Histeria sharëse dhe Parlamenti Europian

Nga Luçiano BOÇI

Rama vazhdon me statuse sulmesh dhe sharjesh ndaj protestuesve.
Kur kryeministri i vendit detyrohet të merret me flamingot, protestuesit, qytetarët, artistët, gazetarët dhe aktivistët, duke i quajtur “sorra”, “korba” e lloj lloj përcaktimesh, problemi nuk është më vetëm mjedisor. Është moral, politik dhe institucional.
Sepse një qeveri që ka të drejtë e ndërgjegje, sjell dokumente e ndalon abuzimin e jo të çirret me ofendime për njerëzit.
Një qeveri që respekton Europën, nuk tallet me zërin e qytetarëve.Frika ndaj tyre e detyron t’i përgojojë.
Thelbi nuk fshihet pas lojës së emrave, Nartë, Vjosë-Nartë, Pishë Poro-Nartë, Zvërnec.
Kjo është thjesht teknika e vjetër e propagandës.
Kur nuk mbron dot veprën, ngatërron hartën dhe kur nuk justifikon dot ligjin, zhvendos debatin e sulmon qytetarët.
E vërteta është e thjeshtë. Parlamenti Europian nuk foli për një batutë, as për një status rrjetesh sociale, as për “histeri digjitale”.
Parlamenti Europian foli për standarde europiane, për zona të mbrojtura, për ligjin e vitit 2024, për nevojën që Shqipëria të mos ecë drejt Europës duke shkelur natyrën e vet.
Kjo është fitore qytetare. Jo sepse dikush e shpalli nga bulevardi, por sepse Europa e dëgjoi shqetësimin që qeveria e përqeshi.
Kryeministri thotë se qeveria e tij ka të njëjtin qëndrim me rezolutën. Atëherë le ta provojë.
Të ndalojë çdo ndërhyrje, të rishikojë menjëherë ndryshimet ligjore, të garantojë transparencë të plotë, VNM reale dhe jo fasadë, konsultim publik dhe mbrojtje të pakushtëzuar të zonave të ndjeshme.
Sepse Europa nuk matet me deklarata. Matet me ligje, me standarde, me zbatim dhe me respekt për qytetarin.
Flamingot nuk janë problemi i qeverisë. Problemi i qeverisë është se qytetarët nuk pranojnë më që natyra të trajtohet si pronë private e pushtetit dhe si parcelë luksi për klientët e radhës.
Prandaj, më mirë se të merret me “tam-tamet”, “botokset” dhe “followers-at”, kryeministri të merret me pyetjen që nuk e shmang dot.
Pse një vend kandidat për në Bashkimin Europian duhet të penalizohet nga Parlamenti Europian për mbrojtjen e natyrës së vet?
Kjo është çështja.
Të tjerat janë zhurmë. Dhe zhurma është streha e përhershme e poterexhiut me pushtet.

About Redaksia

Check Also

Kamerat nuk zëvendësojnë shtetin

Nga Franci NURI Projekti Smart City po paraqitet si zgjidhja e madhe për sigurinë në …