Albi Topi: Doktor, të përshëndes. Një miku im ka një hotel të vogël në zonën e plazhit. Vuan për punëtorë pasi rinia ka ikur në emigracion. Ka punësuar me shumë mund dhe me kosto të lartë disa punonjës të huaj dhe me këtë sezon thotë se do të ishte me fat sikur të dilte pa humbje. A keni ndonjë program për bizneset e turizmit dhe çfarë do të bëni për t’i rikthyer të rinjtë në vendin e tyre?
Sali Berisha: I dashur Albi.
Dy sektorë të ekonomisë së vendit janë goditur në mënyrën më fatale nga narko-euro.
Së pari prodhimi dhe eksportet.
Së dyti turizmi.
Turizmi, i cili vetëm për shkak të kursit të eurove është bërë 30% më i shtrenjtë. Po në qoftë se shton këtu rritjen stratosferike të çmimeve të ushqimeve dhe çmimeve të tjera, atëherë përveç dhomës së hotelit që turisti e paguan sot për shkak të kursit të euros 30% më shtrenjtë, të gjitha të tjerat e bëjnë turizmin shqiptar një turizëm të papërshtatshëm krahasuar me çmimet.
Kjo ka bërë që të rinjtë shqiptarë të largohen masivisht.
Ju keni të drejtë, sot sipas një statistike paraprake në Shqipëri janë të punësuar mbi 23 mijë të huaj. Dhe sigurisht punësimi i tyre është mjaft i kushtueshëm.
Po, projektet tona janë shumë të rëndësishme.
Së pari, lufta me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës dhe trafiqeve të drogës në mënyrë që kursi i këmbimit lek dhe euro të jetë normal.
Së dyti, sistemi i tatimeve për hotelet duhet të shihet me përparësi të madhe. Sot, të gjithë investitorët strategjikë që në tërësi janë baronë droge e të tjerë, i kanë hotelet dhe resortet e tyre pa taksa. Kurse ti me një hotel të vogël, apo miku yt me një hotel të vogël paguan dhe çmimet e kokës. Këto marrin fund.
Së treti, është e domosdoshme, zoti Topi, që punonjësit sezonalë të kenë një trajtim gjithëvjetor. Dhe ky trajtim gjithëvjetor i tyre nuk mund të bëhet vetëm nga sipërmarrja. Ky trajtim gjithëvjetor i tyre bëhet me një bashkëkontribut me shtetin. Dhe kjo është e domosdoshme, këtë e bën Greqia, e bëjnë shumë vende të tjera.
Gazeta RD