Në një kohë që qytetarët shqiptarë presin shpalljen non grata të ministres serbe Snežana Paunoviq, e cila tha se, nëse do të mundej, do të kryente spastrim etnik në Kosovë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha publikon foto me homologun e tij serb, Marko Gjuriç. Hoxha, në postimin e tij, ku duket i buzëqeshur duke shtrënguar duart me Marko Gjuriç, tha se i përsëriti qëndrimin për deklaratat e papërshtatshme të Paunoviq, por ndërkohë nuk jep asnjë sqarim përse nuk ka thirrur ambasadorin e Serbisë në Tiranë dhe përse nuk ka marrë të njëjtin vendim si qeveria e Kosovës për ta shpallur non grata ministren serbe të administratës.
Në një kohë që qytetarët shqiptarë presin që qeveria e tyre të shpallë non grata ministren e Vuçiçit, e cila tha se, nëse do të mundte, do të kryente spastrim etnik në Kosovë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, që për këtë deklaratë skandaloze ka bërë vetëm një reagim qesharak në platformën X, ka shkuar edhe më tej, pasi ka postuar një foto duke shtrënguar duart dhe duke buzëqeshur me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.
Siç duket edhe në këtë foto të postuar nga Ferit Hoxha, takimi me kryediplomatin e Vuçiçit, i shoqëruar me buzëqeshje, në një moment kur shqiptarët janë fyer dhe kërcënuar publikisht nga një zyrtare e lartë serbe, tregon, minimalisht, pandjeshmërinë e shtetit shqiptar ndaj asaj që ka ndodhur.
Në një postim në rrjetin social X, ministri Ferit Hoxha njoftoi se, gjatë takimit me homologun serb, ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, por, nga ana tjetër, Ferit Hoxha nuk ka thirrur për sqarime ambasadorin e Serbisë në Tiranë dhe nuk ka marrë vendim për shpalljen non grata të ministres serbe Snežana Paunoviq.
“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkruan ministri i Jashtëm shqiptar.
Edi Rama, i cili nuk reagoi fare për këtë çështje, u mjaftua dje me sulme ndaj kritikëve. Megjithatë, në asnjë rresht të postimit të tij në rrjetet sociale nuk e përmendi dhe nuk e dënoi deklaratën shokuese të ministres së mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.
Por, ndërkohë, vetë ministrja serbe Snežana Paunoviç nuk ka kërkuar ndjesë për këto deklarata; madje, ajo është mbështetur nga zëvendëskryeministri Ivica Daçiç.
Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpallë non grata ministren serbe Snežana Paunoviç.
Gazeta RD