Republika e Ramës/ Masakrohet çifti i të moshuarve që denoncuan parcelat me drogë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fushë-Arrëzin, ku një çift bashkëshortësh është dhunuar brutalisht me mjete të forta nga persona ende të paidentifikuar. Viktimat, Skënder dhe Bardhe Nika, kanë përfunduar në spital pas sulmit që dyshohet se lidhet me bashkëpunimin e tyre me autoritetet.
Sipas informacionit të referuar nga policia, dyshohet se bashkëshortët kishin dhënë disa javë më parë të dhëna që çuan në zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis në zonë. Parcelat e zbuluara dyshohet se u përkisnin shtetasit në kërkim P. Delia dhe dy djemve të tij.
Nëse këto dyshime konfirmohen, ngjarja ngre një pyetje alarmante: si arritën personat e interesuar të mësonin identitetin e qytetarëve që kishin bashkëpunuar me policinë?
Në çdo shtet funksional, informacioni i dhënë nga qytetarët konsiderohet konfidencial dhe mbrohet me mekanizma të posaçëm. Bashkëpunimi i publikut është një nga armët më të forta në luftën kundër krimit, trafikut të drogës, vjedhjeve dhe dhunës. Por kur një denoncues përfundon i masakruar, mesazhi që përcillet tek qytetarët është krejt i kundërt: frikë dhe pasiguri.
Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar prej kohësh se dekonspirimi i burimeve mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për viktimat, por edhe për besimin e publikut tek institucionet. Nëse qytetarët krijojnë bindjen se identiteti i tyre nuk mbrohet, gatishmëria për të raportuar krimet bie ndjeshëm.
Për këtë arsye, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dhunës. Një nga çështjet kryesore që kërkon përgjigje është nëse ka pasur rrjedhje informacioni dhe kush mund ta ketë zbuluar identitetin e denoncuesve.
Sulmi ndaj çiftit Nika nuk është vetëm një akt i rëndë kriminal. Ai prek drejtpërdrejt marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit. Dhe derisa të sqarohet se si u ekspozuan personat që bashkëpunuan me autoritetet, pyetja do të mbetet e hapur: a janë të sigurt qytetarët që denoncojnë krimin?

About Krye Redaktor

Check Also

Meta do të thërrasë si dëshmitar McGonigal

Një ditë pasi SPAK kërkoi në GJKKO thirrjen e rreth 100 dëshmitarëve në procesin ndaj Ilir Metës, mes tyre …