Nga Bislim AHMETAJ
Ajo do të jetë rruga e kthimit të shqiptarëve drejt atdheut të tyre.
Nga Londra, Parisi, Brukseli, Berlini, Vjena, Roma dhe dhjetëra qytete të tjera europiane, mijëra shqiptarë të diasporës po nisen drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës qytetare që prej njëzet ditësh nuk është ndalur asnjë mbrëmje.
Një karvan njerëzish të lirë, që nuk i bashkon një interes personal, por dashuria për vendin dhe shqetësimi për fatin e tij.
Më shumë se një shekull më parë, patriotët shqiptarë udhëtuan nga qytetet e Europës drejt tokës mëmë për të realizuar ëndrrën e madhe të kombit.
Ata erdhën nga Vjena, Bukureshti, Stambolli, Selaniku, Roma e qendra të tjera të kohës për t’i dhënë Shqipërisë shtetin e saj të pavarur.
Por shumë shqiptarë besojnë se vendi ka nevojë për një çlirim tjetër: çlirimin nga korrupsioni, nga kapja e institucioneve, nga arroganca e pushtetit dhe nga kultura e pandëshkueshmërisë që ka detyruar qindra mijëra qytetarë të marrin rrugët e emigrimit.
Prandaj kthimi i diasporës këtë fundjavë ka një domethënie që shkon përtej një proteste.
Ai është një mesazh se Shqipëria nuk mbaron në kufijtë e saj.
Se bijtë dhe bijat e saj, kudo ku jetojnë, vazhdojnë ta ndjejnë si të tyren fatin e vendit.
Dhe kur diaspora bashkohet me qytetarët që protestojnë në sheshe, krijohet një forcë që nuk matet me mandate, as me propagandë, as me pushtet administrativ.
Ajo matet me vullnetin e njerëzve për të ndryshuar vendin e tyre.
Do të jetë dita kur shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, do t’i kujtojnë njëri-tjetrit se Shqipëria u përket qytetarëve të saj dhe se asnjë pushtet nuk është më i fortë se një popull që ka vendosur të ngrihet në këmbë.
Është koha e njerëzve të lirë.
Është koha e qytetarëve.

Gazeta RD