shkërmoqet nga brenda.

Historia politike ka treguar se regjimet e gjata nuk bien gjithmonë nga presioni i jashtëm.

Shpesh ato bien kur humbasin mbështetjen e njerëzve të vet.

Revolucionet e pallatit nuk ndodhin me shpërthim.

Ato ndodhin me implozion.

Me shkërmoqje nga brenda.

Me ndarje.

Me përçarje.

Nuk vijnë gjithmonë nga goditjet e jashtme.

Vijnë nga brenda sistemit.

Dhe pikërisht kjo është ajo që po fillon të shihet sot.

Po dalin socialistë.

Po dalin qytetarë pa bindje politike.

Po del rinia.

Pa tjetër që po dalin edhe demokratët, çdo ditë e më shumë.

Dhe bashkimi i gjithë kësaj pakënaqësie qytetare është ajo që tremb sot pushtetin e Edi Ramës.

Sepse askush nuk mund ta ndalë një shumicë qytetarësh kur vendosin se është koha për ndryshim.

Prandaj Edi Rama gabon rëndë nëse mendon se ka parë kulmin e kësaj lëvizjeje.

Përkundrazi.

Ai mund të ketë parë vetëm fillimin.

Dhe nëse kjo frymë vazhdon të rritet, shumë shpejt kërkesa qytetare do të jetë një dhe e vetme: largimi i kësaj qeverie, krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin një drejtim të ri.

Sepse kur ngrihen bashkë demokratët, socialistët e zhgënjyer, të rinjtë, qytetarët pa parti dhe të gjithë ata që kanë humbur besimin tek ky sistem, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një protestë të zakonshme.

Kemi të bëjmë me fillimin e fundit të një modeli politik.

Dhe pikërisht këtë Edi Rama ende nuk e ka kuptuar.

Ai vazhdon të shohë Zvernecin.

Ndërkohë që Shqipëria po flet për diçka shumë më të madhe.

Për ndryshimin.

Për fundin e një epoke.

Për rrëzimin e një modeli që pas 13 vitesh pushtet është konsumuar, lodhur dhe po fillon të shkërmoqet nga brenda.

Sepse revolucionet e pallatit nuk paralajmërojnë.

Ato nuk vijnë me zhurmë.

Ato vijnë kur pushteti humbet njerëzit e vet.

Dhe kur kjo ndodh, fundi zakonisht vjen shumë më shpejt sesa e imagjinojnë ata që janë mësuar të qeverisin.

EDI RAMA, NUK KE PARË ASGJË AKOMA!

About Redaksia

Check Also

Protesta është thellësisht politike!

Nga Bislim AHMETAJ Sepse kur mungon uji në çezma dhe, kur vjen, është i papijshëm …