Berisha: Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë sot në bulevardin dhe rrugët e Tiranës për të mbështetur këtë protestë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për pjesëmarrje masive në protestën e opozitës dhe qytetarëve në Tiranë, duke deklaruar se ‘sot protesta merr përmasat më të jashtëzakonshme që nga fillimi i saj’. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, Berisha u shpreh se, ‘demokratët dhe qytetarët pa parti po vërshojnë nga të katër anët e Shqipërisë’, ndërsa shtoi se protesta ka marrë jehonë edhe ndërkombëtare.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, zhvillimet aktuale lidhen edhe me çështjen e Zvërnecit, për të cilën ai akuzoi Edi Ramën si përgjegjësin kryesor për mungesën e transparencës dhe shkelje ligjore të bëra gjatë këtij projekti. ‘Edi Rama ka shkelur çdo ligj të transparencës dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe atë ndërkombëtar’, u shpreh Berisha, duke shtuar se çështja është ‘përgjegjësi direkte e kryeministrit’.

Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se, në projektin për zonat e mbrojtura janë shkelur procedurat ligjore dhe janë anashkaluar komunitetet lokale. ‘Ka një konventë, Konventa e Aarhusit, që detyron konsultimin me komunitetin, por kjo është injoruar’, tha ai.

Duke iu referuar situatës politike, kreu i PD Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, ndërsa e cilësoi protestën si një ‘uragan rinor qytetar’. ‘Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë sot më shumë se kurrë në bulevardin dhe rrugët e Tiranës për të mbështetur këtë protestë’, deklaroi Berisha, duke theksuar se kërkesat e opozitës lidhen me ‘dorëheqjen e menjëhershme dhe krijimin e një qeverie teknike’.

Kryetari i Partisë Demokratike gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, theksoi se kjo ‘nuk është e Partisë Demokratike, por një lëvizje qytetare. Ne mbështesim çdo protestë qytetare kundër kësaj qeverie’, shtoi ai, duke nënvizuar faktin se, opozita mbetet e vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe se ‘vota e lirë duhet të përcaktojë qeveritarët e këtij vendi’.

FJALA E PLOTE

Java ishte java e protestave më të mëdha rinore qytetare që Shqipëria ka njohur, dhe që shënoi dhe protestën e vetme në histori 20 ditë pa ndërprerë.

Sot, kjo protestë merr përmasat më të jashtëzakonshme që nga fillimi i saj, pasi demokratet e demokratët, mbështetësit e PD po vërshojnë nga të katër anët e Shqipërisë.

Qytetaret dhe qytetarët pa parti po vërshojnë nga të katër anët e Shqipërisë.

Dhe përveç kësaj, diaspora shqiptare ka mësyrë vendin e vet dhe rrugët, aeroportet, tragetet sjellin dhjetëra mijëra shqiptarë këtë natë në protestën më kulmore rinore qytetare të kombit shqiptar në Tiranë për dorëheqjen e narkodiktatorit, e kreut të Meduzës të regjimit të bazuar në drogën, vjedhjen dhe farsën zgjedhore të shqiptarëve.

Ndërkohë, jehona e protestës është botërore.

Parlamenti Evropian në raportin e AFET, duke ndjekur me interes të madh zhvillimet në Shqipëri, shtoi një amendament të veçantë për Zvërnecin, ku i kërkon qeverisë shqiptare shpalljen e moratoriumit për çdo vendim të mëtejshëm në zonën e mbrojtur si peizazh natyror të Zvërnecit.

Pra, zhvillimet janë historike.

Ndërkohë Edi Rama vazhdon betejën e tij donkishoteske duke shpallur armiq të popullit një grup blogeresh dhe blogerësh, të cilët sipas tij pasi rreshtoi agjenturat iraniane, greke dhe ruse, tani ka shpallur si armiq të rrezikshëm të Shqipërisë blogeret, blogerët, internetin, mediat sociale dhe me radhë.

Në vend se të dëgjojë zërin e tyre, të plotësojë pesë kërkesat menjëherë të protestës mbarëpopullore jopartiake rinore qytetare, ai vazhdon të përçmojë, vazhdon të fyejë, vazhdon të injorojë këtë zhvillim historik, i cili nuk mund të dështojë në asnjë mënyrë dhe po afron ditën e fundit të këtij regjimi të urryer për mbarë shqiptarët, për kombin shqiptar.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET:

Linort Gërmënji: Doktor Berisha, këtë javë kanë dalë publikisht materiale të reja që lidhen me zonjën Belinda Balluku, ku pretendohet përdorimi i stafit shtetëror për interesa private në vilën e saj në Dhërmi. Ndërkohë mediat raportojnë edhe për hetime të tjera që lidhen me tenderat e dyshimtë. Si e shikoni fundin e kësaj historie? A mendoni se SPAK duhet të kufizohet vetëm tek vartësit dhe ministrat, apo hetimet duhet të ngjiten deri tek përgjegjësia politike e kryeministrit, nëse provohet se këto afera janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e tij?

