Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, duke deklaruar se ajo është përdorur për të mbikëqyrur kundërshtarët politikë të kryeministrit Edi Rama dhe për të transmetuar informacione të klasifikuara te grupe kriminale.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e lidhi emrin e ish-kreut të SHISH me grupin e Ergys Agasit, të cilin e përshkroi si një prej grupeve kriminale më të rrezikshme në Europë. Sipas tij, strukturat shtetërore dhe sistemet e informacionit janë përdorur për qëllime të paligjshme, në dëm të opozitës dhe interesave të Shqipërisë.
Berisha shtoi se përgjimet nuk kanë pasur në shënjestër vetëm përfaqësuesit e opozitës, por edhe kundërshtarët e mundshëm të Ramës brenda Partisë Socialiste. Ai foli për qindra regjistrime të paligjshme, të cilat, sipas tij, u janë përcjellë karteleve të drogës dhe personave që ai i cilësoi si armiq të Shqipërisë.
“Rama ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të karteleve të drogës dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare, në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda PS”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu pretendime për nxjerrjen e sekreteve shtetërore dhe transferimin e të dhënave nga sistemi TIMS. Sipas tij, informacionet e mbledhura nëpërmjet këtyre mekanizmave janë vënë në dispozicion të organizatave kriminale.
Berisha e cilësoi SHISH-in, gjatë drejtimit të Vlora Hysenit, si një institucion që, sipas tij, ishte kthyer në mbështetje të grupeve kriminale. Ai tha se ish-drejtoresha ishte e lidhur me grupin e Ergys Agasit dhe se ky grup kishte përdorur edhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të regjistruar opozitarë dhe përfaqësues të shërbimeve diplomatike.
Sipas Berishës, regjistrimet e diplomatëve përbëjnë shkelje të konventave ndërkombëtare, ndërsa të dhënat e siguruara nga servera të fshehtë, ku anëtarët e grupeve kriminale mendonin se komunikimet e tyre nuk mund të zbuloheshin, kanë nxjerrë në pah përmasat e fenomenit.
“Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit. Grupi ka përdorur AKSHIN dhe Vlora Hysenin për të regjistruar opozitarët, shërbimet diplomatike në shkelje flagrante të konventës së Vjenës. Regjistrimi i bandave kriminale nga servera të fshehtë, ku ata mendonin se nuk i dinte njeri, nxori në pah se krimi ishte gjigant. Gjuha jonë, shqipja, ishte e dyta e përdorur nga bandat. Jo se anëtarët e bandave të tjera kanë mësuar shqip, por se anëtarëve shqiptarë të bandave u është shtuar numri”, deklaroi Berisha.
Gazeta RD