Kundër shkrirjes!/ Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë bojkotojnë punën

Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar punën paraditen e së hënës, në shenjë proteste kundër draft-propozimit të Partisë Socialiste për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës në kuadër të reformës së re territoriale.

Rreth orës 09:00, punonjësit lanë zyrat dhe u mblodhën përpara institucionit, duke shprehur kundërshtimin ndaj planit që, sipas tyre, rrezikon t’i heqë Rrogozhinës statusin e bashkisë dhe identitetin administrativ.

Protestuesit u shprehën se Bashkia Rrogozhinë plotëson të gjitha kriteret për të funksionuar si njësi më vete, si për nga numri i banorëve, ashtu edhe për kapacitetet njerëzore e financiare. Sipas tyre, Rrogozhina nuk është krijuar nga reforma territoriale e vitit 2015, por ka mbi 35 vite që funksionon si bashki.

Punonjësit kundërshtuan gjithashtu argumentet e paraqitura nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke pretenduar se të dhënat mbi Bashkinë Rrogozhinë nuk pasqyrojnë realitetin dhe se njësia vendore është vlerësuar pozitivisht edhe sipas rezultateve të censit.

Gjatë protestës, u bë apel ndaj Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe Komisionit për Reformën Territoriale që të rishqyrtojnë propozimin dhe të mos miratojnë shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë.

Sipas protestuesve, bashkimi me Kavajën do të dëmtonte ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe do të zbehte identitetin e Rrogozhinës si njësi administrative. Ata theksuan se zona ka potencial të rëndësishëm zhvillimi, duke përmendur plazhin e Spillesë dhe Kalanë e Bashtovës, ndërsa kërkuan më shumë investime nga qeveria, jo ndryshime administrative.

Punonjësit paralajmëruan se do të vijojnë kundërshtimin e tyre nëse drafti për shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë do të ecë përpara.

About Redaksia

Check Also

Qytetarët ironizojnë takimin e Ramës në Pogradec: “Statistikat e qeverisë janë plot sukses”!

Në këtë ditë të 86-të të protestës, qytetarët kanë ironizuar me pankarta takimin e kryeministrit …