Sali Berisha: Unë kam theksuar e theksoj, dosja Balluku 60% është dosja e palloshit të gjatë. Dhe kjo është e faktuar në qindra e mijëra mesazhe, dokumente zyrtare e të tjerë, por dhe në qindra e qindra e-maile tashmë të deshifruara dhe të bëra të njohura.

E vërteta është që Edi Rama ka shpallur të mbyllur çështjen Balluku.

Kurse ajo ka pushtuar së bashku me Saimir Tahirin një kat të ndërtesës së Partisë Socialiste dhe drejton të gjithë aktivitetin e kësaj partie.

Ka marrë një pjesë të madhe me Oltion Bistrin të misionit që kishte Ergys Agasi.

Ndër të tjera ka bërë një vizitë në Shkodër dhe sipas burimeve është takuar me Enver Bajrin konkretisht.

Pra, është Lubia që kontrollon Ramën dhe Rama kontrollon SPAK-un.

Ndaj dhe ndonëse flitet me të drejtë se do ketë një mandat të dytë arresti, por unë shoh që më shumë po pritet mbyllja e parlamentit dhe moslëshimi i këtij mandati. Druaj.

Ben Hasani: Përshëndetje Doktor, Edi Rama në fjalimin e tij kilometrik sot ia hodhi fajin rrjeteve sociale për protestën qytetare që sonte pritet të jetë më e madhja. Siç duket, Edi Rama nuk shikon asnjë problem tek vetja dhe qeveria e tij, por sipas tij fajin e ka algoritmi. Si i komentoni këto qëndrime?

Sali Berisha: Unë këto qëndrime i komentoj si trillime, si fantazi e sëmurë, si verbëri nga pushteti i Edi Ramës.

Unë dua të theksoj këtu se dosja e Zvërnecit është fund e krye përgjegjësi direkte e Edi Ramës për mungesën totale të transparencës dhe dhunimin nen për nen të ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare.

Edi Rama përpiqet të fshihet, por mesa kuptoj unë, ai në mënyrë absolute ka mashtruar kompaninë dhe kompanitë pasi në kundërshtim me të gjitha kushtet ligjore, ai ka lëshuar lejen e zhvillimit, për hir të së vërtetës, çka ai e fsheh, ai ka lëshuar në janar të këtij viti edhe lejen e ndërtimit.

Dhe ka lëshuar lejen e ndërtimit për tre blloqe.

Dhe kompania me noter ka kërkuar anulimin e lejeve të ndërtimit.

Edi Rama i fsheh të gjitha këto.

Edi Rama tani përpiqet t’i vendosë në ligj gjërat, por mashtron.

E kam thënë dhe e them përsëri se Shqipëria, si vend i cili negocion me BE-në për integrimin e plotë në BE, është e detyruar ligjërisht që çdo hap që ndërmerr në drejtim të zonave të mbrojtura, peizazheve të mbrojtura, rezervateve të paprekshme natyrore, parqeve kombëtare, është e detyruar të respektojë me përpikmëri ligjin evropian Natyra 2000 dhe direktivën e BE për habitatet dhe zogjtë që janë të viteve 2006-2008.

Të ndalemi pak këtu.

Edi Rama ka kryer një krim të shëmtuar duke ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura dhe duke i krijuar dorës së tij të zezë për t’u shtrirë aty ku nuk duhet të shtrihet.

PD e kundërshtoi me forcën më të madhe atë ndryshim dy vite më parë.

Komisioni Evropian ka kërkuar largimin e amendamenteve që bëri ai.

Edi Rama mashtron kur thotë se nuk kemi ndryshuar gjë.

Përveç kësaj, ka një ligj që ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit apo zhvillimit aty ku ka konflikt gjyqësor privat.

Dhe sot aty ka disa konflikte gjyqësore dhe ai bën lojë fjalësh.

Jo, nëse ka konflikt gjyqësor, pritet zgjidhja e konfliktit.

Dhe kur mbrapa lind konflikt gjyqësor, ligji thotë se palës së dëmtuar i përgjigjet qeveria.

Edi Rama ka shumëzuar me zero komunitetin lokal, kusht themelor i Konventës së Aarhusit, konventë në të cilën Shqipëria është palë dhe detyron palët që për çdo veprim në zonë, duhet të konsultohen me komunitetin lokal.

