Kush ia ka “lidhur duart” SPAK-ut për Belinda Ballukun?!

Dritan Prençi ka treguar në dosje të tjera se di të kërkojë “arrest me burg”, madje dhe kur mungojnë provat. Por te dosja e Belinda Ballukut, sa më shumë rëndohet hetimi, aq më e madhe bëhet pikëpyetja se kush ia ka “lidhur duart” prokurorit të SPAK.

Prençi ishte prokurori i dosjes së inceneratorit të Fierit, ku Zv. Presidenti i FSHF, Arben Dervishaj u arrestua menjëherë dhe kaloi rreth tetë muaj në paraburgim. SPAK kërkoi arrestin, ndërsa Prençi vijoi ta mbrojë akuzën edhe pasi Dervishaj u shpall i pafajshëm në Shkallën e Parë.

Në dosjen Balluku, ndërkohë, një tjetër personazh i futbollit, kësaj here Igli Tare është marrë nën hetim për pastrim parash, pasi SPAK dyshon se është përdorur për të fshehur pronësinë reale të një vile që prokuroria ia atribuon Ballukut. Por ndaj tij nuk rezulton publikisht një masë arresti. Edhe biznesmeni Pandeli Carapuli është marrë nën hetim për pastrim parash në lidhje me vilën e Dhërmiut, por sërish pa masë arresti.

Por dy standardet vijojnë edhe brenda vetë dosjes Balluku. Rasti më i pastër është ai i Evis Berberi, i cili qëndron në burg që prej marsit 2024 dhe Prençi ka kërkuar për të një dënim të rëndë për korrupsion, tendera dhe pastrim parash. Në të njëjtën dosje të ARRSH-së, për Erald Elezin dhe Gentian Gjylin prokurori Prençi ka kërkuar dënime shumë më të ulëta, ndërsa masat e tyre të arrestit në shtëpi u zbutën.

Edhe Ergys Verdho është tashmë i pandehur në një tjetër procedim të SPAK për “shpërdorim detyre”, ndërsa në dosjen Balluku është thirrur disa herë për të dhënë shpjegime. Ai gjithashtu nuk ndodhet në arrest dhe deri tani është i amnistuar nga Dritan Prençi.

Por një prej rasteve më domethënëse është Viola Haxhiademi, ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës. BKH i sekuestroi telefonin dhe nga ekspertimi janë dalë komunikime të frikshme korrupsioni, por sërish prokurori Dritan Prençi është treguar i butë, duke mos caktuar asnjë masë sigurie për ish numrin 2 të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

Dhe qershia mbi tortë, është vetë Belinda Balluku.

SPAK thotë zyrtarisht se ajo është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe se ndaj saj ekzistojnë gjithashtu dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokuroria ka sekuestruar edhe një vilë që e konsideron pronësi indirekte të saj dhe produkt të dyshuar korrupsioni.

Dritan Prençi e kërkoi një herë heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Më 16 dhjetor 2025 SPAK iu drejtua Kuvendit për autorizimin e heqjes së lirisë së saj. Kuvendi nuk ia dha autorizimin.

Por që atëherë dosja është rënduar. Janë shtuar dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, janë sekuestruar pasuri dhe janë marrë në hetim persona të tjerë. Po të shtojmë këtu dhe faktin, se Balluku i ka bërë presion një prej dëshmitareve kryesore, Mirzeta Kashnicës, si dhe kontrollon të gjithë Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, me njerëzit e saj.

Atëherë pse nuk ka një kërkesë të re? Kjo është pyetja që Dritan Prençi duhet t’i përgjigjen.

Pse në dosje të tjera SPAK kërkon burg kur sheh rrezik procedural, ndërsa në një çështje ku vetë prokuroria flet për tendera të manipuluar, korrupsion, pastrim parash, pasuri të fshehura dhe madje presione ndaj dëshmitarëve, figura qendrore e hetimit vazhdon jashtë qelisë?

Nuk ka provë që Prençi ka bërë marrëveshje me Ballukun për ta aministuar, por kur ky prokuror ka vepruar me nxitim të jashtëzakonshëm për të arrestuar biznesmenë dhe gazetarë, me fjalë goje dhe thashetheme, në rastin e Belinda Ballukut, po e merr shtruar, aq shtruar sa zërat qarkullojnë se do ta amnistojë duke e çuar në gjykim pa masë sigurie./ Voxnews

About Redaksia

Check Also

Studentët përshkallëzim të protestave: Nesër para Ministrisë së Arsimit!

Studentët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe u kanë bërë thirrje të rinjve t’u bashkohen …