Aferë korruptive/ Denoncimi i Tabakut: Si qeveria mori pronën e familjes Dervishi për fabrikën e armëve

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka vizituar sot zonën e Babrrusë në Tiranë, ku është takuar me familjen Dervishi dhe ka denoncuar atë që e cilësoi si cenim të pronës së trashëguar ndër breza.

Sipas Tabakut, prona e kësaj familjeje është marrë nga shteti për t’u përdorur për ndërtimin e një fabrike armësh, projekt të cilin ajo e cilësoi si “aferën korruptive të radhës”.

“Qeveria shqiptare ka marrë pronën e ligjshme, të trashëguar ndër vite dhe brez pas brezi, për të ndërtuar aferën korruptive të radhës: fabrikën e prodhimit të armëve”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate është shprehur edhe më herët për këtë çështje, duke pretenduar se prona e familjes Dervishi i është kaluar kompanisë shtetërore KAYO. Sipas saj, në këtë kompani është përfshirë si aksioner edhe biznesmeni Ron Yeffet.

Tabaku kërkoi që investimet në industrinë e mbrojtjes të zhvillohen përmes procedurave të hapura dhe transparente, duke garantuar njëkohësisht sigurinë kombëtare dhe respektimin e të drejtës së pronës.

“Shqipëria duhet të sillet si një shtet serioz. Për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, duhet të ketë prioritete dhe të ofrojë procedura transparente e të hapura, të cilat nuk e cenojnë sigurinë kombëtare”, u shpreh ajo.

Sipas deputetes së PD-së, qeveria po e realizon projektin e fabrikës së armëve pa garë dhe pa konkurrencë, duke e trajtuar një sektor strategjik njësoj si tenderat e zakonshëm publikë.

“Po e trajton njësoj siç trajton tenderat e rrugëve dhe ‘tepsinë e pushtetit’, duke e ndarë ndërmjet miqve afër kryeministrit”, deklaroi Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Vasili: Ramaforma Administrative, funerali i Pushtetit Lokal!

Nga Petrit VASILI Ramaforma administrative ka vetëm një qëllim: rrëmbimin e tepsisë së pushtetit nga …