Edi Rama ka dhënë lejet e ndërtimit dhe lejet e zhvillimit pa u bërë, siç kërkon direktiva evropiane dhe ligji shqiptar, pa u bërë vlerësimi i mjedisit, pa ua bërë vlerësimi i përshtatshmërisë që është kushti i parë.

Asnjë nga këto hapa nuk është bërë.

Tani thotë se po bëhen. Po duheshin bërë më përpara.

Sepse në qoftë se vlerësimi i papërshtatshmërisë thotë se nuk mund të investosh, nuk mund të investosh.

Kjo direktive nuk është pa garant. Është gjykata evropiane e Luksemburgut që gjykon njëlloj si për të drejtat e tjera çështjet e mjedisit me rreptësinë më të madhe.

Edi Rama të gjitha këto i ka mbuluar sikur ta kishte pronë të tij.

Sikur po punonte në oborrin e tij. Edhe në oborrin e tij nuk mund të punonte në këtë mënyrë.

Ai ka mashtruar, ka vepruar si sulltan i një sulltanati mesjetar.

Kështu që nuk e kanë fajin as algoritmet, as influencerët, as interneti jo e jo, po fajin e ka ai që e konsideron Shqipërinë çiflig të tij dhe që për interesa të veta është i gatshëm të marrë çdo vendim.

Lida Xh: Një pyetje e drejtpërdrejtë për Berishën. Nëse më 5 qershor ishit kundër kësaj proteste, pse sot bëni thirrje për t’u bashkuar? Kjo protestë lindi nga qytetarët dhe shumë prej tyre nuk duan ta shohin të politizuar. Ndoshta për një herë të vetme do të ishte mirë të dëgjohej zëri i popullit dhe të respektohej iniciativa e tij pa u përpjekur t’i vihet flamuri askujt.

Sali Berisha: Absolutisht asnjë përpjekje, e nderuar zonjë.

Të garantoj që nuk është bërë asnjë përpjekje. Por mos harro një gjë: kemi 13 vite që protestojmë. Mos harro një gjë, se vetëm për periudhën që patëm Kuvendin e këto, po ne ishim në protestë kundër Edi Ramës, kërkonim largimin e tij.

Dhe 5 kërkesat e protestuesve janë njëkohësisht kërkesa, kanë qenë dhe janë betejat edhe tonat.

Atëherë, cili ka qenë qëndrimi ynë?

E para, ajo që thoni ju: nuk është protestë e PD-së.

E dyta: asnjë paraqitje e simboleve të Partisë Demokratike në protestë, sepse është protestë rinore qytetare.

E treta: thirrje për pjesëmarrje masive si qytetarë.

Besoj se këtu, çfarë mund t’i thoni ju një populli që ka 13 vite që proteston kundër Edi Ramës dhe kauzat e veta, ‘që të mos protestojë, ta heshtësh tani’? Kjo nuk do të kishte kuptim. Dhe e fundit: pavarësisht nga thirrjet e dirigjuara tërësisht nga opozita e opozitës dhe grupuskula të Sorosit, kundër Sali Berishës, për të ndihmuar Edi Ramën, me qëllimin e vetëm për të relativizuar dhe ndihmuar Edi Ramën.

Thirrja ime ka qenë: të gjithë në protestë!

Qytetarët kanë të drejtë të brohorasin si të duan, kurse ata të cilët mendojnë se duke shfrytëzuar mikrofonin mund ta manipulojnë atë protestë, ata do dështojnë.

Jam dakord me ty, ajo është protestë strikt rinore qytetare. Ndaj edhe nuk kam marrë pjesë. Edhe sot shfrytëzoj rastin të bëj thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike nga Pogoni, Kakavija, në Vermosh dhe në Valbonë, të vërshojnë drejt Tiranës në protestën më madhështore të kombit. Qytetare, rinore, jo partiake.

Adelina Dragoshi: Zoti Berisha, në protesta ka thirrje Berisha në burg, por ju keni qëndruar 333 ditë në arrest të padrejtë me urdhër të Edi Ramës për hetimet lidhur me një firmë që kanë përfituar mijëra ish-pronarë. Firma juaj ka qenë për një vendim kolegjial, ndërkohë Edi Rama ka firmën në projekte ndërtimi ku janë pastruar mbi 3 miliardë euro para drogë. Mes tyre për Hajrin apo personazhe të tjera. A keni një koment për këto që përmenda?

Sali Berisha: Unë dhashë një shpjegim, kjo është thjesht një thirrje e atyre që nuk u bënë dot opozitë për shkak të lidhjeve me qeverinë dhe bëjnë opozitën e opozitës.

Për të mos thënë tjetrën, që dy ditë më parë, Taulant Balla Yaris deklaroi se ai është promotori i kësaj thirrje.

