Partia e Demokratëve Evropianë (PDE/EDP) ka reaguar lidhur me pamjet e dhunës ndaj protestuesve në Tiranë, duke publikuar edhe rastin e një qytetari, i cili është dhunuar nga policia gjatë protestave studentore.
Në reagimin e saj, PDE/EDP shprehet se pamjet që vijnë nga Tirana janë gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa kanë publikuar momentin ku efektivë të “Shqiponjave”, godasin me shkop gome një qytetar, i identifikuar si Lulzim Gjini.
“Ai u rrah brutalisht me shkopinj gome”, thuhet në deklaratë, ku më tej PDE thekson se si pasojë e dhunës protestuesi ka pësuar brinjë të thyera, fraktura në kafkë dhe hematoma.
PDE/EDP ia adreson përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai të mbajë përgjegjësi për atë që e cilëson si dhunë çnjerëzore ndaj protestuesve paqësorë.
“Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën çnjerëzore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Çdo akt shtypjeje, çdo sulm ndaj lirive themelore, e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga Evropa”, theksohet në reagimin e demokratëve evropianë.
Gazeta RD