Përpjekja e Shqipërisë për të siguruar organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s nuk ka dhënë rezultat, sipas një raporti të Bloomberg.
Media amerikane shkruan se lutjet e Edi Ramës ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, të cilin e përshkruan në titull si “Sulltani turk”, nuk kanë mjaftuar për të bindur aleatët që të konfirmojnë zhvillimin e samitit në Shqipëri.
Bloomberg shkruan se Edi Rama nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e Shqipërisë, kur liderët e aleancës u mblodhën javën e kaluar në Ankara.
Sipas raportit, në prag të takimit, Rama kishte lobuar intensivisht që Shqipëria të zgjidhej vendi pritës i samitit të NATO-s vitin e ardhshëm. Megjithatë, gjatë diskutimeve nuk u arrit një marrëveshje për ta caktuar vendin si mikpritës të samitit.
Media amerikane thekson se çështja mbetet ende e hapur, ndërsa brenda Aleancës po shqyrtohen alternativa të ndryshme për vendin dhe kohën e organizimit të takimit.
Pasiguritë lidhen edhe me zhvillimet politike brenda NATO-s dhe me shqetësimet për tensionet që mund të shoqërojnë samitet e ardhshme.
Deri më tani, NATO nuk ka shpallur një vendim përfundimtar për vendin mikpritës të samitit të ardhshëm, ndërsa diskutimet mes vendeve anëtare vijojnë.
Gazeta RD