Boçi: Raporti për reformën territoriale i paligjshëm, mazhoranca po shkel rregulloren…

Deputeti i PD, Luçiano Boçi, akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores së Kuvendit në lidhje me raportin e Komisionit për Reformën Territoriale, duke pretenduar se dokumenti është paraqitur pa pasur një produkt zyrtar të miratuar nga komisioni.

Nga foltorja e Kuvendit, Boçi tha se mbledhja e fundit e komisionit nuk prodhoi asnjë raport, pasi rendi i ditës nuk u miratua për shkak të votimit kundër nga palët. Sipas tij, kryetari i Kuvendit nuk kishte bazë procedurale për ta futur këtë raport në rendin e ditës.

Boçi: Zoti kryetar, të them të drejtën sot më ke prekur me atë përgjërimin tënd epik për rregulloren. Ishe ti që nuk fusje në rendin e ditës pika që i nënshtrohen emocioneve, kërkesave të veçanta apo iniciativave personale. Se ti e do shumë rregulloren, ti je dashnori i rregullores, na e ke vërtetuar shumë herë një gjë të tillë. Po mirë, kam një pyetje shumë të thjeshtë: Meqënëse e do kaq shumë këtë rregulloren, si mundesh ti të fusësh në rendin e ditës një raport që vjen nga produkti zero i një komisioni? Zoti kryetar, në datën 15-të, është e vërtetë, ishte mbledhja e fundit e komisionit për reformën territoriale. Komisioni ka numër të barabartë deputetësh. Dhe mbledhja nuk ka vijuar sepse sigurisht është votuar kundër për rendin e ditës sipas propozimeve të palëve. Pra, komisioni nuk kishte produkt. Çfarë produkti ke marrë ti në shqyrtim në konferencën e kryetarëve? Ku e shpike?

E kishe në xhep të madh apo në xhep të vogël? Kush ta dha ty këtë produkt? Sepse procedurat dhe rregullorja që ti e do shumë nuk ta lejon zoti kryetar dhe do japësh përgjigje për këtë. Dhe për më tepër, pjesa e majtë vazhdoi mbledhjen çuditërisht. Ku, në parlament? I kujt është parlamenti? Parlamenti është i qytetarëve. Sepse mbledhja ndërpritet menjëherë dhe i fut në dispozicion të gjithë kanalet komunikuese, gjoja për të prezantuar këtë raport. Kë raport mo? Po zoti Balla, jam dakord. Komisioni ka procedurë.

Dhe procedurën e përcakton me projekt-kalendar. Kështu vepron edhe parlamenti, me projekt-kalendar. Nuk është hajde t’i biem si të duam ne, të fusim çfarëdolloj. Dhe ky projekt-kalendar është dokumenti zyrtar që është i detyrueshëm për kryetarin e kuvendit, sepse është dokument parlamentar i publikuar në faqen e kuvendit. Është i detyrueshëm dhe për komisionin. Dhe sipas projekt-kalendarit, ne jemi si komision tek pika 4. Raundi i parë i konsultimeve dhe dëgjesave publike në 12 qarqe që nuk ka mbaruar.

Dhe komisioni duhet të vazhdojë punën e tij me event me institucionet ndërkombëtare, ngritjen e një ueb-faqe për të pritur propozime zyrtare nga grupet e interesit. Raundi i dytë i konsultimeve tematike, zhvillimi i sondazhit publik. Raundi i tretë për dëgjesa dhe konsultime të karakterit juridik dhe pika e fundit është po paraqitja e raporteve. Po cilat raporte mo, nga erdhën këto raporte mo? Kush janë këto ekspertët tuaj, se komisioni ka ekspertë nga të dyja palët. Çfarë janë këto ekspertë mbi deputetët? Kë pyetët ju për këtë propozim që s’duhet…

Mendimin, sepse është shumë e rëndësishme. Unë nuk e di sa e keni… Kë pyetët ju? Pyetët deputetët tuaj? Asnjëri nuk e di se çfarë do bëhet me territorin e tij. E dinë ekspertët. Po votat kush i ka marrë? I keni marrë ju apo ekspertët? Kë pyetët mo? Qytetarët pyetët? Ja ku janë kërkesat e qytetarëve për dëgjesa. Keni dhe Konispolin, keni dhe Orikumin, keni dhe Fushë-Arrëzin. Keni këdo këtu që ka kërkuar. Kë keni pyetur? Kryetarët e bashkive? Në dëgjesat në qarqe, ne kemi qenë dëshmitarë. Ishin kundër ndarjes së propozuar. Kë keni dëgjuar?

Njerëzit tuaj janë kundër ndarjes që ju propozoni! Janë për shtimin e numrit të bashkive sepse duan shërbim dhe përfaqësim. Dhe kjo që po bëni ju është e turpshme. Të dali një këtu dhe të thojë unë e di ndarjen time, se flisni mund të bashkohet Librazhdi me Prrenjasin. Ku e gjetët këtë shpikje? Si do bashkohet? Sepse plotësojnë kriteret. Kë kritere, ku është diskutuar, ku është aprovuar, në cilin komision? Prandaj porosia ime është, hiqni dorë nga ai raportimi i seancës që vjen se nuk ka vlerë ligjore.

About Redaksia

Check Also

Qytetari: Kryeministri bridh, Taulanti vendos! Kemi marrë fund, pensionistë e studentë të ngrihen!

Një qytetar ka deklaruar se del në protestëpër skandalet e qeverisë shqiptare. Gjatë një prononcimi …