Berisha: Kryekërkesa e protestës është dhe kërkesa kryesore e PD, largimi i Edi Ramës dhe qeveri teknike 

Suela Gjedede: Në protestë dëgjohen thirrje ‘Rama në burg, Berisha në burg’ që reflektojnë pakënaqësi ndaj të dyja kampeve politike. Si e komentoni kontrastin mes masave të ndërmarra nga qeveria Rama ndaj protestuesve dhe mbështetjes politike që protesta mori nga Partia Popullore Europiane ku bën pjesë edhe PD-ja?

Sali Berisha: Për sqarim zonjë, mbështetja që mori nga Partia Popullore Europiane ishte rezoluta që paraqiti Partia Demokratike, në të cilën kërkoi mbështetje për protestën.
Kurse thirrjet, e kam theksuar dhe theksoj, ato thirrje as nuk e kanë penguar dhe as nuk do ta pengojnë kurrë Partinë Demokratike për t’i dhënë mbështetjen më të fuqishme protestës dhe do thoni ju pse?
Së pari, do të ishte tradhti e lartë po të mos mbështesje ata të rinj në idealet, ëndrrat, sakrificat e tyre.
Së dyti, të pesë kërkesat e tyre janë absolutisht kërkesa për të cilat Partia Demokratike ka vite që i mbron dhe lufton. Të gjitha ligjet që kërkohen të ndryshohen janë kërkesa shumë të drejta për të cilat ne i kemi kundërshtuar në komisionet parlamentare, i kemi kundërshtuar në deklarata publike, i kemi kundërshtuar në seancë parlamentare, i kemi kundërshtuar në dëgjesa publike, por në fakt për disa prej tyre kemi marrë dhe kemi paguar edhe çmimin për të cilin jemi krenarë.
Natyrisht, besoj se jemi dakord, kryekërkesa e protestës, prej 3-4 vitesh është dhe kërkesë kryesore e Partisë Demokratike: largimi i Edi Ramës dhe qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.
Atëherë, ke të drejtë, a mund të pengohej Partia Demokratike për shkak të disa thirrjeve të opozitës së opozitës apo grupeve të paguara nga Xhorxh Sorosi apo të tjerë e të tjerë me radhë?
Absolutisht jo. Nuk mund të pengohesh kurrë.
Partia Demokratike zgjodhi rrugën më të drejtë. Partia Demokratike deklaroi se kjo nuk është protestë e saj dhe nuk bën asnjë përpjekje as më të voglën për ta ngjyrosur atë.
Është një protestë rinore, qytetare në të cilën kanë marrë pjesë me qindra dhe mijëra demokratë, anëtarë dhe anëtare, mbështetës dhe mbështetëse të thjeshtë, por edhe drejtues dhe deputetë të Partisë Demokratike, që të gjithë pa përjashtim si qytetarë të thjeshtë, në moton e një lëvizje qytetare.
Pra, ne kemi qenë luajalë, kemi mbështetur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar me të gjithë potencialet tona dhe do ta mbështesim këtë lëvizje, pa asnjë interferencë në mënyrë kategorike në problemet e saj të brendshme.

About Redaksia

Check Also

“Rama nuk është më legjitim”/ Reagimi i deputetes që u largua nga PS në BBC

Fillimisht protestuan për flamingot, por tani turma në rrugët poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar Edi …