Unë, natyrisht nuk impresionohem nga një thirrje e tillë, as nga përpjekja për të mbrojtur Edi Ramën duke përdorur emrin e Sali Berishës.

Këto janë gjëra krejtësisht të parëndësishme në raport me gjigantin, me uraganin rinor qytetar.

Dhe qëndrimi im ka qenë ndaj të gjithë demokratëve, që kurrë degëzat, gjethet nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste.

Muharrem Kurti: Përshëndetje doktor Berisha, sot në protestë kombëtare kanë ardhur edhe shumë nga diaspora. Parashikimi juaj për fatin e Ramziut dhe të qeverisë së tij, e para. Dhe e dyta, elektorati i djathtë pret prej jush qeverinë në hije.

Sali Berisha: E vërtetë, Muharrem. Ka një vërshim të jashtëzakonshëm, të paparë dhe të paprecedent drejt Tiranës.

Zoti i bekoftë të gjithë ata që lënë çdo gjë dhe vërshojnë sot nga të katër anët e dheut dhe të katër anët e Shqipërisë, të gjithë shqiptarët kudo që janë, drejt Tiranës dhe kësaj proteste shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Natyrisht, ne e ndjekim me shumë vëmendje. Partia Demokratike ka të gjithë vizionin, të gjithë potencialet, dhe po bën çdo përpjekje dhe do bëjë që shqiptarët të votojnë të lirë.

Dhe do jenë vota e lirë e shqiptarëve që do përcaktojë qeverinë e ardhshme të këtij vendi. Faleminderit.

Sahit Muja: Doktor, agjencitë më të fuqishme të botës po godasin narkomafian e lidhur ngushtë me qeverinë. A mund të krijojmë një qeveri teknike që siguron klimë për zgjedhje të lira, pasi dihet botërisht, narko-qeveria blen votat me paratë e krimit?

Sali Berisha: Pyetje shumë e drejtë, të përshëndet nga zemra ty dhe të falënderoj për pyetjen. Jashtëzakonisht e drejtë është pyetja jote dhe shqetësimi që ngreni.

Pikërisht këto ditë, bosët e karteleve të drogës po nxjerrin dhëmbët dhe po lëvizin me kërcënime më të mëdha ndaj kundërshtarëve të qeverisë.

Por përsëri, unë besoj se rruga më e drejtë, paqësore, është krijimi i një qeverie kujdestare, e cila do të përgatisë të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Edi Rama është në çdo aspekt një armik i egër i qenies së shqiptarëve, i votës së lirë.

Sahit, se ju jeni një investitor dhe i njihni mirë klimën dhe ligjet e vendit, një gjë duhet të them, që dosja e Zvërnecit, gjithçka po zhvillohet sot rreth atij problemi, është për shkak të hileve dhe mungesës së plotë të transparencës të Edi Ramës në atë dosje.

Në mënyrë absolute për shkak të mashtrimeve, të dezinformimit, të keqinformimeve, të qëndrimeve antiligjore të Edi Ramës dhe ajo solli këtë situatë.

A mund të imagjinosh një komunitet qindra vjeçar në atë zonë, që hap sytë në mëngjes dhe sheh rrethimin me tela me gjemba pa folur asnjë njëri me ta?

Dhe kur u vendosën tela, gazetarë të njohur e informuan Edi Ramën, ja ç’po ndodh, por nuk u ndje fare.

Pra, nuk është se ne jemi kundër investimeve të huaja, absolutisht jo.

Por çdo investim, çdo proces duhet të bazohet në ligj. Në ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar.

Ligji ndërkombëtar e detyron Shqipërinë të informojë dhe të diskutojë me komunitetin.

Ka një konventë për këtë, Konventa Aarhus.

Është direktiva e BE për habitatet.

Edi Rama i ka shkelur të gjitha dhe është autori i kësaj krize të thellë që kërkon ta paraqesë njëherë si pjellë e shërbimeve iraniane, greke, ruse, etj.

Pasi dështoi me këto, tani e ka fajin internetin, blogerët, etj.

Dhe nuk pranon asnjë përgjegjësi, është vetë autori, edhe në dosjen konkrete është absolutisht autori kryesor i saj.

Tos Doçi: Doktor përshëndetje. A mund ta sqaroni opinionin publik se përse në fillimet e protestës ju i dolët kundër?

Sali Berisha: Sali Berisha: Absolutisht nuk i kam dalë kundër. Edhe do sqaroj. Fatos, më keni bërë një pyetje shumë të mirë dhe të falënderoj.

Si është problemi? Së pari Zvërneci siç e di ti ishte paraqitur nga qeveria si një proces investim privat marrëveshje me privatët. Jemi dakord? Investim privat marrëveshje me privatët.

Kjo ishte paraqitja nga qeveria.

