Qytetarja: Rama do të ikë, populli nuk dorëzohet!

Nga sheshi i mbushur me qytetarë dhe shqiptarë të diasporës, një protestuese nga Vlora u shpreh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me shitjen e pasurive kombëtare si Sazani, Narta dhe Zvërneci.

Ajo denoncoi rritjen e çmimeve, mungesën e drejtësisë dhe atë që e quajti kapje të shtetit nga oligarkët, ndërsa bëri thirrje për bashkim kombëtar, u shpreh se shqiptarët “janë të bashkuar si thupra e Skënderbeut”.

Përshëndetje të gjithëve. Kënaqësi e veçantë që këtë shesh e shikoj plot. Pavarësia nuk është një datë në kalendar. Është betim, është përgjegjësi, guxim për të gjithë ne që jemi këtu. Shqipëria jonë e ka bekuar Zoti, shumë e bukur, të gjitha i ka, po pse duhet të na shesin, pse nuk duhet ta gëzojmë ne që e meritojmë? Diaspora këtu çdo ditë vjen dhe ka ardhur, se toka jonë e thërret, ne nuk jemi vetëm. Këtu zemra e shqiptarit sot po buçet. Dua të thosha nja dy fjalë: unë jam nga rrethi i Vlorës. Kemi pasuri sa të duash, do Sazanin, do naftën e Zvërnecit, kemi lumenj të bukur sa të duash. Por qeveria i ka shitur, se mendon se ne nuk jemi gjallë, jo Sazanin, jo edhe Nartën, Zvërnecin nuk na i merr dot njeri, se ka zot, e ka emrin Shqipëri.

Doja të të thosha se kemi thënë shumë fjalë nga rilindësit tanë, unë doja ta mbyllja me dy rreshta. S’jam tribu, s’jam tribu, në këto male s’jam tribu. Kam lindur shqiptar dhe do të vdes këtu! Kjo është e jona, ta gëzojmë të gjithë bashkë. Mblidhuni o shqiptarë, kudo që keni shtegtuar, vendi ynë kurrë nuk ju ka për të harruar. Ne jemi këtu përditë e më shumë, do t’i gëzojmë bukuritë tona, sepse vendi ynë ka Zot, nuk është në duar të oligarkëve gjithmonë. Rama do iki sa më shpejt, mund të gënjejë pensionistët se janë të pafuqishëm, i gënjen me një gjel deti për Vit të Ri, por ua merr shpirtin përditë, me çmimet që kanë arritur në stratosferë.

Ne mos të flasim për drejtësi. Janë kalbur, janë bërë shesh e hi. Çdo dikaster në këtë qeveri nuk ka drejtësi. Ne jemi më të fortë, të përforcuar, sepse jemi të bashkuar si thupra të Skënderbeut. Një nga një mund të na thyesh, o Rama, na gënjeve ndër vite. Po shiko ky shesh përditë ç’po bëhet. Diaspora, dëgjoni, mblidhuni këtu, se ne nuk ikim pa ikur ai. Ne jemi më të fuqishmit dhe këtë e kemi treguar me këtë protestë që pas viteve ’90 është më e paqta që ka parë edhe Evropa po flet për ne. Uroj më të mirën sa herë që t’ju shikoj, mos u dorëzoni! Mos u dorëzoni, sepse e kemi fituar me gjak nga paraardhësit tanë për një të ardhme më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë. Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Raporti i fortë i OKB/ “Rekord heroine dhe kokaine nga Shqipëria drejt Europës

Shqipëria renditet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) ndër vendet …