“I prangosën duart, por jo ndërgjegjen”, motra e Nuredin Skraparit: Krimet e diktaturës nuk duhen harruar

Persekutimi i intelektualëve shqiptarë gjatë regjimit komunist dhe fati i specialistëve të naftës u rikthye në vëmendje në një aktivitet të organizuar sot nga Partia Demokratike, ku ishte i pranishëm edhe Kreu i PD, Sali Berisha.

Përmes dëshmisë së motrës së inxhinierit të njohur Nuredin Skrapari, u soll në kujtesë kalvari i vuajtjeve të një prej figurave të specialistëve së naftës, por edhe goditja që regjimi komunist i dha një brezi të tërë profesionistësh.

Motra e Nuredin Skraparit rrëfeu tre arrestimet, dënimet e njëpasnjëshme në burgjet më famëkeqe të diktaturës dhe përndjekjen ndaj atyre që, sipas saj, u dënuan jo për mungesë profesionalizmi, por për shkak të mendimit të lirë dhe refuzimit për t’iu nënshtruar diktaturës.

Nuredin Skrapari, një prej inxhinierëve më të njohur të naftës shqiptare, bashkëautor i hartave gjeologjike për zonat Finiq, Delvinë dhe Çarkan, përfundoi në Spaç, Qafë-Bari dhe Burrel, ku vuajti vite të tëra burgimi. Sipas dëshmisë së motrës së tij, ai u dënua në vitin 1974 me 10 vite burg për agjitacion e propagandë, në vitin 1976 me 20 vite si pjesë e të ashtuquajturit “grup i sabotatorëve të naftës”, ndërsa në vitin 1979 mori një tjetër dënim me 18 vite burg.

Gjatë revoltës së Qafë-Barit ai u dhunua barbarisht nga regjimi, duke pësuar thyerje të dhëmbëve dhe brinjëve, por arriti të mbijetojë deri në daljen nga burgu në vitin 1990. Historia e tij u soll si dëshmi e një prej kapitujve më të errët të diktaturës, ku sipas familjarëve u goditën njerëz të shkencës, dijes dhe profesionit vetëm për shkak të bindjeve të tyre.

Fjala e plotë

Të nderuar miq, kolegë dhe bashkëvuajtës të tim vëllai.
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berisha.

Ju falënderoj për gjithë mbështetjen dhe vlerësimin që i keni dhënë shtresës sonë dhe, në veçanti, për respektin e veçantë ndaj shtresës së intelektualëve të masakruar nga diktatura hoxhiste.

Sot qëndroj para jush jo vetëm si motra e Nuredin Skraparit, por si zëri i një familjeje që pati fatin të rritej pranë një njeriu të jashtëzakonshëm dhe, njëkohësisht, përjetoi dhimbjen ta shihte atë të paguante çmimin më të rëndë vetëm sepse nuk pranoi të mohonte të vërtetën.

Për ne ai ishte vëllai, biri, familjari. Për kuçovarët ai ishte djali model, nxënësi shembullor, kapiteni i ekipit të volejbollit, fizarmoniçisti, aktori dhe më vonë inxhinieri karizmatik, shumë njerëzor dhe human me të gjithë.

Për Shqipërinë ai ishte një inxhinier i shkëlqyer i naftës. Një mendje e ndritur që i kushtoi dijen dhe energjitë zhvillimit të vendit. Punoi me pasion për të zbuluar pasuritë e nëntokës shqiptare, duke lënë gjurmë në kërkimet gjeologjike dhe në zhvillimin e industrisë së naftës.

Ai besonte se shkencëtari i shërben atdheut me punën e tij dhe se e vërteta shkencore nuk mund të përkulet përballë interesave të pushtetit.

Ai ishte përgjegjës për rilevimin, në moshë shumë të re, të zonës Vurg-Delvinë dhe, njëkohësisht, bashkautor i hartave gjeologjike të naftës për zonat Finiq, Delvinë dhe Çarkan.