Deri këtu unë nuk mund të kisha asnjë lloj objeksioni kur një privat kërkon në përputhje me ligjin të zhvillojë pronën e tij.

Një gjë do ju them, ajo zonë ka një histori.

Në vitin 2014, George Soros, që kishte marrë licencë të shponte në det, u kthye dhe nguli sondat në lagunë. Dhe një nga ata që ngriti zërin më fuqishëm kundër tij ishte Sali Berisha.

Për hir të së vërtetës në atë kohë edhe dy tre mjedisorë, askush tjetër. Dhe kur kërkuam në parlament shpjegime, na thanë se ai, meqenëse e konsideroi të vështirë shpimin në det, kërkoi të shponte në lagunë.

Që t’i themi gjërat siç janë. Dhe nuk kishte dëmtim më të rëndë mjedisi sesa shpimi në lagunë. Së dyti, Akërnia, zonë e mbrojtur, ngjitur me Zvërnecin.

Protestuam, ngritëm zërin fuqishëm.

Në qoftë se është fjala për flamingot, edhe janë shumë të rëndësishëm. E them këtu, flamingot i zhduk aeroporti. E sigurtë që i zhduk aeroporti, se aty fluturojnë avionë mbi lagunë.

Dhe sido që të sillen, laguna nuk kursehet nga fluturimi i avionëve. Nuk pati ndonjë reagim tjetër.

Tani vijmë tek e thatë bukur ju, dy ditët e para jo më shumë, sepse sot po lexoja një shkrim të një grupi që nuk them është armiqësor, por gjysmë armiqësor ndaj Partisë Demokratike, grupi i Birn-it.

Trashëgojnë disa prej tyre të paguar nga George Sorosi e të tjerë, dhe thoshte që Partia Demokratike reagoi, u solidarizua me datën 8.

Unë u them këtyre zotërinjve për reagimin e solidarësisë, shkoni pak të paktën, fatmirësisht janë të gjitha të afishuara, dhe merrni pak reagimin e datës 3, 3 qershor, ku kam deklaruar këto që po deklaroj tani para jush.

Që Edi Rama ka shkelur ligjet e transparencës, ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Unë në qoftë se e them këtu, çdo procedurë do ishte bërë në përputhje me ligjin. Nuk ngrihem kundër ligjit unë. Jo. Është kultura ime, është bindja ime, ndjek ligjin.

Por konstatova që në fillim, sapo kam dënuar dhunë, mos gabohem ditë e hënë, kur kam dënuar dhunën ndaj qytetarit që u zvarrit në mënyrë shtazarake, dhe pastaj kam ndjekur.

Me shpejtësi kam konstatuar se Edi Rama kishte shkelur çdo ligj dhe ka një ekspoze të plotë, në qoftë se dëshironi të zgjatur, në grupin parlamentar me datën 3 qershor, ku unë informoj grupin se Edi Rama ka shkelur çdo procedurë dhe se ne nuk jemi dhe nuk mund të jemi kundër investimeve të huaja në përputhje me ligjin.

Kam deklaruar dhe deklaroj edhe sot, protesta nuk është e Partisë Demokratike dhe nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta akaparuar protestën, nuk ka moral aty.

Por mbështesim çdo protestë, të drejtën e qytetarëve për protestë dhe mbështesim çdo protestë.

Dhe kemi mbështetur, me qindra dhe mijëra demokratë, ju garantoj zoti Doçi, kanë qenë edhe janë të pranishëm në këtë protestë. Pra, kjo është e vërteta.

Pasi unë kam parë se Edi Rama kishte shkelur çdo ligj, se Edi Rama kishte bërë veprime të mashtronte, kishte dhënë lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, se kishte dhënë, më vonë doli se kishte dhënë dhe lejen e ndërtimit, dhe se i fshehte këto, atëherë sigurisht qëndrimi im ishte dënimi me forcën më të madhe i qëndrimeve të tij.

Bulent Tupi: Doktor, ka një orë që flet ai i gjati, është skuqur dhe sfazuar. Ju përveçse politikan, jeni edhe mjek, psikologjikisht nuk është mirë ky njeriu, se i korruptuar dhe hajdut e dimë që është…

Sali Berisha: Tani, e vërteta është se ai është i tmerruar dhe në një panik të pafund, i thonë është në desarrua, quhet sindroma e çrregullimit të rëndë psikik dhe psikologjik.

Nuk di se çfarë bën, bën gjeste fizike të pakontrolluara, por nuk ka kontroll edhe në ato që thotë.

Por e rëndësishme është që ai është në ditët e fundit të regjimit të tij dhe do bëhet përgjegjës për vjedhjet më të mëdha që u ka bërë kush shqiptarëve në histori.

