Protestuesi: Na kanë shkatërruar jetën! Më kanë kërcënuar, por nuk tërhiqem!

Në ditën e 27-të të protestës qytetare, një prej pjesëmarrësve ka mbajtur një fjalim të gjatë, duke denoncuar projektligjin për tokat bujqësore, gjendjen sociale dhe qeverisjen aktuale, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për politikat e ndjekura në vend.

Fillimisht, qytetari tha se kishte marrë kërcënime përpara protestës, të cilat i cilësoi ‘të vogla’, por që sipas tij nuk e ndaluan të dilte publikisht.

Më tej, ai bëri një falënderim për Dilaver Goxhajn, të cilin e cilësoi ‘atdhetar shqiptar me kontribut të jashtëzakonshëm’, duke theksuar rolin e tij në UÇK.

Në vijim të fjalës së tij, ai rrëfeu edhe historinë personale, duke thënë se është rritur në kushte të vështira ekonomike dhe ka punuar që në moshë të vogël.  Ai tha gjithashtu se ka kryer studimet me vështirësi dhe ka dhënë 44 provime shtetërore pa mbështetje financiare.

“Atëherë sot desha të jap një shpjegim. Kam marrë ca kërcënime përpara. Kërcënime të vogla, s’janë të mëdha, po për mua janë të vogla, po kam dalë me dhënë një shpjegim.

Një herë puna e parë dua të bëj një falënderim për një atdhetar shqiptar që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe unë dua t’ju them që unë kam qarë familjarisht kur e kam parë për kontributin e UÇK-së me gjithë djalin e vet.

Ky quhet Dilaver Goxhaj dhe s’ka shqiptar që s’duhet t’ia dijë emrin e këtij heroi.

Pastaj dua me u nis prapë me këtë ligjin e tokave bujqësore. Është një projektligj që është gati për miratim në parlament, për tokat bujqësore, që priten me iu shit vetëm të huajve. Kam nevojë dhe kam dëshirë me jua shpjegu pak shqiptarëve çfarë është ky ligj.

Ky ligj do të thotë që ne jemi pronarë tokash dhe do të vijë një i huaj do blejë 10 dynym. Dhe në qoftë se ky i huaj ka blerë ato 10 dynym, atij i lind e drejta të na zaptojë krejt pronat, sepse favorizohet ngaqë ka titullin investitor strategjik.

Që ta kuptojnë krejt shqiptarët, parlamenti do me votu një projektligj që i jep favor të huajve dhe jo shqiptarëve. Dhe çfarë është më e keqja, nuk ka thënë të evropianëve, por thotë të huajve. Dhe unë e pyes këtë Edi Ramën, kush janë këta të huaj? Përveç kësaj, unë i kam parë ca deklarata të Edi Ramës edhe unë e di qartë, se e ka kuptuar nga buron ky mllef dhe do t’ja shpjegoj tani.

Kam filluar punë në moshën 7-vjeçare. Jetonim në Mamurras, s’kam lindur në Mamurras, quhem Erald Zef Ndoj. Kam filluar punë në moshën 7-vjeçare dhe gjithë qyteti im njohin kush jam. Shtatë vjeç më janë çarë duart, më janë bërë gjak. Kemi mbajtur familjen se kemi lindur edhe jemi rritur në një familje të varfër.

Në shkollë kemi ngrënë dajak se shpesh herë më zinte gjumi pa bërë detyrat, dhe mësuesit nuk e dinin. Kam shkuar student me këpucë të grisura. Kam marrë 44 provime shtetërore me zotësi, pa asnjë lek. Kam 8 mijë studentë në shqiptari. Ky mllefi im, o zoti Edi Rama, vjen pak nga unë, se unë ta kam bërë hallall padrejtësinë që më ke bërë mua, më kanë ndjekur dhe më kanë shkatërruar gjithë jetën.

Po atë që unë nuk t’i bëj hallall Edi Ramës, do ta them tani kush është. Unë quhem Erald Zef Ndoj. Dhe Zef Ndoj është një nga themeluesit e Partisë Socialiste të rrethit Krujë. Dhe Zef Ndoj ka punuar 44 vjet mësues arsimtar dhe sot ka pension 100 euro. Dhe Zef Ndoj qan kur flet me mua dhe thotë më falni se kemi gabuar. Më thotë kemi gabuar sepse na kanë hyrë në parti kriminelë.

Që Edi Rama e di shumë mirë. E këtë nuk ta bëj hallall zoti kryeministër. Siç nuk të bëj hallall 36 vjet të nënës sime që ka punuar dhe është skllavëruar me na mbajt me bukë. Ndërkohë që ti ke vu kriminelë mbas krimineli duke shitur krejt Shqipërinë. Pra zoti kryeministër, ky mllefi im, zemërimi im, është si i krejt qytetarëve të kësaj proteste.

Lutja ime është mos të dorëzohemi deri në fund, sepse çdo gjë e ka një fund. Në qoftë se ne do pakësohemi, në qoftë se s’do grumbullohemi, ky do fitojë betejën. Por këtë s’mund ta fitojë kurrë betejën me njerëz të pastër si ne të gjithë bashkë. Na ruajt Zoti, e Zoti na ndihmoftë ta fitojmë këtë betejë se është beteja e ekzistencës. Janë duke u zhduk shqiptarët”, tha protestuesi gjatë fjalës së tij në protestën qytetare.

About Redaksia

Check Also

Skandali me përgjimet/ Si trafikantët e kokainës lëviznin paratë me makinat e ambasadës në Belgjikë

Nuk kanë munguar prej dekadash akuzat mes politikës se në trafikun e drogës janë përfshirë …