Dhuna ndaj protestuesve është dhunë ndaj Shqipërisë!

Nga Bujar Leskaj

Pardje, e martë 30 qershor, me dhunën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të lëvizjes qytetare për abrogimin e katër ligjeve abuzive për investimet strategjike, ndryshimet ligjore në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin e Paketës së Maleve dhe ndryshimet ligjore mbi ligjin t për trashëgiminë kulturore, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian, të miratuar pak ditë më parë.
Dje, me puç institucional, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, socialistët miratuan kalendarin e punimeve të Kuvendit, deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të kërkesës për shfuqizimin e katër ligjeve të mësipërme, të depozituar prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Kjo nismë ligjore e PD-së përputhet drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Ajo duhej të ishte përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajton çështje me interes themelor publik për Shqipërinë.
Prandaj dhe sot, ne deputetët e PD-së bojkotuam seancën parlamentare. Po sot, si deputet i Vlorës, dënoj me forcë dhunën e ushtruar nga policia mbi protestuesit përpara Kuvendit. Forcat e rendit duhet të jenë me qytetarët që protestojnë, dhe jo me sektin Rama.
Policia nuk është pronë e qeverisë. Nuk është as gardë e një partie politike. Policia financohet nga taksat e qytetarëve dhe ekziston për të mbrojtur rendin, ligjin dhe të drejtat kushtetuese të çdo qytetari, përfshirë edhe të drejtën për tubim paqësor.
Kur një qytetar del në protestë pa armë, pa dhunë dhe pa cenuar jetën e askujt, ai nuk është armik i shtetit. Ai është duke ushtruar një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta dhe nga standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Përgjigjja ndaj një proteste paqësore nuk duhet të jetë konfrontimi fizik, shkopi I policit, por profesionalizmi. Jo frika, por dialogu. Jo forca e panevojshme, por zbatimi proporcional i ligjit.
Një demokraci nuk matet nga mënyra se si trajton mbështetësit e pushtetit. Ajo matet nga mënyra se si trajton kritikët e tij. Pikërisht, në momentet kur qytetarët protestojnë, institucionet provojnë nëse janë në shërbim të ligjit, apo të interesave politike.
Shqipëria nuk ndërtohet, duke heshtur përballë dhunës ndaj protestuesve. Shqipëria ndërtohet duke mbrojtur ligjin, dinjitetin e njeriut dhe të drejtën e çdo qytetari për të folur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogari, pa frikën e represionit dhe të shkopit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Nëse forca përdoret kundër qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore, atëherë nuk dëmtohen vetëm ata që ndodhen përball Kuvendit. Dëmtohet besimi te shteti, dobësohet demokracia dhe vihet në provë vetë autoriteti moral i institucioneve ligjzbatuese, pasi sekti Rama në pushtet është krejtësisht i pamoralshëm dhe i papërgjegjshëm.

About Redaksia

Check Also

Bukuria që vret dhe që po shton plagë

Nga Ndriçim KULLA Nëse do të kërkohej një fjalë e vetme për të përshkruar Shqipërinë …