Në protestën e 63-të para Kryeministrisë kundër qeverisë së Edi Ramës, një prej protestuesve iu drejtua qytetarëve të mbledhur në shesh, duke e cilësuar këtë tubim si një dëshmi të bashkimit qytetar dhe të kërkesës për ndryshim.
Ai deklaroi se protesta përfaqëson, sipas tij, zërin real të shqiptarëve dhe kundërshtoi pretendimet se në vend nuk ka pakënaqësi qytetare.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi këtu së bashku për qëllimin më të madh që ky popull ka kërkuar prej 35 vitesh në tranzicionin e tij të rëndë e të pandërprerë. Të gjithë ne po tregojmë edhe njëherë se jemi të bashkuar, se jemi këtu për një qëllim shumë të madh”, tha protestuesi.
Sipas tij, pjesëmarrja në shesh është përgjigjja ndaj atyre që kanë mohuar ekzistencën e protestave.
“Ky zë, ky bashkim, i ka mbytur të gjitha zërat e tyre që kanë përdorur nëpër media, me gazetarë dhe me çdo gjë, për të thënë se këtu nuk ka protestë. Këtu jemi ne, këtu është Shqipëria, kjo është Shqipëria e vërtetë!”, u shpreh ai.
Protestuesi tha se qytetarët janë mbledhur me një qëllim të përbashkët dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ne jemi sovranët në këtë vend dhe ne kërkojmë… një kryeministër të japë dorëheqjen!”, deklaroi ai nga skena e protestës.
Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi edhe zhvillimet lidhur me reformën territoriale dhe mbylljen e disa bashkive, duke pretenduar se kjo do të ndikojë në braktisjen e zonave të ndryshme të vendit.
“Qeveria po kërkon të vazhdojë me shpopullimin e vendit duke mbyllur disa bashki të tjera, për t’i lënë në harresë ata njerëz që ndodhen nëpër ato zona. Ky është një turp”, tha protestuesi.
Ai kërkoi që qytetarëve t’u lihet mundësia të vendosin për strukturat vendore dhe kundërshtoi ndryshimet territoriale.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Rama, duke deklaruar se e vetmja zgjidhje, sipas tij, është largimi nga detyra.
“Ne të japim një mundësi, të japim besën të vish të flasësh këtu, të nënshkruash dorëheqjen”, u shpreh ai, duke shtuar akuza për korrupsion ndaj qeverisë, akuza që janë pjesë e qëndrimit të protestuesit.
Protesta vijon me thirrjen kryesore për dorëheqjen e Edi Ramës, të cilën organizatorët e kanë cilësuar si një kërkesë të panegociueshme.
Gazeta RD