Një shqiptare me banim në Itali iu bashkua sot protestës para kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesja bëri me faj Edi Ramën për shpopullimin e vendit ndërsa i bëri thirrje diasporës të solidarizohet me protestuesit për të larguar kryeministrin
“Ne nuk e harrojmë si Edi Rama e shiti Shqipërinë dhe krijoi një popull refugjatësh. Na lanë në këtë vend refugjatësh, në këtë popull refugjatësh, dhe na thanë që ne ia kemi borxh Shqipërinë Italisë”, tha protestuesja.
Fjala
Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Është 1 gushti, është muaji që të gjithë emigrantët, e gjithë diaspora vjen për t’u takuar me familjet, për të shkuar në dasma, për të vizituar vendet e ndryshme, për t’ua prezantuar miqve që janë pjesë e jetës së tyre tashmë jashtë vendit. Por ky gusht është ndryshe. Ky gusht na kërkon si diasporë, si shqiptarë të vijmë këtu jo për pushime, jo për të prezantuar vendin tonë, por për të luftuar. Sepse diaspora ka krijuar, ka ndërtuar Shqipërinë.
Janë bërë kongrese të pafundta në diasporë, Kongresi i Triestes, Fan Noli, Konica, shumë diasporë kanë ndërtuar Shqipërinë dhe po vazhdojnë e ndërtojnë, sepse diaspora e vërtetë nuk e lë vendin. Por nuk e harron. Është e vërtetë që merr valixhen, por sa e sa valixhe lë këtu dhe sa e sa mall lë për vendin e vet. Diaspora sot është e thirrur në detyrë për të vazhduar, për të protestuar, për të ngritur zërin, për të përdorur çdo rrjet, çdo kontakt, çdo miqësi, çdo histori, çdo gjë që e lidh me vende të tjera tashmë. Diaspora ka detyrë të vijë këtu në sheshet e Shqipërisë, të vazhdojë të ngrejë zërin. Këtu, atje, janë organizuar mbi 290 protesta dhe po vazhdojnë akoma e po organizohen protesta të tjera.
Diaspora është zemra që rreh jashtë këtij vendi dhe diaspora nuk e harron vendin e vet. Sepse e di pse është larguar! Diaspora e di pse është larguar, nuk e ka harruar shantazhin që i është bërë ditë pas dite. Prindërit e mi u larguan kur isha 11 vjeçe dhe në një moment që mendonin se Shqipëria po rregullohej, ata thanë, jo, kjo nuk është e mjaftueshme, këtu mungon meritokracia.
Ishte viti 2001 dhe prindërit e mi thanë, ky është maksimumi ndoshta i meritokracisë dhe Shqipëria nuk bëhet. Por jo, kjo protestë tregon që Shqipëria bëhet dhe Shqipëria është diçka tjetër nga ajo që na kanë thënë se është. Është diçka tjetër nga ata që na sundojnë. Shqipëria jemi ne. Shqipëria është diaspora. Janë fëmijë që rriten dhe nuk e dinë gjuhën e prindërve, nuk e mësojnë shqipen. Dhe jo për shkak të prindërve, por për shkak të sistemeve, për shkak të ministrive të diasporës që nuk kanë shërbyer për asgjë, as për të drejtën e votës, por vetëm për të vjedhur fonde. Vetëm për të bërë propagandë dhe për të marrë diasporën akademike, diasporën e studiuar, diasporën që ka bërë karrierë, për ta marrë dhe për ta zaptuar. Sepse diaspora nuk shitet.
Shqipëria nuk shitet. Janë munduar ta blejnë, por diaspora e ka mendjen te Shqipëria dhe këtë ditë po e shohim. Dhe këtë ditë po e kuptojmë që ata prindër që nuk ua dinë shqipen fëmijët ndoshta, ndodh sepse nuk ka shkolla të gjuhës shqipe jashtë shtetit, sepse shteti jonë nuk investon.
Shteti jonë po e shet Shqipërinë. Dhe ju lutem, tashmë kur do shkoni nëpër pushime, mos i gjykoni nënat që nuk arrijnë t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve. Mos i gjykoni prindërit, baballarët, gjyshërit. Por mendojeni që Shqipërinë na e kanë vjedhur, na kanë vjedhur gjuhën shqipe, na kanë vjedhur çdo gjë që kemi. Dhe kjo nuk është rastësi, kjo është e qëllimshme. Sepse ashtu siç shesin tokën, ata janë të gjendur të shesin çdo gjë dhe po mundohen të shesin shpirtin tonë, por ne nuk e pranojmë. Dhe ky shesh e tregon. Dhe ky muaj do ta tregojë. Sepse kjo protestë do vazhdojë çdo ditë, do rezistojë dhe ne do të jemi këtu.
Dhe ju lutem thirreni diasporën, kërkojeni!
Diaspora është me ne. Diaspora, jini me ne, akoma më shumë! Nesër më shumë, pasnesër më shumë, gjithë muajin e gushtit më shumë. Ne nuk e harrojmë si Edi Rama e shiti Shqipërinë dhe krijoi një popull refugjatësh. Na lanë në këtë vend refugjatësh, në këtë popull refugjatësh, dhe na thanë që ne ia kemi borxh Shqipërinë Italisë. Ne Italisë nuk i kemi asnjë borxh, sepse Italia na ka mbytur. Ka mbytur anijet tona. Ka dërguar shqiptarët në stadiumin e Barit dhe u ka hedhur ushqim dhe ujë nga ajri me helikopterë.
Ne nuk i kemi asnjë borxh asnjë vendi në botë. Ne i kemi borxh Shqipërisë, paraardhësve tanë, fëmijëve tanë, familjeve tona dhe kësaj toke që pikon gjak. Ka pikuar gjak dhe është mbytur në dete dhe kanë rrezikuar, shqiptarët kanë humbur jetën në vendet e burgimit dhe paraburgimit për emigrantët. Ne nuk harrojmë çfarë na ka bërë kjo qeveri dhe qeveria tjetër dhe të gjitha qeveritë dhe të gjithë pushtetarët që janë munduar të na shtypin. Shqiptarët qëndrojnë dhe shqiptarët do kthehen një ditë. Dhe shqiptarët nuk do ikin një ditë, sepse Shqipëria është e jona!
Gazeta RD