Nga Nikola Kedhi për Newsweek
Shqipëria e ka retorikën si të ishte aleati më besnik i Shteteve të Bashkuara. Ka ardhur koha që edhe të qeveriset si e tillë.
Presidenti Donald Trump ka qenë i drejtpërdrejt për atë që pret nga aleatët: të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, të mbrojnë infrastrukturën strategjike dhe të godasin rrjetet kriminale që trafikojnë drogë dhe pastrojnë para të pista përmes vendeve të tyre. Këto nuk janë kërkesa të paarsyeshme. Janë, në fakt,parakushtet për të qenë një vend serioz.
Tashmë, kjo nuk është më një çështje abstrakte. Më 27 gusht, drejtuesi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, u tha ambasadorëve të të 32 vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel se Aleanca duhet të përshtatet, si pjesë e një rishikimi gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në Europë, që synon t’I shtyjë aleatët europianë drejt marrjes së përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen e tyre konvencionale. Uashingtoni u ka dërguar aleatëve një pyetësor ku u kërkon të tregojnë se çfarë po kontribuojnë realisht. Çdo vend anëtar po thirret të japë llogari për veten. Shqipëria duhet të pyesë me sinqeritet nëse është në gjendje ta kalojë këtë provë.
Në parim, Shqipëria duhet të ishte një rast i lehtë. Është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë. Ndodhemi në Adriatik, përballë Italisë, në portën hyrëse të Ballkanit. Duhet të ishim pikërisht ai lloj partneri që Uashingtoni kërkon.
Por ta duash Amerikën dhe të jesh një aleat i besueshëm iAmerikës janë dy gjëra të ndryshme, dhe sot po dështojmë nëkëtë të dytën.
Në samitin e NATO-s në Hagë vitin e kaluar, udhëheqësit e vendeve aleate deklaruan se prisnin me kënaqësi takimin e radhës në Turqi në vitin 2026, të pasuar nga një takim në Shqipëri. Këtë korrik, në Ankara, deklarata thoshte vetëm se udhëheqësit presin takimin e tyre të ardhshëm. Asnjë qytet ipërcaktuar. Asnjë datë e vendosur. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte konfirmoi më pas se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri, por ende nuk ka një datë dhe arsyeja pse kjo u hoqnga deklarata zyrtare nuk është një mister. Reuters raportoi disa ditë përpara takimit në Ankara se kundërshtimi nga administrata Trump dhe pakënaqësia mes aleatëve për nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen kishin vënë në pikëpyetje zhvillimin e samitit.
Ky nuk është vetëm një siklet diplomatik. Është një problem besueshmërie dhe përgjegjësia i takon qeverisë socialiste të Shqipërisë, e cila për më shumë se një dekadë e ka marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë, ndërsa e ka dobësuar vendin tonë nga brenda.
Problemi shkon përtej mbrojtjes. Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve për vitin 2025 e paraqet situatën qartë. Rrjete kriminale të drejtuara nga shqiptarë kontrollojnë zinxhirë furnizimi me kokainë që shtrihen nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe më tej, ndërsa të ardhurat pastrohen përmes vetë ekonomisë shqiptare, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Komisioni Europian thotë se Policia e Shtetit në Shqipëri mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit. Këto nuk janë sulme që vijnë nga jashtë. Janë konstatime të Uashingtonit dhe Brukselit.
Më 25 qershor, kongresmeni Joe Wilson, republikan dhe mik i Shqipërisë, paraqiti një amendament që kërkon hartimin e një raporti të klasifikuar nga Departamenti i Shtetit, në koordinim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, mbi përmasat e narkotrafikut në Shqipëri, mbi rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin e tij dhe mbi represionin politik në vend. Për një nga kombet më pro-amerikane të Europës, vetëm fakti që Kongresi po e shtron këtë pyetje duhet të shërbejë si kambanë alarmi.
Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kartelet dhe organizatat kriminale transnacionale janë kërcënime për sigurinë kombëtare dhe jo thjesht probleme të zbatimit të ligjit. Shqipëria duhet të fillojë t’i trajtojë në të njëjtën mënyrë: jo me më shumë fjalime dhe retorikë për miqësinë mes dy vendeve, por me prova konkrete me një mënyrë tjetër qeverisjeje.
Kjo do të thotë bashkëpunim real me autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit dhe ato financiare kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar: gjurmim të pasurive, zbulim të pronarëve të vërtetë përfitues dhe pastrim të policisë nga korrupsioni. Do të thotë t’i trajtojmë portet, aeroportet, rrjetet e telekomunikacionit dhe sistemin energjetik si asete strategjike me rëndësi për NATO-n, dhe jo si plaçkë që i jepet kujtdo që ka lidhjet e duhura politike.
Do të thotë gjithashtu të ndërtojmë një ekonomi që nuk funksionon mbi favore politike. Për vite me radhë, Shqipëria është rritur përmes sektorit publik, ndërtimit ku kanalizohen paratë e pista dhe turizmit, në vend të prodhimit dhe investimeve që krijojnë vlerë të shtuar. Taksa të ulëta, pronë private e sigurt, më pak burokraci dhe rregulla që nuk përkulen sipas interesave të klientëve politikë janë ato që mund ta shndërrojnë Shqipërinë në një platformë serioze për bizneset amerikane dhe europianeqë kërkojnë një bazë në Europën Juglindore.
Ne nuk do të prodhojmë kurrë avionë luftarakë. Por mund të bëhemi një qendër e vërtetë e mbrojtjes dhe logjistikës në Adriatik, një aleat që mban pjesën e vet të barrës dhe jo një vend që shfaqet vetëm për fotografi.
Mund të ndërtojmë një model ekonomik që funksionon për shqiptarët e zakonshëm. Një vend ku një çift i ri mund të përballojë blerjen e një shtëpie, ku një sipërmarrës i vogël nuk ka nevojë për një mik në qeveri për të marrë një leje dhe ku suksesi varet nga ajo që ndërton, jo nga personi i pushtetshëm që njeh. Një Shqipëri më e fortë ekonomikisht, ushtarakisht dhe teknologjikisht do të jetë një aleat më i besueshëm për partnerët tanë.
E djathta në Shqipëri ka besuar gjithmonë se të qenit pro-amerikan, sovranist dhe pro sipërmarrjes së lirë shkojnë së bashku. Ishte qeveria e Partisë Demokratike, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, ajo që e anëtarësoi Shqipërinë në NATO në vitin 2009. Kjo arritje, së bashku me bilancin tonë qeverisës në vitet 2005–2013, na ngarkon me përgjegjësinë për ta forcuar më tej lidhjen mes dy kombeve tona. Ndryshe nga qeveria që është sot në pushtet, ne kemi një plan për ta bërë këtë, sepse një Shqipëri e besueshme është po aq në interesin e Amerikës sa edhe në interesin tonë.
Me qeverisjen e duhur, Shqipëria mund të bëhet një vend të cilit Amerika mund t’i besojë inteligjencën, investimet, infrastrukturën strategjike dhe sigurinë. Shqipëria e ka pozicionin, historinë dhe njerëzit për të qenë një aleat i tillë. Tani duhet ta provojmë, përpara se Uashingtoni të arrijë në përfundimin se jemi hallka e dobët e Aleancës.
Nikola Kedhi është Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit Konservator Shqiptar. Artikulli është botuar në median amerikane Newsweek.
Gazeta RD