Fundosja e Marinës së Durrësit/ Del dokumenti që fundos qeverinë, Rama ndryshoi projektin në dhjetor 2025!

Fundosja e Marinës së Durrësit merr një spirale të re, pavarësisht ndodhive më të fundit në vendin tonë, ku skandalet kapin njëra tjetrën.

Projekti që nisi si një risi në Shqipëri, po kthehet dalëngadalë në një dështim, pasi dy nga shumë godinat që do të ndërtohen në atë territor kanë filluar të fundosen.

Megjithëse shteti bëri sikur s’kishte asnjë informacion, dokumentet që ka siguruar Vox News hedhin dritë mbi informacionin e plotë jo vetëm të IKMT-së që faktoi zhytjen, por edhe të Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ka dhënë lejet përkatëse, mbi projektet e paraqitur nga Durrës Marina e Alabarit. Ky i fundit ka vetëm emrin pasi punimet në Durrës po bëhen nga firma shqiptare, si nënkontraktore, të cilat po bëjnë blloqe pallatesh apo restorantesh.

Faksimile: Vendimi i KKTU-së i zbardhur në muajin dhjetor të vitit 2025 për ndryshimin e projektit të Marinës së Durrësit

Dokumenti që ka hulumtuar Vox News është miratuar vitin e kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, në mbledhjen e datës 25 shtator 2025 dhe i zbardhur në fund të muajit dhjetor të atij viti.

“KKTU me propozim të subjektit zhvillues shoqërisë ‘Durrës Marina’ sh.a, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, vendosi miratimin e ndryshimit të projektit gjatë ndërtimit për objektin ‘godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, me 1 kat parkim nëntokë, dhe ‘godinë banimi dhe shërbimi me parkim 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, me 1 kat parkim nëntokë”, thuhet në dokument.

Pra e shkruar mjaft qartë se projekti në fjalë ka ndryshuar, në kuotë, lartësi apo në thellësi? Vendimi nuk përcakton se çfarë është ndryshuar, por vetëm sa ka lejuar firmën ndërtuese që të ndryshojë projektin, ndoshta për të “fshehur” fundosjen e dy strukturave, të cilat me shumë gjasa s’do të jenë fundit.

Duket se i gjithë ai truall është një gropë e madhe, e pa trajtuar dhe shpeshherë me lëvizje dhe mungesa e një studimi të mirëfilltë, aq më tepër në Durrës, që arkeologët kanë deklaruar se ekziston një qytet i zhytur.

Por kush janë shkaktarët e kësaj fundosje?! Vox News ka denoncuar në vijimësi për këtë skandal, ku krahas Alabbarit janë një mori firmash shqiptare. Një njoftim i beftë i IKMT-së veçse sa konfirmoi zhytjen, ku një godinë ishte fundosur me 28 centimetra dhe tjetra 18 centimetra. Por, zhytja mund të vijojë, duke qenë se projekti po vijon dhe mijëra kamionë dhe inerte janë zhvendosur në territorin që dikur ka qenë Porti i Durrësit, më i madhi në Shqipëri, por që tashmë është katandisur me një cep, në pritje të zhvendosjes në Porto Romano.

Vox News ka analizuar dhjetëra dokumente, leje ndërtimi, marrëveshje mes palëve, dokumente në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të cilat hedhin dritë mbi shkaktarët e vërtetë të kësaj zhytje, ku në krye qëndron investitori, që është firma nga Emiratet dhe vetë shteti shqiptar dhe më pas firma projektuese dhe ndërtuese. Ndërkohë, kjo shoqëri aksionere, ka kontraktuar një firmë projektimi, ndërsa firma që ka kryer ndërtimin e godinave është “Elmazaj”.

Dokument: Leja e ndërtimit dhe planvendosja e projektit që është fundosur u miratua nga KKT në gusht të vitit 2023

Vox News ka hulumtuar dokumente të tjera, nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, për projektin që është fundosur, ku rezulton se leja e ndërtimit është dhënë në vitin 2023, përkatësisht në muajin gusht. Në fakt, në këtë leje janë ndërtimi i 2 godinave, në formë U-je, të larta 8 njëra dhe 10 tjetra, ndërsa në dokument janë edhe parametrat dhe gjithçka tjetër.

Vox News ka mësuar se, firma zhvilluese ka lidhur disa kontrata me firma vendase për kryerjen e punimeve për ndërtimin e godinave. Mësohet se, dy firma po punojnë më së shumti në atë zonë, “Elmazaj” dhe “Salillari”. Kompania e parë, “Elmazaj Konstruksion” ka kryer punimet në dy godinat e Marinës që janë fundosur, teksa dy pronarët e saj, Shkëlqim dhe Mirel Elmazaj, duhet të japin llogari, qoftë te punëdhënësi, apo në organet ligj zbatuese se si qëndron e vërteta. Ndërkohë që godinat janë projektuar nga firma X Plan Studio, një kompani e themeluar në vitin 2010. Kjo kompani merret me projektimin dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit, rikonstruksionin, mbikëqyrjen apo kolaudimin e punimeve. /Vox News

About Redaksia

Check Also

Rama jep dorëheqjen/ Përfundojnë fjalimet tek kryeministria, protestuesit nisin marshimin

Pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në …