Partia Demokratike, Dega Krujë, dhe Partia Lëvizja e Legalitetit organizuan një ceremoni përkujtimore me rastin e 134-vjetorit të lindjes së Abaz Kupit, një prej personaliteteve më të shquara të historisë shqiptare. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, ngriti shqetësimin se politika nuk e ka vlerësuar sa duhet figurën e Abaz Kupit dhe kontributin e tij, duke theksuar se shtatorja e liderit properëndimor duhet të ishte në Krujë dhe në shumë qytete të tjera.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe stërnipi i Abaz Kupit, Ylli Lama, i cili solli në vëmendje se si u tradhtuan vendimet e marra në Konferencën e Pezës dhe ngjarjet që pasuan, të cilat e detyruan Abaz Kupin të largohej nga Shqipëria.
Fjalë përkujtimore dhe vlerësime për komandantin e shquar Abaz Kupi mbajtën edhe deputetë dhe përfaqësues të partive opozitare.
Gjatë aktivitetit u transmetuan edhe materiale filmike me protagonistë familjarë të Abaz Kupit, mes të cilëve edhe djali i tij, Fatbardh Kupi.





Gazeta RD