Por diktatura nuk i fali njerëzit që mendonin ndryshe. Ajo e rrëmbeu nga puna, nga familja, nga ëndrrat dhe e hodhi në burgjet më të tmerrshme të diktaturës.

Spaçi, Qafë-Bari dhe Burreli nuk ishin vetëm vende vuajtjeje; ato ishin vende ku regjimi përpiqej të shkatërronte shpirtin e njeriut.

E torturuan dhe e dënuan vazhdimisht, sepse ai pati guximin të thoshte atë që shumë e mendonin, por pak e shprehnin. Megjithatë, nuk ia dolën. I prangosën duart, por jo ndërgjegjen.

E mbyllën tri herë në qeli, e dënuan tri herë.

Në vitin 1974 u dënua për agjitacion e propagandë dhe për thyerjen e portretit të diktatorit me 10 vite burg.
Riarrestohet në vitin 1976 me grupin e sabotatorëve të naftës dhe dënohet më 17 qershor të vitit 1976 me 20 vite burg.

Riarrestohet përsëri, duke qenë ende në burg, në vitin 1979, me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kundërrevolucionare, revizioniste sipas tyre, për përmbysjen e pushtetit popullor. Nuk e di se nga do të përmbysej pushteti popullor nga burgu. Për këtë akuzë u dënua me 18 vite burg.

Riarrestohet dhe rrihet barbarisht, duke i thyer dhëmbët dhe brinjët, gjatë revoltës së Qafë-Barit. Zoti e shpëtoi që doli gjallë në vitin 1990.

Por nuk mundën ta detyronin që të hiqte dorë nga e vërteta.

Ai pati fatin e madh që punoi, mësoi, u hetua nga Sigurimi dhe u dënua në gjyq bashkë me kolegët e naftës, korifenjtë e naftës: Lipe Nashi, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Beqir Alia, Prokop Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi.

Për këtë arsye, titulli “Pishtar i Demokracisë”, i dhënë nga Presidenti, zoti Sali Berisha, më 14 nëntor 1995, në 30-vjetorin e krijimit të Institutit të Naftës dhe Gazit, me motivacionin: “Dha një kontribut të çmuar, shumë të çmuar, si specialist me aftësi të veçanta në fushën e gjeologjisë së naftës, i dënuar nga diktatura”, nuk është vetëm një dekoratë. Është një simbol i jetës së tij.

Është drita që ai mbajti ndezur në vitet më të errëta të Shqipërisë, kur shumë njerëz humbisnin shpresën.

Në 40-vjetorin e gjyqit famëkeq të grupit të sabotatorëve të naftës, Nuredini, si i fundit i mohikanëve, botoi librin amanet “Tragjedia e inteligjencës së naftës”.

Po citoj librin:

“Për të hedhur dritë mbi ato ngjarje dritë-hije, rrëqethëse dhe serioze që sollën kob për inteligjencën e naftës, në veçanti për korifenjtë e gjeologjisë shqiptare, të martirizuar me ardhjen në pushtet të regjimit komunist. Nisa të shkruaj, të shkarkoj nga kujtesa ime këtë peshë të rëndë e të dhimbshme njëherazi, të lë diçka të shkruar për tragjedinë e inteligjencës së naftës, si një akt drejtësie.

Ata njerëz të mëdhenj më përcollën vlerat më të mira të tyre, por edhe kujtimet e hidhura, vuajtjet dhe ndëshkimet e pamerituara nga regjimi i dhunshëm.

Nxitja më e fortë që më uli të shkruaj për ta qe dhimbja që më shkaktuan thyerjet dhe poshtërimet e personalitetit të tyre nga hetuesit.

Dhimbjen e kam përjetuar gjatë gjithë kohës që shkruaja “Tragjedinë e Inteligjencës së Naftës”.

Ne u martirizuam për lirinë e mendimit shkencor.

Kjo sprovë është një homazh për gjeologët e shquar të naftës, të cilët në historinë e këtij vendi do të shkëlqejnë si një kometë plot dritë për kontributin e dhënë.

