Këshilli Bashkiak i Klosit ka diskutuar propozimin e reformës administrativo-territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Në takimin ku morën pjesë këshilltarë bashkiakë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të zonës, u shpreh kundërshtim ndaj këtij propozimi, ndërsa u kërkua që vendimi për të ardhmen administrative të Klosit të merret duke marrë në konsideratë vullnetin e komunitetit.
Gjatë diskutimeve, këshilltarët u shprehën kundër bashkimit të Klosit me Matin, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë ndryshim. Ata nuk përjashtuan edhe organizimin e protestave në rast se propozimi do të vijojë përpara.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe kryetarja socialiste e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila bëri me dije se projekt-propozimi i reformës i është dërguar bashkisë dy ditë më parë dhe se tashmë ka nisur faza e konsultimit publik.
Kola deklaroi se pozicioni i saj do të udhëhiqet nga vullneti i banorëve dhe jo nga interesat personale apo politike.
“Unë dua t’ju bëj me dije, si e zgjedhur nga qytetarët e mi, që karrigia e kryetarit të bashkisë nuk është e instaluar për një person dhe për interesa personale të një individi. Kryetari i bashkisë është shërbëtor i komunitetit që e ka besuar dhe votuar. Karrigia e bashkisë është e qytetarëve, ashtu si edhe institucioni i bashkisë jep shërbime për të gjithë qytetarët pa dallime”, tha kryetarja e Bashkisë Klos.
Ajo shtoi se do të mbështesë qëndrimin e qytetarëve për çështjen e reformës territoriale.
“Unë si e zgjedhur do të jem me mendimin e qytetarëve. Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro; nëse qytetarët do të jenë kundër, unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.
Procesi i konsultimeve pritet të vijojë në ditët e ardhshme, ndërsa Bashkia Klos do të mbledhë qëndrimet e komunitetit për t’i paraqitur ato gjatë fazës së diskutimit të reformës administrativo-territoriale.
Gazeta RD