Qytetarët protestues shqiptarë kanë vetëm një algoritëm: DORËHEQJEN E EDI RAMËS!

Nga Bujar Leskaj

Ditën e djeshme, kreu i sektit Rama, në një takim me deputetët dhe kabinetin e tij, mbajti një fjalim të gjatë që nuk solli as reflektim, as përgjegjësi politike dhe as transparencë e llogaridhënie përballë qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, ai dëshmoi qartë ankthin dhe panikun që e ka përfshirë këto 21 ditë, nga protesta qytetare shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Në vend që t’u japë përgjigje qytetarëve shqiptarë për skandalet, korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe mungesën e llogaridhënies, ai zgjodhi të flasë për veten, duke ngritur një mur justifikimesh dhe retorike boshe.

Shqiptarët, këto 21 ditë protestë e revoltë qytetare presin përgjegjësi nga njeriu që ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë, por kanë marrë vetëm një shfaqje politike të mbushur me nervozizëm, paranoja, frikë dhe shmangie të së vërtetës.

Për 13 vite me radhë, qeverisja e sektit Rama ka prodhuar centralizimin e pushtetit, dobësimin e institucioneve të kontrollit dhe mungesën sistematike të transparencës e llogaridhënies. Në vend të llogaridhënies publike, qytetarëve shqiptarë këto 13 vite u është ofruar propagandë, arrogancë, korrupsion e keqqeverisje.

Në vend të meritokracisë, është ndërtuar një sistem klientelist që ka favorizuar një grusht individësh në kurriz të interesit publik.

Në vend të një qeverisje në shërbim të interesit kombëtar, është konsoliduar një sekt njerëzish që rrotullohen rreth dëshirave dhe orekseve të një njeriu, të Edi Ramës.

Autokrati Rama tregoi edhe një herë se është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Ai foli për protestuesit si për një fenomen që nuk po ndodh, sikur nuk është e vertetë, të cilën ai në vazhdën e paranojave që kapin “autokratët” në fund të regjimit të tyre, i quajti algoritëm.

Por qindra mijëra qytetarë nuk janë algoritme, nuk janë statistika dhe as instrumente propagande.

Ata janë njerëz, qytetarë të lirë, të ndershëm të këtij vendi që kërkojnë llogari për mënyrën se si është qeverisur vendi, për pasuritë publike, për korrupsionin, për varfërinë dhe për mungesën e perspektivës. Njerëz që janë ngritur kundër këtij sistemi kleptokrat, antikombëtar, 13 vjeçar.

Kur një qeveri refuzon të dëgjojë qytetarët dhe kur një drejtues e sheh çdo kritikë si kërcënim personal, atëherë kemi të bëjmë me simptomat e një pushteti që ka humbur kontaktin me realitetin.

Autokrati Rama po përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi i revoltës qytetare, duke e reduktuar atë në çështje të veçanta, ndërkohë që protestuesit kanë artikuluar qartë arsyen e ngritjes e revoltës së tyre: dështimin e një modeli qeverisjeje të ndërtuar mbi arrogancën, mungesën e transparencës dhe refuzimin e llogaridhënies.

Protesta qytetare nuk është ngritur vetëm për një çështje apo për një vendim të vetëm. Ajo është ngritur kundër një sistemi të tërë keqqeverisjeje. Kundër një modeli ku koncesionet, tenderët, pasuritë publike, energjia, portet dhe resurset kombëtare janë shoqëruar vazhdimisht me dyshime për favorizime, klientelizëm dhe korrupsion. Kjo është arsyeja pse kërkesa e protestuesve nuk kufizohet në një problem të vetëm, por synon rikthimin e përgjegjshmërisë politike dhe të kontrollit demokratik mbi pushtetin.

Sot në ditën e 21-të, mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, vazhdojnë të protestojnë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, arrogancës së pushtetit dhe mungesës së thellë të llogaridhënies që ka karakterizuar qeverisjen e sektit Rama. Ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie, drejtësi dhe rikthimin e besimit tek institucionet.

Kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe të panegociueshme:Dorëheqjen e menjëhershme të autokratit Rama dhe largimin e qeverisë aktuale, si e vetmja mënyre dhe e vetmja kërkesë e panegociueshme për qytetarët protestues; Krijimin e një qeverie teknike që garanton proces të drejtë zgjedhor dhe stabilitet institucional deri në zgjedhjet e ardhshme; Shfuqizimin e ligjeve të kontestuara që konsiderohen në kundërshtim me interesin publik dhe që kanë favorizuar interesa klienteliste dhe oligarkike; Rishikimin e Kodit Zgjedhor për të garantuar barazinë e votës, lista të hapura, përfaqësim më të drejtë politik dhe kufizim të përqendrimit afatgjatë të pushtetit; Forcimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel të qeverisjes.

Jo vetëm i shkëputur nga realiteti, me gjuhë paniku e arrogance, ku fjalimet e rrëfimet i jep vetëm para “të tijëve”, por kreu i sektit po përdhos dhe denigron simbolet tona kombëtare me gjuhë përçarëse, ku bashkëkombasit tanë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, i quan terminologjikisht “diasporë”, duke treguar qartazi se edhe kësaj radhe kostumi i tij i përhershëm, si në 13 vite, është kostumi i një antikombëtari.

Sot, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë politike, kanë detyrimin kushtetues dhe moral të dëgjojnë zërin e qytetarëve protestues dhe të mbështesin kërkesat legjitime për më shumë, transparencë dhe përgjegjësi publike.

Revolta qytetare që po zhvillohet sot nuk është thjesht një lëvizje çfarëdo qytetare. Ajo është një kërkesë e drejtpërdrejtë për rikthimin e llogaridhënies në qeverisje, për fundin e pandëshkueshmërisë dhe për rivendosjen e standardeve demokratike. Sa më gjatë që autokrati Rama të refuzojë të dëgjojë jehonën e protestës, aq më i madh bëhet hendeku mes pushtetit dhe qytetarëve.

Nga një analizë gjithëpërfshirëse e botuar në të përditshmen e gazetës “Sot”, me autor opinionistin tejet të spikatur Ilir Dako, po citoj një pasazh: “Zullumet e këtij kryeministri flenë si gjaku i Makbethit në duart e tij, ku çdo pasuri e grabitur, çdo krim apo bashkëpunim me krimin i rëndojnë ndërgjegjen dhe i kanë kallur datën nga shtëpia pa qera që ka përgatitur drejtësia”.

Koha e justifikimeve ka mbaruar. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi. Kërkojnë transparencë. Kërkojnë llogaridhënie. Dhe mbi të gjitha, kërkojnë ndryshim. Qytetarët protestues shqiptarë kanë vetëm një algoritëm: DORËHEQJEN E EDI RAMËS!

About Redaksia

Check Also

Rama – “Fuori Gioco”

Nga Agim XHAFKA Pasi bëri armik plot e plot kosovarë, maqedonas, iranianë e disa media me …