Rama si manipulator…

Nga Luçiano BOÇI

Pasi sulmon e shan gjoja “manipulatorë” ata që përdorin AI për të treguar largimin e flamingove dhe ofendon me lloj-lloj epitetesh protestuesit, Rama kalon në një nivel superior manipulimi.
Krahason Zvërnecin me Camargue të Francës dhe Bahamas, shoqëruar me foto me port jahtesh, ndërtesash dhe flamingosh me ata që bëjnë joga.
Rama me qëllim e zhvendos debatin nga pyetjet reale.
Pyetja reale nuk është:
A janë ambientalistët kundër turizmit?
Pyetjet reale janë:
A ka projekt të plotë?
A janë publikuar lejet?
A ka VNM serioze?
A është konsultuar komuniteti?
A respektohet statusi i zonës?
A ka kufij ndërtimi?
A është modeli i përputhshëm me Vjosa-Nartën?
Kur këto pyetje zëvendësohen me Bahamasin, Camargue-n, flamingot dhe “budallallëkun 100-vjeçar”, kemi propagandë e zero argument.
Manipulimi kryesor është krahasimi i rremë.
Manipulimi është se krahasohen gjëra që nuk janë të njëjta fare.
Camargue është një ekosistem i menaxhuar prej dekadash me status mbrojtjeje ndërkombëtare dhe institucione të dedikuara.
Zvërneci dhe Vjosa-Narta janë objekt debati pikërisht sepse ka shqetësime për transparencën, lejet, rrethimet, ndërhyrjet në terren dhe ndikimin në një zonë shumë të ndjeshme.
Camargue përdoret si shembull sikur të ishte model “resorti brenda ligatinës”, ndërkohë që Camargue është para së gjithash model mbrojtjeje, administrimi, kufizimesh dhe turizmi të kontrolluar, jo model zhvillimi ultra-luksoz në zonë të ndjeshme.
Camargue gjithashtu nuk është shembull i zhvillimit pa kufij, por i zhvillimit nën mbrojtje të fortë.
Camargue është Rezervë Biosfere e UNESCO-s, zonë Ramsar dhe një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës Perëndimore, po e vërtetë me laguna, këneta, duna, plazhe dhe 272 lloje shpendësh të regjistruar.
Pra nuk është për të treguar si Franca ndërtoi resorte dhe flamingot mbetën aty, por të treguar si Franca vendosi shtresa mbrojtjeje dhe pastaj lejoi aktivitete të përshtatura me natyrën.
Turizmi në Camargue mbi të gjitha është kryesisht turizëm natyror, tradicional dhe i shpërndarë.
Në Camargue ka një park natyror rajonal me rreth 85 mijë hektarë, ku zhvillohen aktivitete kryesore si vëzhgimi i shpendëve, kalërimi, kriporet, traditat lokale, kuajt, bujqësia dhe vizitat natyrore.
Kjo është ekonomi që mbështetet mbi peizazhin, jo peizazh që i dorëzohet një resorti.
Shembulli i Bahamasit është akoma edhe më i dobët.
Baha Mar nuk është ligatinë natyrore si Zvërneci z. Kryeministër!
Në Bahamas, flamingot janë pjesë e një eksperience turistike të kontrolluar, me “meet & greet”, aktivitete të drejtuara nga kujdestarë dhe habitat të menaxhuar brenda resortit.
Vetë faqet turistike e përshkruajnë si eksperiencë të organizuar, jo si ekosistem të egër ku po debatohet për ndërhyrje të madhe ndërtimore.
Pra Baha Mar është shembull i gabuar me qëllim.
Aty flamingot janë pjesë e shtuar e resortit.
Ndërsa në Zvërnec resorti kërkon të bëhet pjesë e territorit të flamingove.
Ky është ndryshimi themelor.
Më e keqja është se Rama e paraqet debatin sikur ai po bëhet për flamingo apo turizëm, ndërkohë që debati real është per ligj apo arrogancë, për transparencë apo propagandë, për zhvillim të qëndrueshëm apo kapje e peizazhit publik nga një projekt i pashpallur.
Për ta ndriçuar Kryeministrin e trullosur ja disa foto nga natyra e paprekur në Camargue!

About Redaksia

Check Also

Protesta është thellësisht politike!

Nga Bislim AHMETAJ Sepse kur mungon uji në çezma dhe, kur vjen, është i papijshëm …