Çudirat nga Shqipëria dhe lideri Rama nuk kanë fund! Pasi vjedh shqiptarët dhe pasuron një grusht njerëzish, Rama i ul fytyrën vendit edhe në arenën ndërkombëtare.
Si të mos mjaftonte se takohet në fshehtësi me personazhe të krimit, mashtrimin, vjedhjes, etj, dhe mbi të gjitha i qeras me tendera, ul edhe liderët botërorë me ta.
Rasti i fundit është ky me Ermal Beqirajn dhe presidentin francez Emmanuel Macron! Rama si duket i ka takuar, kanë biseduar, madje kanë shkrepur edhe një foto.
Si për ironi, drejtësia e shteti që Macron drejton i vuri prangat mikut të përkëdhelur të Ramës, njeriu i cili ka informacionet e shtetit dhe krijoi pasuri marramendëse nga aferat me tendera korruptivë.
Beqiraj u ndalua pasi fluturoi me një avion të vogël mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi, në një lartësi më të ulët se ajo e lejuar. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore Franceze shoqëruan avionin deri në aeroport, ku ai u arrestua nga policia.
Hetuesit francezë kanë ngritur dyshime edhe për pistën e spiunazhit, për shkak të profilit të Beqirajt dhe faktit se gjatë kontrollit iu gjetën tre pajisje GPS të tipit AirTag të fshehura në rrobat e tij. Ai deklaroi se kishte gabuar lartësinë e fluturimit, por shpjegimet e tij u konsideruan të paqarta.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim, ndërsa ditën e sotme (29 korrik) pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Kush është Ermal Beqiri?
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2011. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta.
Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.
Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Paralelisht me këtë proces, Beqiri, i cili krahas punës në Rektorat, ishte edhe pedagog në universitetin “Kristal”, krijon një kompani private, “Al-Forensic”, së bashku me kolegun e tij, Ardian Pollo, një tjetër ekspert i thirrur për videon “Meta-Prifti”.
Kjo shoqëri nuk pati sukses të dukshëm. Dy aksionerët e pezullojnë aktivitetin e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që fitimi për vitin e fundit ishte vetëm 300 mijë lekë të reja.
Më herët, Ermal Beqiri nuk kishte pasur sukses as me një kompani tjetër, “Al-Soft”, të cilën e krijoi dhe e mbylli brenda vitit 2010. Beqiri rishfaqet në publik në fund të vitit 2013, në atë që konsiderohet si “skandali i serverit të Tatimeve”.
Në nëntor të atij viti pati dyshime të forta se kishte ndërhyrje të paligjshme në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për verifikimin e situatës, pranë Tatimeve shkuan deputeti i Komisionit të Sigurisë në atë kohë, Spartak Braho, i shoqëruar nga eksperti Ermal Beqiri. Në atë kohë u mësua se Beqiri shërbente si këshilltar informatik pranë kabinetit të kryeministrit Edi Rama.
Ermal Beqiri dhe Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryen auditimin administrativ të këtij rasti, sipas dëshmive të bëra publike gjatë Komisionit Hetimor Parlamentar për “serverin e Tatimeve”, të zhvilluar në vitin 2016, shkruan boldnews..
Një hetim penal i mëvonshëm konstatoi se nuk kishte pasur ndërhyrje të paligjshme në serverin e Tatimeve, por situata problematike ishte krijuar për shkak të një anomalie elektronike. Të dhënat tregojnë se lidhja mes Spartak Brahos dhe Ermal Beqirit nuk ishte vetëm në kuadrin e raporteve zyrtare.
Në qershor të vitit 2012 regjistrohet shoqëria “Alb Red Stone”, me aksioner themelues Ramazan Domi, Ermal Beqiri dhe Arbër Braho, ky i fundit djali i Spartak Brahos. Kompania vijon të jetë active dhe ka objekt “Aktivitete në fushën e prodhimit të materialeve të ndërtimit nxjerrjes, shfrytëzimit dhe përpunimit të burimeve minerale, mermereve, graniteve, etj.”
Në vitin 2015, emri i Ermal Beqirit emërohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekës, në pozicionin e drejtorit të Teknologjisë së Informacionit.
Gjatë periudhës që ai mbante këtë post, një kompani private pa shumë histori deri në atë kohë, “Soft & Solution”, nisi të fitonte radhazi tendera për pajisje informatike pranë Hipotekës.
Gjatë vitit 2016 pati raportime mediatike që hidhnin dyshime se Ermal Beqiri fshihej pas kompanisë “Soft & Solution”, e cila zyrtarisht ishte në pronësi të Arjola Koromani.
Në vitin 2021, Ermal Beqiri merr në kontroll kompaninë “Soft & Solution”. Arjola Koromani e shet kompaninë tek Ermal Beqiri për shumën 1 milionë lekë të reja dhe pas këtij transaksioni, vijon të mbajë postin e administratores së shoqërisë.
Gjatë vitit 2024, Ermal Beqiri shton portofolin e tij të biznese me tre kompani të tjera. Në Mars të këtij viti ai themelon shoqërinë “R&D Solution”, me objekt “Kërkim shkencor dhe teknologjik..etj,”. Administratore e shoqërisë është sërish Arjola Koromani, ish-pronarja e “Soft & Solution”.
Në Prill të vitit 2024, Ermal Beqiri blen 100 përqind të aksioneve të shoqërisë ‘IT Tirana”, për një shumë prej 144 mijë euro. Pas blerjes, emri i shoqërisë ndryshohet në “NSolution”. Dhe, në Maj 2024, Ermal Beqiri bën një tjetër “goditje” të rëndësishme, duke blerë për 380 mijë euro të gjithë aksionet e kompanisë “Horizon”.
Gazeta RD