Janë 12 miliardë euro të firmosura dhe të kaluara vetëm nga Thesari i Shtetit.

Kjo do të thotë taksa të qytetarëve shqiptarë, të cilët në masën 90-95 përqind janë vjedhur absolutisht.

Vetëm 5 përqind, sipas instituteve të pavarura, realizohen në Shqipëri.

Të tjerat vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen.

Edi Rama është sot një miliarder i pangopur që mendon çdo ditë si të shtojë miliardat e tjera.

Është një skllav i Lubi Ballukut pasi e ka pasur atë si sekretare në të gjitha vjedhjet.

Natyrisht ai mendon se duke folur tërkuzë gjatë, do mund të bindë, në fakt po bën të kundërtën, po bind edhe të vetët se ai është i mbaruar.

Edi Rama ka marrë fund!

Fatmir Selmanaj: Doktor, kush do ishin kërkesat e sakta ndaj qeverisë në këto momente nga ana e protestës?

Sali Berisha: Mendoj se kërkesa e saj është më e drejta e të gjithë të të drejtave, dorëheqje e menjëhershme.

Dorëheqje e menjëhershme, krijimi i një qeverie teknike jopartiake.

Pse jopartiake?

Nuk ka asgjë, një qeveri teknike mund të jetë jopartiake edhe sikur të mos ishte protesta, por sot kemi një protestë jopartiake.

Prandaj dhe krijimi i një qeverie jopartiake me misionin e përgatitjes së zgjedhjeve të reja.

Mendoj se ky do ishte shërbimi më i madh që do i bënin kombit dhe Shqipërisë.

Xhovi Nikolli: Doktor, Zoti të dhëntë shëndet dhe jetë të gjatë. A keni menduar se këto partiçkat e vogla që çirren me Salianjin, që po çojnë njerëz për të sulmuar juve dhe Partinë Demokratike, a mendoni se po ju dëmtojnë? Dhe kur do të dalin emrat për kandidatë për kryetar bashkie?

Sali Berisha: Mendoj se ata janë njerëz të damkosur, të cilët janë të gatshëm për çdo shpifje ndaj Sali Berishës dhe asgjë.

Nuk harroj ndonjëherë kur bëheshin konferenca shtypi te Mali i Tiranës për të lidhur Sali Berishën me Malin e Tiranës.

U them atyre faqezinjve shkoni merrni dosjen tani shihni lidhjet e Sali Berishës me Malin e Tiranës. Domethënë, gënjeshtra e tyre është më e madhe se Mali i Tiranës sot.

Natyrisht bëjnë vetëm një gjë, përpiqen të ngjyrosin kauzën madhështore, me gojët e tyre të pista përpiqen të ngjyrosin kauzën madhështore të protestës hyjnore qytetare dhe asgjë tjetër.

Po për kryetar bashkie?

Sali Berisha: Përgatitjet do fillojnë menjëherë. E keni shumë të drejtë shqetësimin, do fillohet menjëherë.

Besnik Pëllumbi: Doktor, në protestë dëgjova: Rama në burg, Berisha në burg. Ju e bëtë burgun nga Rama. Këta që kërkojnë burg për ju, kush janë se nuk del llogaria?

Sali Berisha: Këta janë, e kam thënë që në fillim. Është opozita e opozitës e cila përzgjedh si mënyrë, si mënyrë të bërjes forcë opozitare duke sulmuar opozitën e vërtetë dhe forcën kryesore.

Dhe zbaton natyrisht, ndihmon Edi Ramën sepse bën krahasime të pakrahasueshme.

Por kjo nuk ka penguar mua dhe nuk pengon kurrë dhe asnjë demokrat që të mbështesë me të gjithë potencialin e tij protestën.

Berisha: Edi Rama është autori i krizës dhe duhet të ikë një minutë e më parë. Në vlerësimin tim, protestuesit absolutisht nuk janë anti-amerikanë

Joni D: Doktor, Rama e cilësoi protestën si anti-Trump sot dhe jo kundër qeverisë. Kur u bë kaq pro-trampist dhe a janë anti-amerikanë këta protestues?

Sali Berisha: Në vlerësimin tim, në tërësi absolutisht nuk janë anti-amerikanë.

Natyrisht në protestë, si në çdo protestë gjigante, i ke individë apo grupuskula të vogël, anti-ky, anti-ai, e me radhë, me radhë.

Por ajo që po kërkojnë ata, ata kërkojnë në radhë të parë protestë kundër mungesës së plotë totale të transparencës së Edi Ramës.

Kundër brutalitetit të policisë dhe shkelmimit të të drejtave qytetare. Kundër mashtrimeve të mëdha publike.

Kundër vjedhjeve monstruoze të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Kundër spastrimit etnik të Shqipërisë.

