Gazeta gjermane: Shtohet presioni mbi Ramën, 200 mijë njerëz dolën të shtunën në shesh!

Nga Tobias Zick, SUEDDEUTSCHE ZEITUNG

Presioni mbi kryeministrin Edi Rama vazhdon të rritet dhe po vjen gjithnjë e më shumë edhe nga jashtë vendit.

Të mërkurën e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi një deklaratë në të cilën i kërkon qeverisë së Shqipërisë, vend kandidat për anëtarësim në BE, të ndalojë deri në një njoftim të dytë punimet e planifikuara ndërtimore në zonat e mbrojtura natyrore, si dhe procedurat e lejeve që synojnë realizimin e tyre.

Njëkohësisht, eurodeputetët kërkojnë të shfuqizohet një ndryshim ligjor i vitit 2024, i cili lejon projekte të tilla ndërtimi në kushte të caktuara – sipas tyre, ai nuk është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Rama reagoi më pas me një postim në Instagram, ku kritikoi atë që e konsideroi si një reagim të tepruar dhe u përpoq të qetësonte situatën: “Flamingot do të mbrohen”.

Flamingot

Flamingot janë bërë shpendi simbol e një lëvizjeje të re proteste, e cila prej tre javësh po ushtron presion mbi Ramën dhe qeverinë e tij.

Shtëpia e flamingove është në fakt bregdeti shqiptar, veçanërisht zona e Lagunës së Nartës, e cila herë pas here krahasohet me Camargue.

Por ndërkohë ato shfaqen shpesh dhe në numër të madh edhe në Tiranë, megjithëse në formën e figurave prej kartoni dhe plastike.

Edhe gjatë ditëve të fundit, mijëra njerëz u mblodhën vazhdimisht në rrugët e kryeqytetit shqiptar. Kështu ndodhi edhe të shtunën në demonstratën më të madhe deri tani.

Sipas vlerësimeve, deri në 200 mijë njerëz kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria për të protestuar kundër qeverisë së tyre me pankarta (“Shqipëria nuk është në shitje”) dhe flamingo prej kartoni, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe korrupsion.

Shkaku i “Revolucionit të Flamingove” ishte një incident në fshatin Zvërnec pranë Lagunës së Nartës në fund të majit.

Disa qindra njerëz u mblodhën në plazh pasi punëtorët e ndërtimit kishin rrethuar një zonë të madhe me tela me gjemba.

Punonjës të një kompanie private sigurie sulmuan protestuesit, i goditën me gurë dhe tërhoqën zvarrë një prej tyre në tokë.

Videot e këtyre ngjarjeve shkaktuan më pas një valë zemërimi në të gjithë vendin.

Projekti i Kushner

Kështu shpërtheu një konflikt i hapur mbi një projekt për të cilin mediat shqiptare kishin raportuar disa herë që nga viti 2024: Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, planifikon përmes kompanisë së tij të investimeve Affinity Partners të ndërtojë disa resorte luksoze në Lagunën e Nartës dhe në ishullin përballë, Sazan.

Mbrojtësit e mjedisit, si për shembull nga EuroNatur, shohin në këtë projekt një kërcënim ekzistencial për “një nga ekosistemet bregdetare më të vlefshme të Evropës”.

Zona e deltës së lumit Vjosa, ku bën pjesë edhe Laguna e Nartës, është habitat për më shumë se 200 lloje zogjsh dhe dhjetëra specie të tjera, disa prej tyre të rrezikuara, si foka mesdhetare murg dhe breshkat e detit.

Dyshime për pastrim parash

Pas përplasjeve në Zvërnec, mediet shqiptare filluan të kërkonin më intensivisht përgjigje për pyetjen se kujt i përket toka pranë lagunës dhe në çfarë rrethanash ajo ka ndërruar pronar.

Kjo është një pyetje që po shqyrtohet edhe nga drejtësia shqiptare.

Më 13 qershor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se kishte lëshuar urdhër-arreste për 20 persona, të cilët dyshohet se i përkasin një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të drogës.

Mbi 110 milionë euro të sekuestruara

Prokuroria e Posaçme thuhet se ka sekuestruar depozita bankare me vlerë mbi 110 milionë euro.

Siç ka zbuluar rrjeti investigativ BIRN pas shqyrtimit të dokumenteve hetimore, projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme në bregdet dyshohet se janë përdorur për pastrim parash.

Sipas këtyre dokumenteve, përmenden edhe parcela toke ku në të ardhmen pritet të ndërtohen pjesë të resortit turistik të Kushner.

Megjithatë, BIRN thekson se nuk ka asnjë tregues që vetë Kushneri ose kompania e tij të kenë qenë të përfshirë në shkelje të ligjit.

Detaje të tjera janë zbuluar nga OCCRP, një rrjet ndërkombëtar i gazetarisë investigative.

Sipas OCCRP-së, më 10 qershor, me vendim të Prokurorisë së Posaçme, u sekuestruan mbi 110 milionë euro depozita bankare.

Paratë dyshohet se vijnë nga shitja e tokës në zonën e projektit pranë Lagunës së Nartës.

Edhe OCCRP thekson se nuk ka prova që Jared Kushner, bashkëshortja e tij Ivanka Trump apo investitorë të tjerë të përfshirë në projektin hotelier të kenë qenë në dijeni të akuzave dhe hetimeve të drejtësisë shqiptare.

Nuk është rasti i parë

Ky nuk është investimi i parë i dhëndrit të Trump në Ballkanin Perëndimor që rezulton shumë problematik.

Në dhjetor, Kushner u tërhoq nga një projekt hotelier i diskutueshëm në Beograd, kryeqytetin e Serbisë – gjë që shkaktoi pakënaqësinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri shqiptar Edi Rama mbrojti të mërkurën e kaluar projektin e Kushner në bregdet dhe kritikoi protestat në vend me fjalët: “Shqipëria është bërë një platformë për zemërimin anti-Trump në mbarë botën”.

Sipas tij, deri tani nuk janë paraqitur aplikime zyrtare për leje ndërtimi as për Zvërnecin dhe as për ishullin e Sazanit.

About Redaksia

Check Also

Kushtet e PE për Shqipërinë, PD kërkesë Kuvendit për mocion me debat

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin …