Lëkurani

Nga Mal BERISHA

Në gegnishten tonë të bukur e të pasur, ashtu siç e donte Gjergj Fishta, ekziston një fjalë:
LËKURANI
Një fjalë që përmbledh në vetvete servilin, lajkatarin, frikacakun, zvarranikun, interesaxhiun dhe sahanlëpirësin; njeriun që e shet dinjitetin për një përfitim.
Ja portreti i LËKURANIT
Lëkurani është qenie e neveritshme.
Ai nuk ka bindje; ka interesa.
Nuk ka dinjitet; ka frikë.
Nuk ka shtyllë kurrizore; ka përulje.
Nuk ka zë; ka vetëm jehonën e eprorit.
Lëkurani nuk ia thotë kurrë të vërtetën askujt, sepse ka frikë prej saj.
Ai thotë vetëm atë që e di se eprori dëshiron të dëgjojë, sepse nuk guxon të shprehë mendimin e vet.
Ai nuk e kundërshton eprorin, edhe kur e di se po kryhet një padrejtësi.
Ai pranon çdo gjë, mjafton të mbetet në hijen e pushtetit.
Kur pushteti e shkel, lëkurani e duartroket.
Kur pushteti e poshtëron, lëkurani zgërdhihet.
Kur pushteti gënjen, lëkurani e quan të vërtetë.
Kur populli proteston, lëkurani fshihet ose hesht.
Kur pushteti kërkon duartrokitje, lëkurani ngrihet i pari dhe i bën duart gjak.
Ai është servil, sepse e shet dinjitetin.
Është lajkatar, sepse kështu përfiton.
Është sahanlëpirës, sepse interesin e vë mbi nderin.
Lëkurani nuk pyet:
“A është e drejtë ajo që i kërkohet?”
Ai pyet vetëm:
“A i shërben të Madhit?”
Ai pranon çdo padrejtësi, çdo dhunë dhe çdo poshtërim, mjafton të ruajë privilegjet që i sjell LËKURANIZMI.
Prandaj, LËKURANIA nuk është vetëm një ves.
Është dorëzimi i dinjitetit njerëzor.
Këto lloj mostrash i shohim përditë: heshtin si në varrim kur duhet të mbrojnë interesin e tyre, por duartrokasin edhe kur shohin një kryemonstër të tallet publikisht me vajzat e tyre, duke i imituar me gjeste e përdridhje si “flamingo”.
Poshtë lëkuranat!

About Redaksia

Check Also

Protestat tashmë janë bërë ndërgjegjja e kombit!

Nga Ndriçim KULLA Disa ngjarje nuk maten më me kalendarin, por me peshën morale që …