Shqipëria në lupën dhe vëmendjen e Parlamentit Europian! Deputetët e PD takime me Raporterët për Shqipërinë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deputetja Jorida Tabaku dhe Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, ndodhen në Strasburg, ku në seancën plenare të Parlamentit Europian sot pasdite pritet të diskutohet dhe miratohet raporti për Shqipërinë.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, deputetët demokrat janë takuar me Raporterin për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder dhe bashkëraporteri i EPP për Shqipërinë Andrey Kovatchev. Deputetët e PD shprehen se mbi 300 amendamentet në raportin për Shqipërinë janë tregues i qartë se problemet me zgjedhjet, shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimin e organizuar konsiderohen shqetësime serioze për Parlamentin Europian.

Njoftimi i plotë

Shqipëria në lupën dhe vëmendjen e Parlamentit Europian.

Mbi 300 amendamentet në raportin për Shqipërinë janë tregues i qartë se problemet me zgjedhjet, shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimin e organizuar konsiderohen shqetësime serioze për Parlamentin Europian.

Pas debatit mbi këtë raport në Strasburg, së bashku me Jorida Tabakun dhe Agron Gjekmarkajn, u takuam me raporterin për Shqipërinë, Andreas Schieder dhe bashkëraporterin e PPE-së, Andrey Kovatchev. Falenderim dhe mirënjohje për vlëmendjen, objektivitetin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë, pavarësisht problemeve madhore me demokracinë.

300 amendamentet, një numër i paprecedentë për një raport të tillë, fokusohen kryesisht te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pengesat ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trajtimi i çështjes Balluku dhe ndikimi i saj negativ në procesin e integrimit europian, si edhe te realiteti i protestave dhe funksionimi i demokracisë në vend.

Raporti për Shqipërinë thekson posaçërisht ligjet speciale të qeverisë “Rama”, përfshirë Ligjin për Investimet Strategjike dhe Ligjin për Zonat e Mbrojtura, çështje që janë ngritur vazhdimisht nga institucionet europiane, por për të cilat qeveria shqiptare ka refuzuar, deri tani, të reflektojë.

Për ne, ky raport është një pasqyrë e qartë e problemeve që duhen adresuar, një plan pune për ta afruar Shqipërinë me standardet europiane dhe një thirrje për të dëgjuar zërin e qytetarëve shqiptarë.

About Redaksia

Check Also

Kush është njeriu që pastronte paratë e kokainës të Dizdarit/ Sekuestrohen 150 milionë euro pasuri

SPAK ka vendosur nën sekuestro edhe hotelin luksoz “Zig Zag” në Jalë, një prej strukturave …