Ata na nderuan dhe lanë pas dritë e pasuri për Shqipërinë dhe shqiptarët.”

Ky ishte citimi nga libri i tij.

Sot dua të përulem me nderim edhe para gjithë të burgosurve politikë shqiptarë. Ata ishin bijtë më të mirë të Shqipërisë. Ata sakrifikuan rininë, familjet, profesionet dhe jetën për të mbajtur gjallë ëndrrën e lirisë.

Ne u detyrohemi atyre jo vetëm kujtesën, por edhe detyrimin që të ndërtojmë një Shqipëri ku të drejtat dhe dinjiteti njerëzor të jenë të shenjta.

Të sigurojmë, përmes dëshmive tona të shkruara dhe kujtesës sonë historike, që kjo trashëgimi të përcillet te brezat më të rinj.

Ata nuk janë e shkuara jonë; ata janë themeli i lirisë që ne gëzojmë sot.

Për t’ju dhënë atyre dhe të vërtetave historike vendin që meritojnë, për kontributin e thellë në themelimin e demokracisë shqiptare dhe të lirisë sonë.

Në emër të familjes sime, i shpreh mirënjohje të thellë Partisë Demokratike për përpjekjen e saj që brezat e ardhshëm të jetonin në një vend ku fjala e lirë të mos ishte më krim.

Por një nderim të veçantë dua t’ua shpreh korifenjve të inteligjencës së naftës. Atyre që i dhuruan atdheut lumenj nafte dhe që diktatura i dënoi me pellgje gjaku dhe dënime pa fund.

Pjesën më të madhe të tyre unë i kam njohur në Kuçovë, sepse jetonin në të njëjtën lagje ku jetoja edhe unë.

Grupi i parë i intelektualëve, pionierët e nxjerrjes së naftës pas luftës: Stanislav Zuber, Riza Alizoti… Të varur dhe të pushkatuar, pa pasur sot asnjë varr ku t’u vendoset një lule.

Inxhinierët: Kostaq Stefa, … Jani, …

Grupi i dytë i korifenjve të naftës: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, të dy të pushkatuar, të cilëve edhe sot nuk u janë gjetur varret.

Lipe Nashi, Beqir Alia, Prokop Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari.

Vazhdojnë më tej inxhinierë të tjerë të talentuar: Kadri Rama, Thanas Nasto, Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Rapi, Toni Kristo, Luan Këllici.

Historia e tyre është historia e dashurisë më të madhe për atdheun.

Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk e ka mbyllur plotësisht kapitullin e së shkuarës. Ende kemi nevojë për më shumë drejtësi historike, për më shumë kujtesë dhe për më shumë respekt ndaj atyre që u flijuan.

Një komb që nuk nderon martirët dhe heronjtë e lirisë rrezikon të humbasë busullën e së ardhmes.

Sot nuk kërkojmë hakmarrje. Kërkojmë kujtesë. Nuk kërkojmë urrejtje. Kërkojmë të vërtetën.

Sepse vetëm mbi të vërtetën ndërtohet demokracia.

Dhe brezat që do të vijnë do ta mësojnë të gjithë historinë, sepse ajo është dëshmi se liria nuk na është falur; ajo është shpëtuar nga njerëz si im vëlla dhe të tjerë që guxuan të mos përkuleshin.

Lavdi të gjithë inxhinierëve të naftës që i shërbyen me ndershmëri këtij vendi.

Lavdi të gjithë të burgosurve politikë që, me vuajtjet dhe sakrificat e tyre, na lanë trashëgiminë më të çmuar: lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Korifenjtë nuk harrohen.

Ata vlejnë më shumë se një Nobel.

About Redaksia

Check Also

Protestuesi: 4 milionë euro për Kanye West, ndërkohë njerëzit vdesin nëpër spitale!

Protesta qytetare hyri sot në ditën e saj të 38-të, ku nuk munguan akuzat e …