Gjekmarkaj: Reforma territoriale nuk duhet të jetë atentat ndaj Shqipërisë, mos prekni identitetet e krahinave!

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, kundërshtoi në Kuvend një reformë të re territoriale, duke deklaruar se ajo nuk duhet të përdoret për interesa politike.

Sipas tij, reforma e vitit 2014-2015 dështoi dhe nuk duhet të përsëritet. Gjekmarkaj paralajmëroi kundër prekjes së identitetit historik të krahinave, duke përmendur veçanërisht Mirditën.

Gjekmarkaj tha se, Reforma territoriale e konceptuar në këtë mënyrë është atentat ndaj Shqipërisë.

Gjekmarkaj: Faleminderit zoti kryetar. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, ndonëse një koleg tha që mos flasim paraprakisht. Mendoj që është detyra jonë të flasim paraprakisht për reformën territoriale. Ju lutem shumë, i referohem edhe etikës personale të gjithësecilit, mos e konsideroni reformën territoriale si një atentat ndaj opozitës. Reforma territoriale e konceptuar në këtë mënyrë është atentat ndaj Shqipërisë, e provuar në vitin 2014-2015, dështoi. Nuk duhet të ndodhë përsëri një gjë e tillë.

Shqiptarët, për nga historia, kanë një lidhje të fortë me territorin dhe kjo vihet re kudo, tek albanologët, tek udhëtarët, të cilët e konsiderojnë këtë lidhje faktor jetik në mbrojtjen e gjuhës dhe të nacionalitetit. Dje dhe pardje, në portale pranë qeverisë, pashë një lajm i cili shpresoj shumë të jetë i rremë, i pavërtetë, sepse do të ishte një provokim i madh për krahinën e Mirditës, ku mendohej të shkrihej dhe t’i bashkangjitej krahinave të tjera.

Duhet t’ju kujtoj që kur nuk kishte Shqipëri, kishte Mirditë. 500 vjet identitet në përpjekje me perandorinë otomane më shumë se çdo krahinë tjetër e Shqipërisë. Shqiptar dje, shqiptar sot, katolik dje, katolik sot. Me këtë nuk dua të provokoj asnjë sentiment fetar, se çdokush e ka të drejtën e shenjtë të besojë tek Zoti në mënyrën që do, por nuk mund të zhbëhen identitetet kulturore, religjioze, etnike, nuk mund të provokohen krahinat e Shqipërisë për efekt elektoral, për t’i shërbyer Partisë Socialiste. Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Shpopullimi/ Berisha: Rama do të heqë edhe 20 bashki, zgjidhja e parë janë protestat e fuqishme në këto bashki

Klajdi Bodlli, SYRI TV: Zoti Berisha, jeni rikthyer ditën e djeshme në seancë, pasi nuk …