Griselda Selimaj: Doktor, pas arrestimit të Ermal Beqirit në Francë, a mendoni se SPAK duhet të zgjerojë hetimet për të verifikuar të gjitha kontratat publike me të cilat ai është lidhur, përfshirë edhe ato që janë përmendur në debatet publike për AKSHI-n?
Si ka mundësi që thuhet se kompanitë e lidhura me të vazhdojnë të përfitojnë tendera publikë?
A duhet të hetohen gjithashtu pasuritë, investimet dhe lëvizjet financiare brenda dhe jashtë Shqipërisë për të sqaruar se ku kanë përfunduar këto para?
Sali Berisha: Që të gjitha duhet të hetohen. Por për fat të keq, hetime nuk ka.
Ju e dëgjuat, e nderuar, vetëm 10 ditë më parë vetë ai, kompania e tij vetë direkt fitoi tender. Ai hyri në AKSHI, ka përfituar të paktën 200 milionë euro së bashku me Frangun. Se ai është prestanome i Edi Ramës. Dhjetëra, qindra milionë mund të ketë fituar me Duranën dhe tendera të tjerë.
Imagjinoni një njeri që blen jahte, avionë dhe bën jetën më përrallore. Një njeri, për të cilin mandati i arrestit u lëshua në 24 dhjetor të 2025, por unë me 24 prill të 2026 denoncova para mediave se nuk ka mandat arresti ndërkombëtar për ta. As për Gysin, as për Ermal Beqirin.
E vërteta është se drejtuesi i SPAK-ut deklaroi se ata prej disa javësh po bashkëpunojnë me Francën. Këtu ka disa probleme. Ai në prill dhe në qershor ka bërë veprime me avionët e tij, blerje, regjistrime e të tjerë, në dy vende në të cilat shteti ligjor është i fortë, në Austri dhe Slloveni. Dhe ai në rast se do të ekzistonte mandati i arrestit ndërkombëtar, nuk bënte dot në këto vende asnjë veprim. Por atë mandat arresti, ose nuk e lëshuan me urdhër të Ramës prokurorët e SPAK-ut, ose e lëshuan dhe e bllokoi policia e Edi Ramës.
Unë mendoj se transparenca është e domosdoshme. Mund të ketë pasur, s’mund të them sepse mund të ketë dokumente, po duhen paraqitur dokumentet. Mund të ketë pasur dokumente ose mund të kenë dokumente që po bashkëpunonin me autoritetet franceze. E vërteta është që autoritetet franceze atë e arrestuan krejtësisht rastësisht. E arrestuan se ai fluturoi mbi një objekt që s’mund të fluturonte, në atë lartësi që fluturoi.
Por çfarë ishte në fund të fundit Ermal Beqiri?
Ermal Beqiri ishte Edi Rama, Linda Rama, ishte familja Rama. Ai ishte një prestanome i tyre, një njeri që grabiste miliona, qindra milionë në emër të tyre.
AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, i faktuar në mënyrë përfundimtare.
Gazeta RD