Kundër shkatërrimit të shërbimeve nga vjedhjet në Shqipëri. Pra, kundër plaçkitjes dhe rrënimit të pasurisë shekullore, trashëgimisë kulturore. Ligjeve të dështuara. Kundër investitorëve të tij strategjikë, baronë droge siç po dalin gjithnjë e më shumë.

Kundër akuzave absurde për spiunazhe, për të tjera e të tjera në një kohë kur vetë është autori i të gjithë kësaj krize të thellë.

Pra nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat e Edi Ramës, ai është autori i krizës dhe duhet të ikë një minutë e më parë.

Silvja Andoni: Doktor, me sa duket nga propaganda e qeverisë po shtyhet gjithnjë e më shumë ideja se PS-ja dhe PD-ja janë bashkë. Diçka që duket e çuditshme kur ju keni denoncuar i pari aferat më të mëdha korruptive të Ramës. Si e shpjegoni këtë për qytetarët që shpesh bien pre e propagandës qeveritare ose e patericave të qeverisë?

Sali Berisha: Mendoj se kjo propagandë ka vetëm një qëllim. Qëllim shumë të ulët. Qëllim të mirëfilltë antidemokratik, antishqiptar.

Të krahasojë të pakrahasueshmet. Për të relativizuar krimet e mëdha të Edi Ramës. Për të relativizuar vjedhjet e 99% të 12 miliardë eurove paratë e buxhetit të shtetit në tendera, prokurime.

Për të relativizuar, le të na thonë pak, hajde të marrim krahasimin.

Me 12 miliardë, shihni çfarë është ndërtuar në Shqipëri. E ato 17 rrugë që u ndërtuan u shembën njëra pas tjetrës.

Merrni pak sa është ndërtuar me 3.8 miliardë gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike. Është ndërtuar në kilometra, 11 herë më shumë.

Janë ndërtuar në cilësi, nuk ka lëvizur asnjë prej tyre.

Në vitin 2013 kur u largua Partia Demokratike nga pushteti, çdo shqiptar dhe çdo pensionist merrte një rrogë apo një pension më të lartë se të gjithë rrogëtarët dhe pensionistët në vendet e rajonit përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë, vende anëtare të Bashkimit Europian.

Krahasoni pak ku janë sot, kanë zbritur të fundit.

Sali Berisha me këtë dorë nuk ka firmosur kurrë ndërtimin e asnjë vile, asnjë shtëpie, për asnjë zyrtar, për asnjë oligark dhe për askënd.

Edi Rama ka dhuruar miliona e miliona metër katrorë truall dhe dhjetëra e miliona sipërfaqe ndërtimi, vila luksoze për qeveritarët dhe biznesmenët e tij. Resorte turistike me para droge.

Pra, le t’i marrim pak t’i krahasojmë, por sot për sot e rëndësishme që kërkesat e opozitës, sepse është opozitë, dhe ajo është opozitë pa diskutim.

Po kërkesat e opozitës që janë sot edhe kërkesat e Partisë Demokratike të realizohen sa më parë.

Uran Koni: Doktor, dje bëtë denoncim për tokat e Vunoit. Një denoncim që ishte shokues për mënyrën e falsifikimit të pronave dhe përdorimit të tyre nga krimi i organizuar dhe pushteti. Dhe po dje nga protesta u bë deklarata nga një person se ju dhe familja juaj keni marrë 63 hektarë në Divjakë. Pse kjo?

Sali Berisha: Unë e dëgjova dhe u falënderoj për pyetjen. Natyrisht reagimi që u bë dje nga një person i paguar për një trillim të turpshëm, një përpjekje për të përbaltur Sali Berishën por edhe kauzën e protestës, është i turpshëm.

Fatmirësisht i dashur mik, Sali Berisha dhe fëmijët e tij janë sot të vetmit shqiptarë, të cilët janë hetuar për të gjithë veprimtarinë e tij 35-vjeçare, përfshi mbesat e mia vite para lindjes së tyre, që nuk mund të ndodhë kurrë, po këtu ndodh çdo gjë.

Dhe ata nuk kanë pasur kurrë dhe nuk kanë kurrë asnjë metër katrorë tokë publike apo private në Divjakë apo në ndonjë vend tjetër.

Nuk kanë përfituar kurrë një metër katror tokë, një qindarkë nga fonde publike dhe të gjitha janë të dokumentuara.

Kështu që kjo ishte një përpjekje për të sfumuar ato dokumente që unë paraqita ku në Vuno, toka e paraqitur si publike në hartë nga i ndjeri Artan Lame, për të cilin ai shkarkohet pesë ditë pas paraqitjes së hartës, është bërë me pronar Salvator Aliun, një qytetar supertrafikant nga Kavaja apo Elbasani.

