CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Ish-ministri i PS: Rama u vrau shqiptarëve të ardhmen!

Nga Arben MALAJ

Pse kurrë nuk do të pranoja asnjë vlerësim nga Edi Rama?

Sepse ai lehtësoi kriminalizimin e politikës dhe ekonomisë shqiptare.

Ky nuk është një debat individësh, por një ndryshim rrënjësor i modeleve.

Ja 12 argumentet dhe faktet kryesore e të pakundërshtueshme: (I) Kriminalizimi i politikës

1. Rënia e vlerave progresiste dhe braktisja e punëtorëve – Në vitin 1991 zgjodha me vetëdije Partinë Socialiste dhe të majtën progresiste. Modeli yt ekonomik e ka bërë Vlorën dhe Shqipërinë më të shtrenjtë, ndërsa vlonjatët dhe shqiptarët më të varfër. Klasa e mesme dhe të varfrit duhen mbështetur dhe jo braktisur. Ju u bëni thirrje bizneseve italiane të vijnë këtu sepse nuk ka sindikata, që të vijnë e t’i shfrytëzojnë barbarisht punëtorët shqiptarë dhe të huaj.

2. Asgjësimi dhe betonizimi i Vlorës – Ai nuk e do Vlorën; i përçmon, i banalizon dhe i denigron kryetarët e bashkisë që personalisht i përzgjedh. Ka një hakmarrje primitive ndaj çdo vlonjati që nuk e nënshtron dot — kujto tre kryetarët e bashkisë Vlore dhe shumë të tjerë. Ka 16 vite që e lë Vlorën nën tymin kancerogjen të mbeturinave dhe pa bibliotekë. Do të prishësh për pallate “Shkollën Tregtare”, emblemën e qytetit. Po betonizon çdo cep të Vlorës. Nga rritja e çmimeve pasurohen oligarkët, por varfërohen blerësit e shtëpive të para, klasa e mesme dhe të varfrit.

3. Asgjësimi modelin dhe trashgimnine inspiruese të PS (199+1- 2005) Duke vrarë që ditën e parë mendimin e lirë dhe mendimin ndryshe, e ktheu PS-në në një parti jokushtetuese. I hoqi PS-së modelin inspirues si partia e mendimit të lirë, e mendimit ndryshe dhe e konkurrencës meritokratike.Trashëgimia e tij politike do të jetë thellësisht zhgënjyese.

4. Promovimi i elementëve kriminalë ne politike dhe ekonomi. “Rilindja” e tij u bë strehë e promovimit të personave me CV kriminale si kryetarë bashkie dhe deputetë. “Rilindja” rezulton të ketë numrin më të madh të të dënuarve nga ligji i dekriminalizimit.

(II) Nga demokracia funksionale në “mbretëri kryeministrore”

5. Deformimi i Republikës Parlamentare – Shqipëria vazhdon të jetë me Kushtetutë de jure një “republikë parlamentare” dhe de facto një “mbretëri kryeministrore”. Të përzgjedhurit e tij personalë duhet të ishin “skllevër vullnetarë”. Ata tradhtojnë betimin kushtetues, pasi duhet t’i shërbejnë Shqipërisë dhe jo verbërisht pangopësisë për pushtet politik e ekonomik, deri në kufijtë e kriminales.

6. Vrasja e sistemit zgjedhor dhe demokracisë – Marrëveshja me Berishën në vitin 2008 për të ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin politik e vrau demokracinë. Sot partitë politike janë “SHPK” me pronarë/kryetarë partish 100%. Ai ndërtoj një sistem zgjedhor ku një socialist merr një mandat me 6,000 vota, ndërsa partitë e tjera me 60,000 vota nuk marrin më shumë se 2 mandate.

7. Patronazhimi i administratës publike – Nga administrata publike u larguan njerëzit e arsimuar dhe me eksperiencë, duke u zëvendësuar me patronazhistë të paditur për qeverisjen, por të pangopur për para. Kostot buxhetore të largimeve të paligjshme nga puna arrijnë në qindra milionë euro.

8. Asgjësimi i institucioneve llogaridhënies dhe transparences. Ai nuk i do institucionet e forta. E përçmon parlamentin, e denigron dhe e banalizon debatin parlamentar. Agjenda e parlamentit dominohet nga ligjet e oligarkëve dhe për oligarkët. Po heq asete kritike nga siguria kombëtare vetëm për pushtet personal absolut/ Regjimi tij është një demokraci hibride, me tendenca të qarta autokratike deri në neodiktatoriale.

9. Mungesa e kulturës shtetformuese – Ai nuk ka asnje qelize shtetformuese dhe institucionale. E ndryshon strukturën e qeverisë disa herë brenda një mandati. I përzgjedh, i promovon, i shkarkon dhe i riafron ministrat që të mos krijojnë profil publik, dhe vetëm kur bindet se besnikëria e tyre është e verbër.

10. Denigrimi i Shërbimit Diplomatik. Është përçmues ndaj shërbimit tonë diplomatik, i cili kudo është kolona jetike e çdo shteti. I zgjedh, i promovon dhe i shkarkon diplomatët vetëm sipas humorit. Shkel çdo kod etik të diplomacisë vetëm që të jetë “ambasadori de facto”i Shqipërisë në çdo vend tjetër.

11. Integrimi i parasë kriminale në ekonomi – Toleroje dhe lehtësoj paranë kriminale në ekonomi dhe politikë. Nuk do të lodhem duke qartësuar, edhe sipas studimeve, se: “Nuk ka asnjë individ, familje, biznes dhe aq më pak një shtet që mund të zhvillohet apo të pasurohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme duke toleruar paranë kriminale.” Qeveria juaj është një rast i “kapjes së shtetit”, e akuzuar për pastrimin e miliarda eurove të mafias ndërkombëtare.

12. Gjobat ndërkombëtare dhe dëmtimi i buxhetit. Do të mbeteni në historinë e e shtetit shqiptare si “mbreti kryeministror” që i ka shkaktuar vendit kostot më të mëdha buxhetore. Aksioni “Fundi i Marrëzisë” ishte në fakt “Fillimi i babëzisë”, për para kriminale. Deri tani i ka: vjedh” buxhetit të shtetit/taksapaguesve rreth 1 miliard euro. Jua la rreth 1 miliard euro mafias se lojërave te fatit. Nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, si pasojë e vendimeve hakmarrëse kundër kundërshtarëve politikë, mediave të pavarura, si dhe kompanive vendase e të huaja, ka dëmtuar taksapaguesit e varfër shqiptarë me rreth 350 deri në 600 milionë euro.

Ai do të mbetet makiavelist që drejton me moton: “Më mirë të më kenë frikë sesa të më duan”.

Trashëgimia tij politike do të jetë më e zezë se hakmarrjet e tij primitive. Kjo sepse qëndrimet e tij janë përçmuese, denigruese dhe kriminalizuese ndaj kundërshtarëve personalë, brenda PS-së, biznesit, medias, protestuesve dhe shoqërisë civile.

Por frika po mundet. Ai i vrau shqiptarëve të ardhmen, shpresën atdheun, i detyroi jo vetëm të rinjtë ta braktisin vendin e tyre. më shumë se në çdo kohë tjetër dhe se çdo vend tjetër.

About Redaksia

Check Also

Pse nuk po mblidhet Këshilli Kombëtar?/ Berisha: Absolutisht vetëm arsye teknike

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Një temë tjetër. Në 30 maj nisi ripërtëritja e Partisë Demokratike, por …