Takimi mblodhi Kryeministra, Ministra, drejtues të partive simotra të EPP-së, deputetë dhe zyrtarë europianë nga rajoni për të diskutuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në ditën e dytë të aktivitetit, Vokshi mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të EPP-së për Ballkanin Perëndimor me temë ‘United for EU Integration: The EPP’s Next Steps’, ku paraqiti shqetësimet e opozitës shqiptare lidhur me gjendjen e demokracisë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se Shqipërisë i nevojitet një qeveri kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të barabarta. Kjo është një domosdoshmëri demokratike pasi gjithçka fillon nga zgjedhjet.
Duke iu referuar gjetjeve të raportit përfundimtar të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare, si dhe konkluzioneve të AFET, IBAR dhe institucioneve të tjera europiane, Vokshi theksoi se Shqipëria vazhdon të përballet me kushte thellësisht të pabarabarta të konkurrencës politike për shkak të sistemit parti-shtet, keqpërdorimit të burimeve publike dhe rrjeteve të gjera të patronazhistëve dhe ndikimit të krimit.
Vokshi ngriti gjithashtu shqetësimin për dobësimin e standardeve demokratike, korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes dhe mungesën e kontrollit dhe balancës së pushteteve. Ajo u ndal veçanërisht te rasti i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila përballet me 11 akuza zyrtare për abuzim me rreth 1.2 miliardë euro, si dhe te mbrojtja politike që, sipas saj, i është ofruar këtij korrupsioni nga shumica socialiste.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e ekonomisë informale, pastrimit të parave dhe depërtimit të krimit të organizuar në ekonomi dhe politikë, duke e konsideruar këtë një alarm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Bashkimit Europian.
Në të njëjtën kohë, Vokshi rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian, gjë e reflektuar edhe në kontributin e saj për miratimin e rezolutës parlamentare për procesin e integrimit europian.
Vokshi mbështeti gjithashtu propozimin e Kryeministrit kroat Andrej Plenković që, ndërsa zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, ai duhet të mbështetet edhe në një kalendar të qartë me afate të mirëpërcaktuara.
Megjithatë, në emër të opozitës shqiptare, ajo theksoi se asnjë proces integrimi nuk mund të konsiderohet i plotë dhe i besueshëm për sa kohë që vende si Shqipëria nuk garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në përfundim, Vokshi u bëri thirrje partive simotra europiane të rrisin presionin dhe të mbajnë qëndrime më të qarta ndaj cenimit të standardeve demokratike, minimit të shtetit ligjor, korrupsionit qeveritar dhe partneritetit mes qeverisë dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Ajo vlerësoi se kërkesa për zgjedhje të lira, transparencë dhe llogaridhënie tashmë shkon përtej opozitës politike dhe përfaqëson një aspiratë të gjerë të shoqërisë shqiptare, veçanërisht të brezit të ri, i cili është ngritur në protesta masive për një demokraci funksionale dhe një të ardhme europiane.
Gazeta RD