“El País”: Dështon pakti Rama-Meloni për emigrantët, 138 milion euro për një qendër bosh

Qendra e emigrantëve e ngritur nga Italia në Gjadër të Lezhës vijon të jetë në qendër të debatit në Itali dhe Europë, ndërsa sipas gazetës spanjolle El País, struktura mbetet pothuajse bosh dhe përballet me pengesa ligjore që kanë bllokuar funksionimin e saj të plotë.

Projekti ishte një nga nismat kryesore të qeverisë së kryeministres italiane Giorgia Meloni për të menaxhuar emigracionin jashtë territorit italian. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë parashikonte që emigrantët e kapur në det nga autoritetet italiane të dërgoheshin në Shqipëri, ku do të kryheshin procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe kthimin e atyre që nuk do të përfitonin mbrojtje.

Megjithatë, sipas medias së huaj, zbatimi i këtij modeli është përballur me probleme të shumta ligjore. Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian po shqyrton çështje që lidhen me ligjshmërinë e këtij mekanizmi, përfshirë pyetjet nëse procedurat e azilit dhe ndalimi i emigrantëve mund të kryhen jashtë territorit të BE-së.

Një tjetër pikë e ngritur nga El País është kostoja e lartë e këtij projekti. Sipas të dhënave të përmendura nga gazeta, mirëmbajtja e qendrës arrin rreth 138 milionë euro në vit, ndërsa numri i personave të akomoduar ka qenë shumë më i ulët nga kapaciteti i parashikuar.

Qendra në Gjadër ishte projektuar për të menaxhuar deri në mijëra persona, por gjatë periudhës së funksionimit ka pasur një numër shumë të kufizuar emigrantësh. Kjo ka sjellë kritika nga opozita italiane, e cila e ka cilësuar projektin si një investim me kosto të lartë dhe rezultate të pakta.

Nga ana tjetër, qeveria e Giorgia Melonit ka mbrojtur marrëveshjen me Shqipërinë, duke argumentuar se ajo përfaqëson një model të ri për kontrollin e flukseve migratore dhe se mund të shërbejë si shembull edhe për vende të tjera evropiane edhe pse dukshëm deri tani, pakti Rama-Meloni rezulton një dështim.

About Redaksia

Check Also

Shpërthen revolta edhe në Rrogozhinë: Mblidhuni burra, gra e të rinj… Nuk e vendos as Mazniku, as Rama!

Protesta e banorëve të Rrogozhinës kundër shkrirjes së bashkisë është shoqëruar me revoltën e qytetarëve …