Berisha: Kufizimi i mandatit të kryeministrit në 2 mandate, PD plotësisht dakord, që nesër e votojmë këtë nismë!

Daniela Maloku, ReportTV: Duke qenë se ju e përfunduat këtë fjalë tuajën me protestën, do të doja që pyetja ime të fokusohej pikërisht tek protesta. Pas tre javësh qëndresë, protestuesit dolën me një listë kërkesash zyrtare, të artikuluara nga aktivisti Dritan Goxhaj, i cili po ashtu shkon edhe më tej dhe propozon në një farë mënyre një shkërmoqje të sistemit, duke artikuluar qoftë edhe në rrjetet e tij sociale se shteti duhet të shkojë drejt një asambleje me 101 të zgjedhur që zgjidhen me short, dhe më tej një qeveri tranzitore që ka një afat 12 mujor dhe që ka detyrën për të hartuar një kushtetutë të re dhe për të rimëkëmbur po themi institucionet. Ju vetë zoti Berisha, a jeni dakord me këto propozime të artikuluara nga zoti Goxhaj? Faleminderit.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari, në kërkesat e lexuara e të paraqitura nga Goxhaj, ripërsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës. Kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë, fuqimisht dhe kemi po atë thirrje. Së dyti, kërkohet, mos gaboj, jo s’gaboj fare se kjo është ndër pesë kërkesat e para, po shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate.
Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë.
Pse? Pse kjo? Sepse u bë e qartë se Edi Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Nuk lejon. Për këtë jo se e themi ne, tashmë e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri, ta përcaktojë kushtetuta, ta largojë kushtetuta.
Dhe të them dhe një gjë këtu si kryeministër: në qoftë se ti punon, punon për një program, tetë vite i ke absolutisht të mjaftueshme. Jo për zbatimin 100% të tij nuk them, po për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%.
Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, qëndron se ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Me farsë elektorale, me farsë elektorale. Dhe unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të kushtetutës.
Përsa u përket ligjeve të tjera, ju jeni dëshmitarë. Ata që përpiqen të fshijnë memorien është tjetër punë, memoria nuk fshihet. Kjo parti ka luftuar më shumë se kushdo tjetër kundër atyre ligjeve. Ka ndjekur çdo procedurë të mundshme kundër tyre, qoftë kundër amendimit të ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, për trashëgimisë kulturore, për koncesionet, PPP-të dhe investimet strategjike.
Rikujtoj një moment: në platformën tonë, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore. Pse? Kostoja e ndërtimit aty është disa herë më e lartë sesa në zonat e tjera dhe ato janë të paprekura. Po të shkoni ju, e kam dhënë shumë herë këtë shembull, po të shkoni ju 25 minuta përtej Shëngjergjit, është masivi i Bizës.
Janë zona, është Gurakuqi, janë zona fantastike malore. Dhe në atë distancë nga Tirana askush nuk i njeh, askush nuk i njeh. Ndaj dhe nuk kishim ne dhe nuk bënim paketën e maleve, jo. Por ne, ata që do investonin në zonat malore i linim 8 vite pa taksa. Kurse ky në zonat më thelbësore, në zonat bregdetare, ky i lë 10 vite pa taksa.

Daniela Maloku: Zoti Berisha më lejoni t’ju insistoj pak te pyetja ime sepse interesi im është të kuptoj se ku qëndron Partia Demokratike lidhur me propozimin për një qeveri tranzitore apo politike me të zgjedhur me short.

Sali Berisha: Qeveri tranzitore apo politike, po është problemi se e keni periodike ju këtë ndjekjen e kësaj konference. Unë jam këtu, para një jave kam propozuar një qeveri jo partiake tranzitore. Jo partiake!

Daniela Maloku: Pra, që të jetë e zgjedhur me short?

Sali Berisha: Jo, të votohet në parlament. Unë jashtë kushtetutës nuk dal dot. Askush kurrë s’mund të zbatojë fjalë, unë s’dal jashtë ligjit. Jam ky që jam, kam qenë ish-president, kam qenë ish-kryeministër.
Por ajo qeveri e përbërë nga jo partiakë, nga kreu tek ministrat e zëvendësat etj., ajo duhet të votohet nga parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë në zgjedhje vendin.
Unë nuk kuptoj këtë propozimin e tyre, unë nuk e kuptoj se a e kanë një qeveri jashtë votimit në parlament, jashtë kushtetutës, jashtë rendit kushtetues?

Daniela Maloku: Është propozim që e bën zoti Goxhaj në rrjetet e veta sociale, prandaj po synoj t’ju pyes lidhur me qëndrimin tuaj.

Sali Berisha: Unë kam kuptuar, dhe kjo është ajo që mbështes unë, unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë për një qeveri jo partiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, të cilën mbi bazën e një marrëveshjeje të forcave politike në parlament, do marrë votëbesimin e plotë.
Unë këtë mekanizëm di. Unë nuk di mekanizëm tjetër të instalimit të një qeverie brenda rendit kushtetues.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama dhe Balla po përbaltin heronjtë e luftës sepse janë antishqiptarë që kanë shitur shpirtin e tyre

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, prej ditësh Edi Rama dhe Taulant Balla kanë publikuar …