Dorëhiqu Elisë!

Nga Agim XHAFKA

Duhet ta them që në fillim; deputetja Elisa Spiropali në plot shkrime, analiza më ka pëlqyer. Madje në ndonjë postim të saj e kam përgëzuar dhe falenderuar. Them edhe që jam habitur nga kërcimi i saj prej panegjorizmit për Ramën drejt e tek përplasja me qeverinë e tij. Për shumë të meta që ajo i nxori açik në publik. Kështu prisja dhe sot në parlament. Qe mundësi e artë pas 53 ditësh protestë e pas një maratone përplasjesh të rinisë me Ramën dhe enturazhin e tij. Por ajo, pasi saktë rreshtoi defektet e rënda të drejtimit të shtetit, iu drejtua liderit të opozitës jo për ndihmë, por të dorëhiqet nga se ajo beson që pas tij ikën dhe Rama. Ndoshta ndodh dhe kështu, por kjo rrugë është pak si me dredha, pak si me hile dhe pak keqdashëse. Jo politike.

Së pari, për jetën dramatike të vendit, përgjegjësinë e mban ai që ka timonin. Pra, Edi Rama. Që bënte fushatë qesharake me timon makine në dorë. Politikat e tij janë kaq të personalizuara se thuajse gjithë deputetët janë veç masha, që ai i përdor për votim. Kaq dhe në fund të muajit paguhen me një thes me lekë.

Së dyti, përballja me krahëmarrje e Elisës me Ramën nuk sjell produkt të pastër. Sjell një shfaqje inati e kaq. Plus që tregon se ajo nuk e ka parimore betejën që bën.

Nëse deputetja do që problematikat e rënda të zgjidhen, duhet të japë ajo dorëheqjen. Siç veproi kolegia e saj, Mariana Koçeku. U largua nga grupi dhe rreshton vizaton çdo çast në shtypin botëror qeverisjen e gabuar. Elisa tashmë ka një cv politike të pasur. Ka ndjekës e plot çështje që ngre janë të besueshme. Dorëheqja e saj nxjerr përmbi ujë zullumet e Ramës dhe të bandës së tij. Dhe lind shpresë që disa deputetë të tjerë mund të largohen nga krimi, nga korrupsioni. Pra nga Rama.

Elisë, në plot raste ke guxuar. Hidh dhe një hap! Largohu nga ky grup parlamentar. Të shpëtosh emrin tënd dhe t’i bësh një shërbim të madh vendit. Se guximi nuk të mungon…

About Redaksia

Check Also

50% e të rinjve shqiptarë nuk janë as në punë as në shkollë!

Nga Nikola KEDHI 50% e të rinjve shqiptare nuk janë as në punë as në …