Kruja përkujton Abaz Kupin, Aulon Kalaja: S’na duhet konsullata serbe në Shkodër, na duhet shtatorja e tij

Partia Demokratike dega Krujë, në bashkëpunim me Partinë Lëvizja e Legalitetit organizuan sot një ceremoni për përkujtimin e ditëlindjes së Abaz Kupit, një prej figurave të njohura të historisë shqiptare.

Kreu i PD Krujë, Aulon Kalaja ngriti shqetësimin se politika, ka fshirë nga memoria kombëtare kontributin e këtij lideri properëndimor. Nëse do të ishte në perëndim, shtëpia e një figure të përmasave të tilla do të ishte shndërruar prej kohësh në muze.

“Abas Kupi ishte properëndimor dhe për pak çaste ju ftoj të mendojmë se si do ishte Shqipëria në rast se do të qeverisej nga patriotët me orientim perëndimor. Por historia nuk bëhet me ‘sikur’. Ata na vranë, na prenë, dhe ne i falëm. Ne i treguam dhimbjet tona, por nuk i shkruam emrat e tyre të persekutorëve. Për këtë po na gjykon koha. Si ka mundësi që Abas Kupi apo Bazi i Canës, ky krutan me nam, sot në qytetin e Krujës nuk ka një bust në nder të tij. Kruja i çmon bijtë e saj, por politika i ka harruar me ose pa qëllim. Sepse ne nuk na duhet konsullata serbe në Shkodër, por na duhet shtatorja e Abas Kupit në Krujë. Në Evropën perëndimore, kjo shtëpi do të ishte kthyer në muze, apo jo? ‘ tha Kalaja.

Aktiviteti, i titulluar “Abaz Kupi, shpirti i nacionalizmit shqiptar” u zhvillua në shtëpinë e Abaz Kupit, në lagjen “Varosh” të Krujës, përballë Komisariatit të Policisë.

Kruja nënvizoi dhe si historiografia komuniste fshehu qëllimisht rezistencën antifashiste të 7 prillit 1939 në Durrës, një qëndresë e udhëhequr pikërisht nga Abas Kupi.

“Historiografia komuniste na ka mësuar se me 7 prillin e vitit 1939 kur Italia erdhi për të pushtuar Shqipërinë, nuk kishte rezistencë. Një gënjeshtër e madhe! E vërteta është se rezistenca antifashiste në Durrës u organizua nga major Abas Kupi. Këtë duhet t’ja mësojmë brezave. Nuk po flas më tepër për konferencën e Pezës, konferencën e Mukjes dhe rolin e tij, lidhjet e tij të ngushta me amerikanët, anglezët apo austriakët. Për karrierën e tij ushtarake dhe si veprimtar i çështjes kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. I internuar nga fashistët dhe i sakatuar nga komunistët, familja e tij kishte një fat tragjik”, theksoi Kalaja.

Nga ky takim Kalaja bëri thirrje për riorganizimin dhe ridimensionimin e së djathtës konservatore në vend.

“Por unë kam një thirrje sot nga Kruja. Si qyteti më konservator i Shqipërisë, e djathta konservatore duhet të ridimensionohet. Dhe që të hapim një debat ideologjik dhe të vendosim pikat mbi ‘i’, duhet të çmojmë figurat e djathta, duhet të ngremë simbolet tona, duhet të tregojmë historitë tona, duhet të organizohemi dhe të shkojmë më djathtas. Partia Demokratike është një parti e re, por ajo ka një shtrat më të hershëm, ku kanë rrjedhur ujërat e së djathtës shqiptare. Ato lumenj janë Balli dhe Legaliteti, që janë parti më të vjetra se Partia Demokratike.

Këto lumenj nuk duhet të kthehen në përrenj, por duhet të kthehen në dete apo në oqeane zemrash, që mbrojnë atdheun nga axhenda e shpopullimit, që çmojnë Zotin, dhe mbrojnë familjen, kur ata duan t’i ndërrojnë gjininë fëmijëve tanë. Prandaj duhet një aleancë e fortë me historinë, me të djathtën dhe me figurat e simbolet tona. Le të jemi ne komunikuese.

Ndaj sot ngremë lart jetën dhe veprën e luftëtarit të lirisë Kupi. Abazi, ky krutan, na frymëzon me rezistencën dhe gatishmërinë e tij. Na mëson se lufta nuk duhet ndalur edhe pse armiku që kemi përballë është më i fortë, ka më shumë ushtarë, ka më shumë armë, ka më shumë para. Ne nuk duhet të ndalemi sepse kemi aleancë me Zotin. Ne duhet të qëndrojmë për atdheun, për familjen dhe për të vërtetën, ashtu siç bëri Abas Kupi. Gjaku nuk bëhet ujë!”, shtoi ai.

Abaz Kupi lindi më 6 gusht 1892 dhe ndërroi jetë më 17 janar 1976.

Kush ishte Abaz Kupi?

Abaz Kupi (1892–1976), i njohur edhe si “Bazi i Canës”, ishte një ushtarak dhe figurë politike shqiptare. Ai u bë i njohur për rezistencën kundër pushtimit italian më 7 prill 1939, duke udhëhequr luftimet në Durrës, dhe më pas ishte një nga drejtuesit e lëvizjes nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Kupi u largua nga vendi dhe jetoi në mërgim, ku vijoi aktivitetin e tij politik si kundërshtar i regjimit të Enver Hoxhës. Ai ishte themelues dhe drejtues i Partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila mbështeste rikthimin e monarkisë në Shqipëri. Abaz Kupi ndërroi jetë në Nju Jork më 17 janar 1976.

About Redaksia

Check Also

Shkrirja e bashkisë/ Kryebashkiakia e PS kundër Ramës: Bashkohem me banorët!

Këshilli Bashkiak i Klosit ka diskutuar propozimin e reformës administrativo-territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë …