Goditja e 2 grupeve kriminale nga SPAK, Bardhi: Të hetohet roli i Ramës!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar për aksionin e SPAK ku u goditën dy grupe kriminale të trafikut të drogës, të drejtuar nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai.

Bardhi shkruan se opozita e kishte paralajmëruar më herët dyshimin ndaj kryeministrit.

Deputeti demokrat ka kërkuar nga SPAK hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, si të përfshirë në afera me trafikantë droge dhe pastrim parash.

Reagimi i Gazment Bardhit

‘Asnjë surprizë për aksionin e sotëm të SPAK-ut, që rezulton të jetë një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra nga ky organ. Pa dyshim, përshëndes aktin e sotëm të Prokurorisë, të cilin e konsideroj të vonuar, dhe e nxis atë që të mos hezitojë të hetojë me profesionalizëm dhe guxim Edi Ramën dhe çdo zyrtar tjetër publik që i hapi rrugë pastrimit të parave të krimit në sektorin e ndërtimit. Edi Rama arriti deri aty sa të tentonte të përfshinte edhe familjen e Presidentit Trump në një aferë me trafikantë droge dhe pastrim parash.

Por, ky i sotmi është një akt i paralajmëruar nga opozita.

Prej kohësh tashmë, fenomeni i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit është denoncuar prej nesh. Madje, kemi ofruar edhe zgjidhje, të cilat janë përbuzur dhe refuzuar nga përgjegjësi i kësaj situate, Kryeministri Edi Rama. Çdo iniciativë ligjore për të parandaluar këtë fenomen, apo çdo kërkesë për llogaridhënie mbi këtë çështje, është refuzuar nga mazhoranca e Edi Ramës.

Në korrik 2023 është votuar kundër projektligjit të propozuar nga kolegia Jorida Tabaku, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, që të verifikohej ligjshmëria e parave që investoheshin në sektorin e ndërtimit.

Më 5 korrik 2023, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe më pas në seancë plenare, kam theksuar se: ‘Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan, në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë të gjelbër, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët realë, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik.’

Më 9 tetor 2025, kemi thirrur në interpelancë mbi këtë temë Kryeministrin Edi Rama, i cili u fsheh, siç fshihet çdo kriminel që shkel ligjin. Në atë seancë, ku Edi Rama u fsheh pas Niko Peleshit, kam denoncuar se: ‘Artur Shehut, trafikantit të drogës që organizoi takimin në Aruba me përfaqësuesit e qeverisë për të pastruar para në ndërtim, i është dhënë leje ndërtimi nga Edi Rama. Kompania e Artur Shehut ka marrë leje ndërtimi nga Kryeministri i vendit për të ndërtuar një kompleks në zonën e Lungomares, teksa ka përfituar edhe nga investimet publike.’.

Më 9 prill 2026, kemi rikërkuar në interpelancë Kryeministrin Edi Rama mbi konstatimin tronditës të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit: ‘Grupet kriminale shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta sofistikimi në krimet e tyre, në teknikat e komunikimit dhe në teknikat e pastrimit të parave. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion.’. Edhe në këtë rast, Edi Rama refuzoi të japë llogari dhe u fsheh pas Niko Peleshit.

Prandaj, sot nuk është dita për të bërë bilancin e arrestimeve të paralajmëruara, por për të kërkuar llogari se përse nuk hetohet përgjegjësi kryesor që e ktheu Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave përmes lejeve të ndërtimit. Sepse grupet kriminale nuk do të mundeshin kurrë të pastronin paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës pa firmën e Edi Ramës!

Kur do të hetohet roli dhe përgjegjësia e Edi Ramës për këtë?

Këtë përgjigje duhet ta japë SPAK-u, që aksioni të ketë vërtet sukses. Ndryshe, arrestohen disa grupe kriminale, por pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit vijon përmes disa grupeve të tjera kriminale. Dhe Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi narkoshtet në mes të Europës, ku grupet kriminale nuk goditen nga qeveria, por fuqizohen me leje ndërtimi, koncesione apo punë publike!

E në këtë rast, ka vetëm një zgjidhje: largimi i qeverisë përmes reagimit qytetar!’.

About Redaksia

Check Also

Protestuesit thirrje galerive ndërkombëtare: Mos ekspozoni korrupsionin e Edi Ramës

Ndërkohë që Shqipëria po zien nga protestat ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, ky i …