Dhe që toka që paraqitej aty, paraqitej si ullishte kur ajo ishte në mes të pyllit me shkurre.

Dhe paraqitej si ullishte sepse ullishtat i janë ndarë fshatarëve, kurse shkurret dhe kullotat nuk janë ndarë.

Kartelat e pronës nuk kishin shitësin e pronës, certifikata jo e jo.

I ndjeri Artan Lame kishte vendosur kufizim mbi atë pronë, sepse një peshkaqen me lidhje me Vunoin, Rama me familjen e tij, duart e tij të zeza i ka aty.

Kjo është e vërteta dhe kjo dosje është një SPAK.

Po SPAK nuk e heton Edi Ramën, të harrojë kush se mund të hetojë SPAK-u Edi Ramën.

Përkundrazi, SPAK e mbron Edi Ramën sepse thotë toka u ble në vitin 2020, në një kohë kur absolutisht aty asnjë metër katror tokë nuk e gjen nën 100 euro, toka buzë detit, toka ishte blerë me 3-4 euro.

Salvator Aliu alias Edi Rama e kishte blerë apo shitur me 3-4 euro.

Alban Kola Caku: Përshëndetje doktor Berisha, jam Alban Caku, jam pjesë e grupit Demokratik në Itali. Në rast dorëheqje të Edi Ramës, cila mund të jetë zgjedhja e duhur për një qeveri teknike deri në zgjedhjet e lira?

Sali Berisha: Mendoj se qeveria teknike duhet të jetë një qeveri me specialistë, me ekspertë, me qytetarë dhe jashtë partive politike.

Ajo duhet të marrë, pa diskutim, votëbesimin në parlament, mbi bazën e një marrëveshje paraprake, por duhet të njohim që është një uragan gjigant rinor qytetar që ka marrë këtë kauzë në dorë.

Dhe PD me mbështet atë plotësisht si kërkesë të një populli opozitar qytetar, nuk ka krijuar parti, është në tagrin e tij të veprojë si të dojë, por zhvillimi është historik.

Berisha: Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë sot më shumë se kurrë në bulevardin dhe rrugët e Tiranës për të mbështetur këtë protestë

Arbër Mitrushaj: Përshëndetje zoti Berisha, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, dua t’ju bëj dy pyetje. E para, pas protestave dhe tensioneve të fundit politike në vend, cili është plani konkret i opozitës për të sjellë ndryshim politik dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të besueshme? E dyta, nëse opozita vjen në pushtet, cilat do të jenë tre vendimet e para që do të merrni për të luftuar korrupsionin dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Së pari, për zgjedhjet, opozita siç mund ta dini zoti Mitrushaj, ka arritur të sanksionojë në të gjitha dokumentet ndërkombëtare se zgjedhjet në Shqipëri ishin zgjedhje në kushtet e partisë-shtet.

Pra ishin farsë zgjedhore. Dhe kjo ka bërë, ose për këtë arsye qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka uruar Edi Ramën pas instalimit të tij me mandatin e katërt, kurse Parlamenti Europian në raportin që miratoi, Parlamenti Europian që miratoi para 3-4 ditësh, bën fjalë për një shkrirje të linjës ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe partisë së Edi Ramës.

Kjo është një arritje e rëndësishme. Pra, pse është shumë e rëndësishme? Sepse është faturuar që Edi Rama nuk ka legjitimitet si qeveri. Dhe natyrisht ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë betejën tonë.

Nuk kemi thirrur protestë gjatë këtyre ditëve, për arsye se nuk e gjykuam të drejtë të rivalizojmë një protestë qytetare-rinore, por e gjykuam më të drejtë që anëtarët dhe mbështetësit tanë të jenë të pranishëm me qindra dhe mijëra në këtë protestë, dhe kjo po ndodh.

Floriana Garo: Këto ishin pyetje Doktor, një përmbyllje…

Sali Berisha: Edhe një herë, dua të ftoj çdo qytetar dhe qytetare shqiptar, çdo mbështetëse dhe mbështetës, anëtar dhe anëtare të Partisë Demokratike, sot më shumë se kurrë, të vërshojmë drejt bulevardit, shesheve dhe rrugëve të Tiranës, të mbështesim këtë protestë, kauza e së cilës është kauzë e çdo qytetari që beson në lirinë, vlerat e saj.

Që beson se vota e lirë duhet të përcaktojë qeveritarët e këtij vendi.

Që beson se zgjedhjet e lira janë kushti më themelor për një komb që të ketë të ardhmen që meriton.

About Redaksia

Check Also

“Det i paparë njerëzor”/ Berisha poston videon e protestës madhështore

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka postuar në faqen e tij ne facebook pamjet madhështore …