Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se protesta 41-ditore qytetare po merr mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se lëvizja po mbështetet nga spektri politik evropian dhe qytetarët e vendeve të lira.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje dhe shkelje të ligjit, ndërsa bëri me dije se PD do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një kallëzim mbi atë që e quajti “Libri i Kuq i Edi Ramës”, dokument që sipas tij përmban akuza për 523 vepra penale.
Berisha: Këtë javë përsëri Shqipëria ishte në krye të lajmeve në Evropë dhe në botë.
Kryengritja e fuqishme paqësore rinore qytetare, që kaloi 41 ditë me pjesëmarrjen më të madhe që nga vitet ’90 në historinë e vendit, ka fituar mbështetje dhe simpati të madhe ndërkombëtare.
Në këtë kuadër mund të them se kjo kryengritje po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian, por edhe qytetarët e vendeve të lira të Evropës.
Nga ana tjetër, Edi Rama damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur.
Libri i Kuq i Edi Ramës është 750 faqe aktakuzë për 523 vepra kriminale.
Është de facto trajtimi i Shqipërisë nga Edi Rama si çiflig familjar dhe dorëzim i këtij çifligu në duart e mafies shqiptare dhe botërore.
Kurrë ndonjëherë, një qeveritar nuk do mund të guxonte as të imagjinonte të vepronte në këtë mënyrë përveç këtij bastardi, që me mendësinë e bllokmenëve hoxhistë të cilëve u përket, beson dhe mendon se ai në Shqipëri është mbi Kushtetutën, mbi ligjet, mbi urbanistikën, mbi pronën, mbi mjedisin dhe ka synim më kryesor miliardat e tij.
Natyrisht ky është një aktakuzë që atë do ta ndjekë gjithë jetën dhe përfaqësuesit e protestës e kanë dorëzuar në prokurori akuzën e tyre, grupi parlamentar i PD do ta dorëzojë së shpejti po në prokurori një aktakuzë mbi të gjitha veprat penale të kësaj dosje.
Gazeta RD