Amerikanët me axhendë të ngjeshur/ Ambasadori dhe senatoret takohen me deputeten e larguar nga Rama

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një takim me deputeten e pavarur të Shkodrës, Marjana Koçeku, në kuadër të vizitës së një delegacioni të Kongresit Amerikan në Shqipëri.

Takimi, ku morën pjesë edhe senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ishte pjesë e agjendës së ambasadorit Wendt me përfaqësues të politikës shqiptare, gjatë së cilës u diskutuan zhvillimet politike dhe institucionale në vend.

Marjana Koçeku, e cila pas largimit nga Partia Socialiste vijon mandatin parlamentar si deputete e pavarur, ishte ndër përfaqësuesit e opozitës të ftuar nga Ambasada Amerikane për të marrë pjesë në këtë bashkëbisedim.

Takimi u zhvillua në një moment kur delegacioni amerikan po zhvillon një tur në Ballkanin Perëndimor, me fokus sigurinë rajonale, integrimin euroatlantik, bashkëpunimin me NATO-n dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Ambasadori Eric Wendt shoqëroi senatorët amerikanë edhe në takimet me Presidentin Bajram Begaj, drejtuesit e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në takimet me opozitën morën pjesë gjithashtu deputetët Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, si dhe kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Pas përfundimit të agjendës në Tiranë, senatorët amerikanë vijuan vizitën e tyre drejt Kosovës, ku parashikohen takime me përfaqësues të institucioneve dhe politikës vendase.

About Krye Redaktor

Check Also

Çfarë di Berisha për Vlora Hysenin dhe lidhjet e saj me kartelet e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit …