Protesta qytetare e zhvilluar këtë të enjte përpara Kuvendit të Shqipërisë ka marrë jehonë edhe në mediat italiane. Tg3 Rai i ka kushtuar një raportim zhvillimeve në Tiranë, duke pasqyruar përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në kronikën e saj, media italiane ka transmetuar pamje nga tensionet e regjistruara gjatë protestës, ndërsa shkruan se “Revolucioni i Flamingove nuk ka vdekur”, duke theksuar se qytetarët kanë dalë sërish në rrugë kundër projektit për ndërtimin e një mega-resorti luksoz nga familja Trump në një zonë të mbrojtur.
Sipas Tg3 Rai, protestuesit akuzojnë kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe përpjekje për të shitur territorin për interesa ekonomike, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e tij.

Media italiane thekson gjithashtu se demonstruesit tentuan t’i afroheshin godinës së Parlamentit në Tiranë, por u ndaluan nga policia, e cila përdori gaz lotsjellës dhe autobote me ujë për të shpërndarë turmën.
Protestat kundër qeverisë vijojnë prej afro dy muajsh, ndërsa tubimi i sotëm u zhvillua paralelisht me seancën e fundit plenare të Kuvendit për këtë sesion parlamentar.
Gazeta RD